Ndërlidhjet

DILEMA PËR ZGJEDHJET REFLEKTOHET EDHE TE QYTETARËT


Bekim Bislimi

Procesi i definimit të statusit politik të Kosovës dhe zgjedhjet e lira të të dy niveleve në Kosovë nuk duhet të ndërlidhen, por, megjithatë, këto dy çështje mund të ndikojnë në njëra-tjetrën, thonë disa qytetarë të Prishtinës. Ata shprehin mendime të ndryshme se a duhet të mbahen zgjedhjet ose jo, duke pasur parasysh faktin se zgjedhjet lokale, të cilat është dashur të mbahen vitin e kaluar, janë shtyrë, ndërkaq që mandati i të zgjedhurve të tanishëm në nivelin nacional kalon në muajin nëntor. Sabedin Shaljani thotë se klasa politike nuk do të hapë rrugë që të mbahen zgjedhjet e lira para definimit të statusit të Kosovë. “Në qoftë se zgjidhjet bëhen tash, atëherë me siguri se do të ndryshojë diçka. Zgjedhjet duhet të mbahen patjetër, sepse kjo gjendje kaotike nuk mund të vazhdojë. Kaotike në gjithçka, në ekonomi, në politikë, kudo që të shikosh është gjendje kaotike në Kosovë. Statusi i Kosovës nuk është në duar të politikanëve tanë, por në duart e Evropës dhe Amerikës”, shpreh mendimin zoti Shaljani. Lidhur me mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të lira para definimit të statusit politik të Kosovës, ngjashëm thotë edhe Aziz Berisha. “Duke pasur parasysh menaxhimin e dobët të kësaj Qeverie, mendoj se është e domosdoshme mbajtja e zgjedhjeve, pavarësisht se jemi në kulmin e vendosjeve për çështjen e statusit final të Kosovës. Ndërrimet janë të domosdoshme. Mundësisht, ndërrime të qeta, ashtu siç i kemi pasur edhe në zgjedhjet paraprake, që kanë qenë të qeta. Edhe te opinioni ndërkombëtar, edhe te faktorët ndërkombëtarë do të kenë një legjitimitet më të madh”, thotë zoti Berisha. Por, ndryshe shpreh mendimin Abdullah Bytyqi. “Fakti se u skadon afati dhe u del legjitimiteti këtyre liderëve, që e udhëheqin sot Kosovën, zgjedhjet duhet të mbahen. Por, situata duket mjaft e komplikuar, duke marrë parasysh faktin se energjitë tona kryesisht janë përqendruar tek statusi. Në fakt, ne nuk e dimë statusin dhe nuk e dimë se kur do të ndodhë. Mendimi im është se duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet, që, së pari, ta rregullojmë statusin dhe pastaj, menjëherë, sigurisht brenda një periudhe shumë të shkurtër, t’i mbajmë zgjedhjet”, shprehet zoti Bytyqi. Shaip Gashi thotë se çështja e definimit të statusit të Kosovës dhe zgjedhjet e lira janë dy çështje të ndara dhe si të tilla duhet trajtuar. “Ka influencë lidhshmëria mes mbajtjes së zgjedhjeve dhe statusit të Kosovës. Mirëpo, unë i kuptoj si dy çështje të ndara. Kur them kështu, mendoj se zgjedhjet duhet të mbahen patjetër, pasi që në Kosovë ka kaluar një kohë e gjatë që nuk ka pasur zgjedhje. Do të thotë se ato nuk janë mbajtur sipas orarit të paraparë. Zgjedhjet, mendoj se duhet të mbahen patjetër, në mënyrë që populli i Kosovës të vendosë për ndonjë ndryshim, që të gjithë e presim ose mendojmë se duhet të ndodhë”, thotë zoti Gashi. Ndërkaq, Zeqë Shehu shpreh mendimin se klasa politike në Kosovë nuk mund të ndikojë në çështjen e definimit të statusit të Kosovës dhe se kjo është çështje që do të vendoset nga politika ndërkombëtare. Por, siç thotë ai, mbajtja ose jo e zgjedhjeve të lira në Kosovë para definimit të këtij statusi, përmban rreziqe në dy aspekte. “Unë, si qytetar, mendoj se nuk është koha tash të mbahen zgjedhje. Kemi punë më të rëndësishme dhe frikohem se do të krijohej një tensionim më i madh se që është tash. Politikisht nuk do të ishte mirë. Por, si jurist, mendoj se është e domosdoshme të mbahen, sepse pa zgjedhje të lira, këto organe të qeverisjes së përkohshme nuk do të kishin më tutje legjitimitet”, tha zoti Shehu.
XS
SM
MD
LG