Ndërlidhjet

SURROI: ÇDO NEGOCIM PËR PAKON E AHTISAARIT E BËN ATË TË PAZBATUESHME


Zijadin Gashi

Çdo negocim i sërishëm për pakon e Ahtisaarit nënkupton një proces të ri negociator, ka pohuar sot anëtari i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi. Prandaj, ai tha se kjo pako është e panegociueshme për palën kosovare. Surroi tha se kishte zhvilluar sot një takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stephan Lehne, të cilit i kishte deklaruar se Kosova e as perëndimi nuk mund të jenë peng as i një pushteti apo një shteti, kushdo qoftë ai, në Këshillin e Sigurimit, duke aluduar këtu në Rusinë. Kosova, tha Surroi, ka nevojë për qartësi, afatizim të datës së pavarësisë së saj dhe jo për një proces të pafund të negociatave. “Na duhet një proces i qartë, i identifikueshëm, i matshëm dhe me datë. Kosova nuk mund të shkojë prej një muaji në muajin tjetër, e t`i thuhet ‘hajt se shohim se çka po ndodh në këtë takim, hajt se shohim se çka po ndodh me këtë draft të rezolutës’. Na nevojitet një proces i matshëm, një proces që ka datë, një proces, i cili ka një bosht të vetin kurrizor të ecjes”, ka deklaruar Surroi. Sa i përket pakos së Ahtisaarit, ai tha se ajo, në momentin që hapet për negociata, bëhet e pazbatueshme në Kosovë, qoftë edhe me ndryshimin më të vogël. Surroi tha se nuk ka dëgjuar, që dikush t’i ketë propozuar Prishtinës që të fillohet një proces i ri negociues, që do të zhvillohej në Bruksel. Por, çdo proces negociues, shtoi ai, do të nënkuptonte fillimin e procesit negociator dhe jo vazhdimin e tij. “Unë për vete nuk kam dëgjuar për ftesë. Paketa e Ahtisaarit është e vulosur, e dorëzuar te Sekretari i Përgjithshëm dhe si e tillë është propozim i Sekretarit të Përgjithshëm. Dhe, si të tillë, ne e kemi pranuar në Kuvendin e Kosovës, me kusht që ajo të jetë pjesë e një rezolute. Kjo paketë për ne është e panegociushme. Nëse mendohet se do të negociohet për atë, atëherë asnjëra prej atyre çështjeve, të cilat ne i kemi ndërtuar si koncesione, nuk vlejnë”, ka thënë Surroi. Kryetari i Partisë Reformiste Ora, njëherësh anëtar i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, tha në vazhdim se Prishtina e Beogradi mund të bisedojnë për çështje të tjera, marrë si shembull, çështjen e të zhdukurve të luftës, apo kthimin e refugjatëve, por nuk mund të bisedojnë për pavarësinë e Kosovës dhe pakon e Ahtisaarit, si një dokument që ka marrë mbështetjen e Kosovës dhe institucioneve të saj, si edhe instancave më të larta ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG