Ndërlidhjet

UNMIK: VENDIMI PËR SHPALLJEN E ZGJEDHJEVE BRENDA DISA DITËVE


Albana Isufi

Pas vlerësimit të Ekipit të Unitetit se zgjedhjet parlamentare dhe lokale duhet të mbahen këtë vjeshtë, i mbetet shefit të UNMIK-ut që ta thotë fjalën e fundit për mbajtjen ose mosmbajtjen e tyre. Një vendim të tillë, sipas shefit për informim të UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, kryeadministratori Joachim Ruecker do ta marrë brenda disa ditëve. “Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm do ta marrë vendimin shumë shpejt. Ai e kupton plotësisht se procesi demokratik duhet të lejohet që të ecë përpara, pavarësisht diskutimeve për statusin. Ai do të konsultohet me Ekipin e Unitetit, para se të marrë vendimin. Pres që vendimi të merret brenda disa ditëve”, i tha Radios Evropa e Lirë, Aleksandër Ivanko. Ekipi i Unitetit ka vendosur që të respektojë afatet kushtetuese dhe të organizojë zgjedhjet, pavarësisht diskutimeve për statusin. Megjithatë, ata kanë kërkuar që zgjedhjet të mos jenë justifikim për shtyrje të mëtejme. Në anën tjetër, Komisioni Qendror Zgjedhor, që do të ketë rolin primar në organizimin e zgjedhjeve, druan se nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për të përgatitur organizimin e zgjedhjeve në vjeshtë. Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, thotë se përveç kohës së shkurtër, problem do të jetë edhe sigurimi i buxhetit. “Jemi të vetëdijshëm që për ne është sfidë, sepse do të kemi ‘cajtnot’ me kohën, do të kemi problem buxhetor. Por, shpresoj se, duke iu falënderuar angazhimit dhe mobilizimit të plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të OSBE-së, natyrisht bashkëpunimit me partitë politike, po ashtu me institucionet vendore e ndërkombëtare, do t’ia dalim me sukses, që ta kryejmë detyrën si duhet, në përputhje me ligjin, në mënyrë demokratike dhe të lirë; pra, do të kemi zgjedhje të tilla”, tha Baraliu. Megjithatë, zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholm, mendon se deri në vjeshtë ka mjaft kohë, nëse kjo kohë menaxhohet si duhet. “Gjithnjë ka mjaft kohë, kur bëhen planet e duhura. Ne po parashikojmë disa agjenda, ashtu që kur të merret vendimi nga kryeadministratori të jemi të gatshëm për të shkuar me zgjedhje”, pohoi Lindholm. Me pakon e Ahtisaarit parashihet që të miratohen katër ligje zgjedhore për zgjedhjet e të dy niveleve. Mazllum Baraliu mendon se, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ketë kohë për të pritur hartimin dhe miratimin e tyre, por do të shkohet me rishikimin e legjislacionit të vjetër. “Nëse në bazë të qëndrimit të Ekipit të Unitetit, përfaqësuesi special i mandaton zgjedhjet, bie vendim dhe i shpall, atëherë nuk jam shumë i sigurt se do të ketë mjaft kohë për t’i përpunuar, përgatitur ato ligje, atë pako legjislative zgjedhore. Por, këto ligje duhet të nxirren dhe nuk ka shumë kohë për atë punë. E nëse nuk nxirren ato ligje, atëherë ekziston një legjislacion që është në fuqi, në bazë të të cilit janë mbajtur katër palë zgjedhje, që nga viti 2000, në Kosovë. Dhe, ai legjislacion në ndërkohë, me një procedurë të shpejtë, mbase nga Zyra ligjore e Kombeve të Bashkuara në New York, do të azhurohet dhe do të kemi përsëri mundësi që në bazë të tyre të realizohen zgjedhje të suksesshme”, tha Baraliu. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë, do të votohet me sistem proporcional me lista të hapura. Ekipi i Unitetit është pajtuar që pragu zgjedhor të jetë 5 për qind, gjë që ka zgjuar reagim tek partitë e vogla. Zgjedhjet lokale është dashur të mbahen vitin e kaluar, por për shkak të procesit të statusit, shefi i UNMIK-ut kishte shtyrë zgjedhjet për 3 deri në 6 muaj pas zgjidhjes së statusit, si dhe kishte zgjatur mandatin e pushtetit lokal. Ndërkaq, zgjedhjet e përgjithshme, sipas afatit të tyre kushtetues, duhet të mbahen këtë vjeshtë.
XS
SM
MD
LG