Ndërlidhjet

DEPUTETËT KONSIDEROJNË SE BISEDIMET SHTESË JANË HUMBJE KOHE


Albana Isufi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mendojnë se të gjitha mundësitë për të arritur ndonjë zgjidhje përmes negociatave shtesë, mes Prishtinës dhe Beogradit, janë shtjerrë. Rrjedhimisht, periudha prej 120 ditësh e negociatave, e paraparë me projekt-rezolutën e fundit që pritet të paraqitet në Këshillin e Sigurimit, sipas tyre, mund të quhet vetëm humbje kohe. Deputeti nga radhët e partisë në pushtet, LDK-së, Behxhet Brajshori, thotë se negociatat e deritashme nuk kanë sjellë asnjë rezultat, kështu që, sipas tij, nuk mund të pritet asgjë as nga bisedimet e reja. ”Ne kërkojmë një partneritet të madh me bashkësinë ndërkombëtare, e cila duhet të kuptojë kërkesat tona reale. Kosova ka bërë punën e vet. Ndoshta ka shkuar edhe më larg, sesa kanë pasur mandat institucionet, në kuptimin e negociatave. Ne kemi bërë mjaft në këtë drejtim dhe Kosova e ka treguar gatishmërinë e vet që të ndërtojë institucionet, të respektojë të drejtat e njeriut, të drejtat tjera, me qëllim që përfundimisht të vijë deri te përfundimi i statusit politik të vendit. Çdo shtyrje i ka efektet e veta negative në çdo aspekt”, tha Brajshori. Ndërkaq, deputeti i opozitës, Nazim Jashari, thotë se Partia Reformiste Ora, parimisht nuk është kundër bisedimeve. Por, Jashari thotë se duke pasur parasysh se bisedimet e tashme kërkohen pas një palë negociatave që përfunduan pa sukses, atëherë duhet ditur se për çka në të vërtetë po bisedohet. “Mendoj se nuk ka shumë dilema rreth procesit të ri negociator. Nëse ka ide, të cilat nuk e prekin pakon e Ahtisaarit, sigurisht se do të ulemi e të bisedojmë. Por, nëse ka ide, të cilat e prekin pakon e Ahtisaarit, mendoj se bisedimet është vështirë të pranohen”, ka thënë Jashari. Në anën tjetër, Ardian Gjini, që ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në bisedimet në Vjenë, thotë se për statusin e Kosovës nuk ka çka të bisedohet me Serbinë. Ndërkaq, bisedimet për pakicat, sipas ministrit Gjini, janë përmbyllur me planin e Ahtisaarit. “Sidoqoftë, nëse një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit dhe nëse partnerët tanë do të kërkojnë prej nesh që të tentohet edhe një herë të bisedohet, mendoj se Grupi i Unitetit do të vendosë që t’i ndjekim parimet, që do të vendosen nga partnerët tanë. Mendimi im personal është se pak ose asgjë mund të arrihet nga këto negociata”, u shpreh Gjini. Ai mendon se propozimi për 120 ditë shtesë bisedime bëhet me qëllim që të blihet koha dhe t’i tregohet Bashkimit Evropian dhe vendeve që janë skeptike për pavarësinë e Kosovës, se çdo mundësi tashmë është shtjerrë. Ndryshe, Gjini mendon se sido që të rrjedhin gjërat, pakoja e Ahtisaarit, e cila u hartua pas negociatave mes Prishtinës e Beogradit, nuk do të hapet më. “Besoj se janë shterur të gjitha mundësitë për koncesione shtesë. Nuk besoj se do të hapet përsëri pakoja e presidentit Ahtisaari. Mendoj se është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme. Çdo hapje vetëm se do të shkaktonte probleme shtesë dhe nuk do të zgjidhte asgjë”, ka thënë Gjini. Kuvendi i Kosovës ka miratuar pakon e Ahtisaarit, e cila parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Por, katër projekt-rezoluta që kishin për bazë këtë pako, të sponsorizuara nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, nuk kanë mundur të miratohen në Këshillin e Sigurimit, për shkak të kundërshtimit të shtetit rus.
XS
SM
MD
LG