Ndërlidhjet

A ËSHTË MOSKA E GATSHME TË MOS LËSHOJË PE PËR KOSOVËN?


Claire Bigg

Rusia vazhdimisht e ka kritikuar planin e Kombeve të Bashkuara për "pavarësinë e mbikqyrur" të Kosovës.
Moska ka thënë se nuk do ta pranojë propozimin përderisa Serbia vazhdon ta kundërshtojë. A është Rusia vërtetë e gatshme të mos lëshojë për çështjen e Kosovës?
Më 9 qershor, një ditë pas takimit të G8-ës në Gjermani, presidenti i Rusisë Vladimir Putin u takua me kryeministrin e Serbisë Vojisllav Koshtunica anash forumit ekonomik në Shën Petersburg. Ai u tha gazetarëve se "me kënaqësi" e kishte informuar Koshtunicën për rezultatin e e bisedimeve të G8-ës lidhur me statusin e Kosovës.
Rezultati ishte një ngecje. Rusia përsëri e hodhi poshtë draft rezolutën e Këshillit të Sigurimit, me të cilën parashihet pavarësi e mbikqyrur për Kosovën. Rusia një kohë të gjatë i jep mbështetje Serbisë, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës. Madje, përkundër presioneve në rritje nga vendet anëtare të Kombeve e Bashkuara, veçanërisht nga ana e Shteteve të Bashkuara, Moska duket sikur është e vendosur të mos e ndryshojë qëndrimin.
Yevgeniy Volk, drejtor i Fondacionit Heritage në Moskë, thotë se Moska ka interesa strategjike në mbështetjen që i jep Serbisë.
"Interesi është që ta ruajë pozicionin e saj në Ballkan. Rusia tradicionalisht i ka vënë bastet në Serbinë, aleaten e fundit që i ka mbetur në rajon. Nëse Rusia do ta njihte pavarësinë e Kosovës, atëherë zhgënjimi do të ishte i thellë. Serbia dalëngadalë do të merrte rrugën që ndoqën vendet tjera të ish Jugosllavisë, drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Dhe kjo është mu ajo që Rusia përpiqet ta pengojë me të gjitha mënyrat", thotë Volk.
Por a thua Rusia do të shkojë aq larg sa të përdorë veton? Eksperti Volk nuk ka fije dyshimi.
"Rusia ka marrë një qëndrim shumë të pa kompromis mbi këtë çështje. Ajo është e gatshme për të gjitha hapat, përfshirë bllokimin, pra përdorimin e vetos nëse rezoluta e Kombeve të Bashkuara do të paraqitej në Këshillin e Sigurimit", thotë Yevgeny Volk.
Rusia pohon se draft rezoluta do të shkaktonte precedent të rrezikshëm për separatistët në vendet tjera. Moska dëshiron që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të vezhdojnë të negociojnë për të arritur një marrëveshje kompromisi, për të cilën Kombet e Bashkuara thonë se nuk është e mundur të arrihet.
Në anën tjetër, si vetoja ruse, ashtu edhe njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, do të ishin goditje e rëndë për marrëdhëniet tashmë të acaruara të Moskës me Kombet e Bashkuara.
Njohja e njëanshme e Kosovës gjithashtu do t'i jepte Rusisë një argument të vlefshëm që ta forcojë mbështetjen e saj ndaj rajoneve proruse të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë Jugore, si dhe Transnistrinë në Moldavi.
Artyom Ulunyan është ekspert i rajonit, i cili ligjëron në Institutin Shkencor të Historisë së Përgjithshme në Akademinë e Shkencave në Rusi.
"Ky do të ishte problem serioz për marrëdhëniet Rusi-Bashkimi Evropian. Përveç kësaj, Rusia mund të ndërmarrë hapa të njëanshëm në ish territoret sovjetike, ku të gjithë e dijmë se ka qeveri të vetëshpallura", thotë Ulunyan.
Por vendet në Kombet e Bashkuara japin shenja se po e humbin durimin. Gjatë vizitës në Itali, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush tha se ka mbaruar koha për të zgjidhur çështjen e Kosovës.
Edhe eksperti Ulunyan thotë se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë arsye të mira që të kërkojnë zgjidhje të shpejtë të çështjes.
"E para, fakti se çështja doli në krye të samitit G8 dhe ishte kryesorja në turneun e presidentit Bush në Evropën juglindore dhe Ballkan, tregon se nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, Uashingtoni duhet ta zgjidhë atë deri në fund të vitit. E dyta, kjo çështje e prek edhe konsolidimin e forcave në Evropë. Deri sa të zgjidhet, nuk mund të implementohen projektet që kanë të bëjnë me imigracionin dhe tregtinë", pohon eksperti Ulunyan.
XS
SM
MD
LG