Ndërlidhjet

TË KALOSH RRUGËN


Rrëfimi “Të kalosh rrugën” ka fituar çmimin e parë në garën që është mbajtur në Radion Evropa e Lirë, në kategorinë për promovimin e tolerancës. Rrëfimi është realizuar nga korrespondentja e Radios Evropa e Lirë, Albana Isufi

Bajram Krasniqi ka katër vjet që jeton në Çagllavicë, fshat ky 4 kilometra larg Prishtinës, i banuar me shumicë serbe. Krasniqi, pak kohë pas konfliktit të vitit 1999, nuk ka hezituar të blejë 6 hektarë tokë nga serbët e Çagllavicës. Tash ka lidhur miqësi me banorët serbë të fshatit. "S'ka ditë që te njëri nuk shkoj të pi kafe apo raki. Edhe ata vijnë këndej, i kanë tokat pas meje, i kam lëshuar nëpër rrugë të mia, i kanë shfrytëzuar, me traktorë i kanë punuar. Kurrë askush një fjalë të keqe nuk ua ka thënë, por as ata nuk i kanë thënë askujt fjalë të keqe", thotë Krasniqi, i ulur në një restorant luksoz të një shqiptari në mes të Çagllavicës. Ky lokalitet është një nga enklavat serbe në Kosovën qendrore, në të cilën funksionojnë strukturat paralele të financuara nga Qeveria serbe. Këtu, sikurse edhe në vendbanimet tjera të banuara me shumicë serbe, nuk kanë shtrirje institucionet qendrore të Kosovës. Në vitet e fundit, serbët e këtij fshati kanë filluar të shesin me të madhe tokat e tyre. Blerësit janë kryesisht shqiptarë. Kjo ka bërë që dallimet në Çagllavicë të thellohen, tashmë jo vetëm nga aspekti etnik. Shtëpitë e vjetruara, veturat me targa të vjetra PR, reklamat me shkronja cirilike nëpër dyqane apo kafene e karakterizojnë pjesën e banuar me serbë. Ajo shqiptare karakterizohet me ndërtesa të larta, shtëpi të reja banimi, si dhe me logot e institucioneve kosovare të vendosura tek-tuk. Po si jetohet në këtë fshat, që tashmë dalëngadalë duket se po i bashkohet kryeqytetit?! Sava Zhiviq flet për pjesën serbe. "Çfarë të them, nuk është jetë plotësisht normale, por të themi se ndoshta diku 70 për qind i afrohet normalitetit. Çështja kryesore është liria dhe të tjerat vijnë më pas, këtu nënkuptohet liria e lëvizjes. E ne brenda në fshat nuk kemi probleme të lirisë së lëvizjes, por të dalësh më larg, për të blerë diçka apo për ndonjë arsye tjetër, atëherë duhet me përcjellje të SHPK-së", thotë Sava Zhiviq, teksa blen gjëra ushqimore në një nga dyqanet e vjetra të fshatit, në të cilin për shitblerje përdoret dinari serb, e jo euro-ja, që është valutë zyrtare në Kosovë. Zhiviq thotë se në 8 vjetët pas luftës ka qenë vetëm një herë në Prishtinë, e cila gjendet vetëm 10 minuta larg fshatit. Po, deri në ç'masë kanë frikë serbët për mirëqenien e tyre në Kosovë? Fqinji i ri i serbëve, Bajram Krasniqi, duke shkëputur fragmente nga jeta e tij e përditshme, thotë se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve është e mundur. "Unë nuk kam asnjë problem, por jo vetëm unë, por nuk di ndonjërin në lagje që ka probleme me ta. E kam marrë(serbin), e kam dërguar me veturë në qytet, i kam thënë ‘zbrit dhe bindu’. Kam folur me të serbisht rrugës, kemi hyrë në një lokal dhe kemi kërkuar pije në serbisht, për të parë se si do të reagojë dhe ai është befasuar", tregon Krasniqi për një fqinjin e tij serb. Por, Borivoje Deniq, të cilin nga shtëpia e Krasniqit e ndan vetëm rruga kryesore, nuk beson fare në bashkëjetesë. "Unë nuk e di se si është Prishtina. E çfarë jete është kjo? Kjo nuk është jetë, nuk kam provuar të shkoj dhe nuk do të shkoj. Shqiptarët nuk po pranojnë asgjë çfarë po kërkojnë serbët ", tha pensionisti serb Borivoje Deniq, teksa fliste me disa të rinj para Shtëpisë së Shëndetit, e cila financohet edhe nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga ajo serbe. Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë kosovare pohojnë se liria e lëvizjes nuk paraqet më problem për serbët e Kosovës. Zëvendësministri i Kthimit, Nazmi Fejza, thotë se në selinë e ministrisë, që gjendet në qendër të Prishtinës, punëtorët serbë vijnë pa ndonjë problem dhe pa pasur nevojë për përcjellje. "Unë mund t'ju them, një nga rastet po e zëmë, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim punojnë të gjitha komunitetet, ka edhe serbë nga katër anët e Kosovës dhe çdo ditë pa përcjellje vijnë në punë. Dalin tregtojnë nëpër Prishtinë dhe kthehen në shtëpi pa asnjë problem dhe pas asnjë frikë", tha Fejza. Serbët e Kosovës nga vitit 2004 kanë kundërshtuar pjesëmarrjen në institucionet e udhëhequra nga shumica shqiptare, pavarësisht se ka pasur apele të shumta nga të gjithë për t'iu kthyer institucioneve. Ky refuzim është theksuar sidomos në kohën e përcaktimit të statusit final. Serbët e Kosovës në negociatat për statusin janë përfaqësuar nga Ekipi Negociator i Serbisë, e jo nga ai kosovar. Kjo, pasi që shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësimin e Kosovës, ndërsa serbët duan mbetjen nën Serbi. "Është për të ardhur keq, që serbët e Kosovës kanë kufizuar përfitimet që kanë përmes procesit të standardeve, duke zgjedhur që të mos bashkëpunojnë me autoritetet e Prishtinës. Mesazhi im për ta është që të marrin pjesë në procese, siç janë standardet, pasi do të ketë rezultate më të mira, sesa të rrinë jashtë procesit. Nuk është korrekte, që të izolosh vetveten e më pas të ankohesh për atë izolim", thotë shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Ndryshe nga politikanët dhe banorët serbë, që shpesh janë skeptikë mbi të ardhmen e përbashkët në Kosovë, disa nga liderët ortodoksë që kanë ndikim të madh në mesin e popullatës serbe, besojnë në tolerancën ndëretnike dhe bashkëjetesën. Një nga ta është peshkopi Teodosije, që është përgjegjës për Manastirin e Deçanit, manastir ky që tashmë ruhet si trashëgimi kulturore nga UNESCO-ja. "Si murg, por edhe si njeri, kam shpresë se është e mundur të gjendet mënyra se si të jetohet, pasi që serbet dhe shqiptarët e Kosovës kanë jetuar në Kosovë gjithmonë kështu, së bashku. Por, tash është e nevojshme që të ndërmerren masa të veçanta sidomos rreth statusit dhe të drejtës së serbëve. Dhe nëse kjo definohet në mënyrën e duhur, atëherë do të ketë bashkëjetesë. Por, nëse do të ketë diskriminim, frikësohem se serbët nuk do të durojnë një tretman të tillë, që do të ishte shumë keq jo vetëm për serbët, por edhe për të tjerët", tha peshkopi Teodosije. Anthony Welch, ish- koordinator i Sektorit për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme, që ka përpiluar një raport voluminoz mbi arkitekturën e sigurisë në Kosovë, të bazuar kryesisht në bisedat me të gjitha komunitetet, thotë se plagët e hapura gjatë konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë është vështirë të shërohen. "Nevojitet kohë, që këto plagë të mbyllen dhe shërohen në mënyrë të duhur. Dhe natyrisht, plagët lënë vragë që do mbesin gjithmonë. Por, e vetmja mënyrë që Kosova të mbijetojë, të përparojë, është që të gjithë ata që jetojnë në territorin e Kosovës të punojnë së bashku. Do të marrë kohë deri sa të kuptohet kjo. Por, që Kosova të ketë sukses në të ardhmen, kjo vërtet duhet të ndodhë. Nëse nuk ndodh, nuk do të ketë të ardhme", thotë Anthony Welch. Analistë të ndryshëm e shohin zhvillimin ekonomik si një nga mundësitë e integrimit të ndërsjellë të serbëve dhe shqiptarëve. Në një raport të Paralajmërimit të Hershëm, të publikuar së voni nga UNDP-ja, thuhet se 79 për qind e serbëve të anketuar do të dëshironin të punonin së bashku me shqiptarët, ndërkaq janë 43 për qind e shqiptarëve që do të pranonin të njëjtën. "Sa herë që pyeten të gjitha grupet etnike në Kosovë, si shqiptarët ashtu edhe serbët, radhisin papunësinë dhe varfërinë si problemet më të mëdha, e jo çështjet politike", thotë shefi i UNDP-së në Kosovë, Frode Mauring. Çagllavicasi Bajram Krasniqi nuk e ka ndërmend të presë zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe politike të Kosovës, por ai do t'i kontribuojë tolerancës ndëretnike, duke vazhduar miqësinë me fqinjët e tij serbë. Por, Borivoje Deniq kërkon më shumë kohë që të krijojë besimin, se mund të jetojë në tolerancë.
XS
SM
MD
LG