Ndërlidhjet

MINISTRI BRANISLAV GËRBIQ FORMON PARTI TË RE SERBE


Albana Isufi

Subjekti më i ri politik serb, Demokracia e Re, që sot është certifikuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, deklaron se do të veprojë në përputhje me politikat e Qeverisë së Kosovës si dhe ato të komunitetit ndërkombëtar. Kryetari i Këshillit Iniciues i subjektit politik Demokracia e Re, ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve, Branislav Gërbiq, thotë se ky subjekt politik, ndryshe nga partitë tjera serbe, do të jetë realist dhe do të pranojë realitetin e krijuar në Kosovë. Gërbiq thotë se qëndrimi i subjektit të ri politik rreth statusit final do të jetë në përputhje me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. “Ne do ta ndërtojmë këtë qëndrim, shpresoj në përputhje me politikën e Qeverisë së Kosovës, por edhe në përputhje me politikën e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Gërbiq, duke shtuar se secila parti politike duhet të jetë e gatshme për të pranuar opsionet e ndryshme për statusin e Kosovës. Ministri Gërbiq ka premtuar se subjekti i ri politik do të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Demokracia e Re është një opsion i ri politik, që do të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke pasur për bazë parimet demokratike në përputhje me politikën e bashkësisë ndërkombëtare dhe interesat e bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e statusit. Në këtë aspekt konsiderojmë se kjo parti do të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, do të angazhohet për çështjet e minoriteteve, për çështjet sociale e ekonomike”, ka thënë Gërbiq. Demokracia e Re është ndër partitë e rralla politike serbe, e formuar në Kosovë dhe e certifikuar nga OSBE-ja. Kjo parti synon integrimin në institucionet e Kosovës, ndryshe nga subjektet tjera politike serbe. Në skenën politike serbe është Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e kaluara dhe ka 8 vende të rezervuara në Kuvend, por vazhdon t’i bojkotojë ato. Ndërkaq, dy vende në Kuvend i ka edhe Partia Demokratike e Serbisë, e drejtuar nga ish-ministri i Kthimit, Sllavisha Petkoviq. Në Kosovë veprojnë degë të partive politike të Serbisë. Subjekti më i ri politik serb në Kosovë, Demokracia e Re, ka selinë qendrore në Prishtinë, ndryshe nga partitë tjera politike serbe që selitë e tyre i kanë nëpër vendbanimet e banuara me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG