Ndërlidhjet

logo-print

SA DO TË NDIKONIN ZGJEDHJET NË UNITETIN E EKIPIT TË UNITETIT?


Arton Konushevci

Analistët kosovarë kanë mendime të ndryshme, nëse zgjedhjet e paralajmëruara për nëntor të këtij viti do të kenë ndikim negativ në Grupin e Unitetit. Baton Haxhiu thotë se zgjedhjet nuk do të mund të ndikojnë aq shumë në raportet që kanë anëtarët e Grupit të Unitetit, meqë standardet e negocimit dhe mundësitë për te negociuar do të jenë të limituara. Sipas Haxhiut, Parlamenti i Kosovës është i vendosur, se nuk ka ndonjë mundësi tjetër veç asaj që është ofruar nga Martti Ahtisaari dhe synimeve për pavarësi. “Jo, për arsye se Ekipi i Unitetit i ka standardet e limituara për të negociuar. Parlamenti ka vendosur se nuk ka asnjë variant tjetër përveç pakos së Ahtisaarit dhe pavarësisë se Kosovës. Këtu nuk ka shumë punë për t’u bërë. Në fillim, negociatat do të jenë lëvizëse. Nëse ka risi kreative rreth pakos së Ahtisaarit, atëherë Grupi Negociues mund të sjellë ndonjë vendim të lehtë për po ose jo”, është shprehur Haxhiu. Ndërsa, ndryshe mendon analisti tjetër, Behlul Beqaj, sipas të cilit, zgjedhjet do të ndikojnë negativisht në punën e Grupit të Unitetit, sepse anëtarët e tij më shumë do të merren me atë se si do të mbesin në pushtet, e jo me çështjen e statusit. “Gjithsesi, unë mendoj se përfaqësuesit e Grupit të Unitetit janë ata, të cilët në zgjedhjet paraprake, që u shtynë për shkak se nuk ishte zgjidhur statusi i Kosovës, sot e kanë ndërruar mendimin, nga fakti se statusi politik i Kosovës dhe zgjedhjet janë dy çështje të ndara; nuk kanë qenë atëherë, para një viti dhe nuk janë as sot. Zgjedhjet gjithsesi do të ndikojnë në punën e Grupit të Unitetit, por do të ndikojnë negativisht dhe në punën e statusit politik të Kosovës, nga fakti se ata më tepër do të merren me mundësinë se si të krijohet shansi që të mbeten në pushtet apo si ta marrin pushtetin, sesa si të shtyhet më tutje çështja e statusit politik të Kosovës”, ka thënë Beqaj. Ndërkaq, analisti Haxhiu mendon se këto zgjedhje do të ndikojnë pozitivisht në punën e politikanëve, që të dalin, siç thotë ai, nga guaca e mbyllur, në të cilën janë. Megjithatë, zoti Haxhiu thotë se mbajtja e zgjedhjeve do të ketë një ndikim të mirë edhe tek qytetarët, për t’u njohur nga afër me ecurinë e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Është mirë që këto zgjedhje do të mbahen për t’ia sqaruar edhe popullit, se si ka ndodhur ky proces negociues. Madje, është mirë se këto zgjedhje mbahen për të dalë njerëzit nga zyrat e tyre, për të komunikuar me popullin për të vërtetën që ka ndodhur në negociata”, tha Haxhiu. Ndryshe, vendimi për mbajtjen ose mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme pritet të merret në fillim të shtatorit nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker. Deri më tash, autoritetet vendore kanë pohuar se do t’i japin përparësi prioriteteve në agjendën e tyre dhe se vendimi për zgjedhjet do të bazohet pikërisht në këto prioritete.
XS
SM
MD
LG