Ndërlidhjet

SHTYRJA E STATUSIT RREZIKON TË NXJERRË GJENDJEN JASHTË KONTROLLI


Zijadin Gashi

E ardhmja e Kosovës dhe shtyrja e statusit për 120 ditë, e vënë nën pikëpyetje, ishte temë e një debati të zhvilluar sot, në Press Qendrën e hapur në Çagllavicë, enklavë kjo e banuar me shumicë serbe. Në debat kanë marrë pjesë shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi dhe anëtari i Listës Serbe, Rangjel Nojkiq. Shefi i UNMIK-ut tha se ende asgjë nuk është vendosur dhe nuk është definitive lidhur me shtyrjen e vendimit për statusin. Pasi përshkroi rrjedhën e procesit, Ruecker tha se ka disa zvarritje, por, sipas tij, ende mund të besohet se Këshilli i Sigurimit do të miratojë rezolutën e re për Kosovën. Në të kundërtën, Ruecker tha se gjendja në planin e sigurisë mund të keqësohet. “Mendoj se ka rrezik, që ne mund të ndodhemi para një procesi që del jashtë kontrolli dhe i cili do të jetë vështirë i kontrollueshëm, nëse do të ketë zvarritje”, është shprehur Ruecker, duke shtuar se këtë qëndrim do t’ia paraqesë Këshillit të Sigurimit, të hënën, në sesionin e rregullt për Kosovën. Ruecker tha se ai beson që plani i Ahtisaarit është zgjidhja më e mirë dhe ky plan u ofron edhe serbëve zgjidhjet më të mira, u ofron atyre një vetëqeverisje në nivelin komunal dhe u ofron prosperitet e siguri. Në anën tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se procesi i statusit ka humbur pak a shumë dinamikën e parashikuar. Sa më shumë që të shtyhet statusi, dilemat rriten, tha Kuçi, duke shtuar se 120 ditë nuk janë shumë, por ky status tha ai po shtyhet që tetë vjet. Ai tha se politika kosovare insiston në zgjidhjen që ofron pavarësi për Kosovën, që ofron garanca për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe qëndrueshmërinë e institucioneve. Sidoqoftë, Kuçi tha se Prishtina nuk mund të presë deri në pakufi Këshillin e Sigurimit. “Kosova nuk mund të presë në pakufi statusin e saj final, por në asnjë rast nuk besoj që veprimet e Kosovës do të jenë të pakoordinuara me ata që duhet të koordinohen. Në radhë të parë e kam mendjen te SHBA-të dhe BE-ja. Por, me shumë dëshirë do t’i koordinonim aktivitetet edhe me Rusinë edhe me ata që kanë dilema për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, ka thënë Kuçi. Ndërkaq, Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe, tha se statusi i Kosovës është një çështje që ka filluar shumë më herët, sesa procesi i drejtuar nga Ahtisaari. Ai tha se e mbështeste një zgjidhje kompromisi, që do të pranohej nga të gjitha palët. Nojkiq tha se nuk pajtohej me Kuçin, që zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia e saj. “Unë e kuptoj zotin Kuçi, i cili paraqet qëndrimin e tij politik dhe të elitës politike shqiptare, se pavarësia është zgjidhja e vetme. Por, unë e njoh edhe qëndrimin e serbëve, se kjo zgjidhje duhet të kërkohet në autonominë e Kosovës si pjesë e Serbisë”, ka thënë Nojkiq. Kthimi i Kosovës në Serbi, sipas tij, mund të arsyetohet me faktin që Millosheviqi nuk është më në pushtet dhe se Serbia tash po demokratizohet. Në një konstatim të tillë ka reaguar Hajredin Kuçi, i cili tha se shqiptarët e Kosovës, edhe nëse një engjëll do të ishte kryetar i Serbisë, nuk do të pranojnë që Kosova të kthehet nën Serbi. “Përgjegjësia kolektive nuk është çështje për kohën moderne, por mendoj se Serbia dhe populli serb duhet ta ndjejnë vetën keq për atë që ua kanë bërë të tjerëve, tragjeditë, dhunën deri në gjenocid. Dhe, në këtë drejtim, mendoj edhe në raport me shqiptarët. Çështja e pavarësimit të Kosovës nuk lidhet me regjimet në Serbi, se a është Pashiqi, Rankoviqi a Millosheviqi. Është jonjerëzore dhe imorale t’i thuhet një populli ‘kthehu prapë dhe ju premtojmë se nuk do të ndodhë xhelati i njëjtë, e nëse përsëritet do t’ju ndihmojmë prapë’. Kosova nuk është e gatshme të paguajë asnjë çmim më, që të kthehet nën regjime të tilla. Rruga e Kosovës është e ndarë dhe regjimet në Serbi janë të ndara. Me regjimet në Serbi le të merret populli i Serbisë, me regjimet në Kosovë merret populli i Kosovës”, ka theksuar Kuçi. Gjatë debatit, në interesimet e gazetarëve për vazhdimin e mundshëm të negociatave, Joachim Ruecker tha se nëse Këshilli i Sigurimit kërkon që Prishtina dhe Beogradi të ulen e të bisedojnë sërish, atëherë kjo duhet të ndodhë. Por, Ruecker rikujtoi po ashtu se populli i Kosovës me të drejtë kërkon qartësim të statusit, pasi që nuk mund të vazhdohet me një proces të tillë të paqartë.

XS
SM
MD
LG