Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT PA UNITET RRETH CAKTIMIT TË DATËS PËR STATUSIN


Albana Isufi

Ekipi i Unitetit pritet që gjatë kësaj jave të formësojë një qëndrim unik rreth situatës së krijuar për zgjidhjen e statusit, mirëpo në të njëjtën kohë, anëtarët e këtij ekipi kanë shprehur qëndrime të kundërta lidhur me përcaktimin e një date, se deri kur duhet pritur zgjidhjen e statusit. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se tani e tutje nuk do të jepen më data. "Është shumë e qartë se ne data s'duhet të japim. Është me rëndësi që të bëjmë punën tonë sa më shpejt", është shprehur presidenti Sejdiu. Lideri i Ora-s, Veton Surroi, nuk pajtohet me këtë. "Është me rëndësi që të jepet data", theksoi Surroi. Kryeministri Agim Çeku mendon se afatizimi është i nevojshëm. "Edhe unë mendoj se duhet ta caktojmë datën", u shpreh Çeku. Por, në anën tjetër, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, është kundër caktimit të datave. "Caktimi i datave për atë ditë, këtë ditë, këtë javë, këtë muaj, nuk është i shëndetshëm për politikën kosovare dhe për partnerët tonë ndërkombëtarë", ka thënë Thaçi. Takimi i sotëm i Ekipit të Unitetit është i pari, pas letrës që anëtari i këtij ekipi, Veton Surroi, u ka dërguar anëtarëve tjerë të ekipit, ku ka kërkuar që së bashku të analizojnë situatën e krijuar pas shtyrjes së zgjidhjes së statusit. Presidenti Fatmir Sejdiu tha sot se gjatë kësaj jave do të formësohet një qëndrim unik për zhvillimet e fundit rreth statusit, në mënyrë që gjatë takimit me sekretaren amerikane të shtetit, Condolizza Rice, Ekipi i Unitetit të ketë ide të qarta për statusin. "Në këtë aspekt, ne do të shkojmë me një qëndrim të formësuar, që lidhet nga kjo analizë, plus që do ta bëjmë këto ditë në vijim. Dhe, po ashtu, ishin kërkesat e shtruara për një debat të mundshëm, që duhet të jetë në Kuvend, lidhur me statusin dhe vizionin tonë politik, që është i palëkundshëm", ka thënë presidenti Sejdiu. Ai ka pranuar sot, se shtyrja e statusit për katër apo gjashtë muaj nuk është më një temë tabu, por ai ka thënë se në takimin me sekretaren Rice, do të kërkohet përshpejtimi i procesit. Ndryshe, presidenti Sejdiu duke aluduar në kundërshtimin rus për zgjidhjen e statusit përmes rezolutave të OKB-së, ka thënë se Kosova nuk do të mbetet për një kohë të gjatë peng i këtij bllokimi. "Është me rëndësi që të kërkohen rrugët alternative, por një rrugë alternative që do të jetë në bashkëpunim me faktorët kryesorë që e kanë mbështetur Kosovën. Tjetër formulë nuk kemi. E rëndësishme është që t’i bëjmë hapat tonë dhe të jemi shumë të vetëdijshëm për atë që e bëjmë", tha presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku ka konfirmuar atë që edhe ditë më parë e kishte thënë, se mes rrugës së pamundur dhe asaj të vështirë, ai do të zgjidhte të vështirën, duke aluduar kështu në shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. "Ne ende jemi në pritje. Ju e dini se sot, në Këshillin e Sigurimit ka mundësi të votohet ose të hidhet në votim një rezolutë. Këtë javë është një javë, ku do të kemi një qëndrim të qartë. Takimi nuk shkoi edhe pa ide, por idetë duhet të studiohen, duhet të harmonizohen, duhet të konsultohen. Dhe, besoj se ne në Uashington do të shkojmë me ide të qarta, vizione të qarta, që ndoshta edhe mund të shpijnë kah rruga e vështirë", ka thënë kryeministri Çeku. Por, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka kritikuar idenë e veprimit të njëanshëm, pasi, sipas tij, nuk mund të bëhet pavarësia e Kosovës pa aprovimin e Uashingtonit dhe Brukselit. "Ata që kanë menduar se Kosova pavarësohet shpejt, janë mashtruar. Kjo nuk është punë për t’u lodhur dhe çdo ditë e re është energji e re për pavarësi. Ne duhet të mendojmë se ende do të mund të ishim në luftë me Serbinë, sikur të mos kishim mbështetjen e Uashingtonit dhe Brukselit. Dhe tash, kur e gjithë bota demokratike po e përkrah pavarësinë, ne nxitohemi përditë. Ju lutem, ne pretendojmë të ndërtojmë pavarësi të integruar në BE dhe në NATO, e jo shtet të izoluar", ka theksuar Thaçi. Ndryshe, lideri i ORA-s, Veton Surroi, e ka quajtur takimin e sotëm një fazë fillestare të debatit të brendshëm, si dhe ka kërkuar fuqizimin e mandatit të Ekipit të Unitetit nga ana e Kuvendit të Kosovës. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ndërkaq është shprehur i bindur, se Ekipi i Unitetit ka mandatin e Kuvendit dhe se është duke punuar në mënyrë transparente. Pavarësisht këtyre dallimeve, ka qenë një gjë për të cilën janë pajtuar anëtarët e Ekipit të Unitetit - ajo është se procesi i statusit të Kosovës është komplikuar më tepër, sesa që është menduar dhe se duhet ndërmarrë veprime të reja lidhur me zgjidhjen e tij.

XS
SM
MD
LG