Ndërlidhjet

HASANI:“PËRPLASJET PËR KOSOVËN – PËRPLASJE MIDIS LINDJES DHE PERËNDIMIT”


Ismail HASANI, ligjërues në Universitetin e Prishtinës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, Grupi i Kontaktit do të takohet pasnesër, në Londër, pas të cilit takim pritet që edhe treshja negociuese ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë. Çfarë prisni ju nga këto takime dhe, në fakt, si i shihni zhvillimet prej zhvendosjes së procesit të statusit nga Këshilli i Sigurimit te Grupi i Kontaktit?

ISMAIL HASANI
Para së gjithash, unë e konsideroj si një detyrë që i është imponuar Grupit të Kontaktit. Duke marrë parasysh angazhimet e deritashme të gati të gjitha shteteve të Grupit të Kontaktit veç e veç, ato nuk e pranojnë me dashamirësi këtë detyrë, e cila nuk arriti të realizohej si agjendë në Këshillin e Sigurimit. Dhe, vetë fakti që Grupi i Kontaktit ka takimin dhe ka autorizuar zotin Wisner, zotin Ischinger dhe zotin Harchenko, që të përbëjnë treshen negociuese midis Kosovës dhe Serbisë, do të thotë lindje e një strategjie të re, më impulsive, strategji që është konform rrethanave të reja shumë dramatike, që janë krijuar pas dështimit të propozimit të pakos së Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, që rezultoi me refuzimin e heshtur të Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të vërtetë, si e shikoni ju trekëndëshin SHBA-BE-Rusi dhe sa mund të jenë ata unikë në marrjen e vendimeve për Kosovën?

ISMAIL HASANI
Mendoj se, nga përbërja paraprake, zoti Wisner është i njohur me qëndrimet e tij pro pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës, zoti Ischinger është një diplomat i karrierës gjermane, ndërkaq zoti Harchenko është një ekspert i Ballkanit; ai mund të dalë me të papritura, siç doli edhe politika dhe diplomacia ruse. Kështu që unë parashoh, ditëve që vijnë, në këtë 120-ditëshin, një dinamikë të përshpejtuar, mbase edhe propozime, të cilat radikalizojnë situatën në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë nënkuptoni me këto propozime, zoti Hasani?

ISMAIL HASANI
Para së gjithash, meqë është zhvendosur topi prej Këshillit të Sigurimit, kjo nënkupton që të gjitha opsionet e mundshme do të hedhen në tavolinë dhe përfundimisht lidershipi kosovar duhet të ndërgjegjësohet. Janë të mundshme të gjitha opsionet, të gjitha lëvizjet e mundshme jo vetëm diplomatike, por edhe praktike, utilitare, që në këto situata mund të ndodhin lëvizje që ndryshojnë rrjedhën normale që kishim dhe punën më shumë me diplomaci, të cilës i përmbahej Zyra e Martti Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të bëjë lidershipi kosovar për t’i evituar këto propozime?

ISMAIL HASANI
Mendoj se Ekipi i Unitetit do të duhej të jetë në nivel të detyrës tani dhe të përgjojë se çka po ndodh në prag të mbledhjes së Grupit të Kontaktit, e sidomos në prag të arritjes së trojkës, që do të vijë si e emëruar prej Grupit të Kontaktit. Dhe, takimi i parë në Kosovë do të jetë shumë sinjifikant, do të japë pikat referuese, mbi të cilat do të ndërtohet, në të ardhmen, strategjia dhe diplomacia amerikane dhe evropiane për çështjen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
I dërguari amerikan për statusin, Frank Wisner, ka thënë se agjenda e bisedimeve do të caktohet mbi qëndrimet e palëve, ndërkohë që nga pikat bazë të Ekipit Negociator serb dhe ato që i ka paraqitur presidenti Sejdiu në Kuvendin e Kosovës, shihet që janë dallime të mëdha. Çfarë mendoni se mund të bisedohet?

ISMAIL HASANI
Treshja nuk do të merret me atë që thotë zoti Tadiq ose Koshtunica. Ata nuk janë aq injorantë, që pikënisje për këto negociata të marrin qëndrimin serb, sepse është histori e përfunduar, siç nuk do të merren edhe me deklarimet, nganjëherë nonshalante, të lidershipit kosovar mbi pamundësinë për negocim të statusit të Kosovës për pavarësi. Do të thotë, tanimë është një situatë, në të cilën mund të lindin kualitete të reja. E them këtë duke menduar në lëvizjet, në turbulencat e fundit që kanë ndodhur, pas refuzimit të heshtur që Rusia bëri në Këshillin e Sigurimit. Tanimë loja ka rregulla tjera, në kontekstin e zhvendosjes jo vetëm faktike të çështjes së Kosovës nga Këshilli i Sigurimit, por në zhvendosjen e strategjisë komplet të çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit. Dhe, në këtë kontekst, unë parashoh të gjitha opsionet e mundshme. Vetëm kthimi i Kosovës nën juridiksionin serb nuk do të ndodhë; opsionet tjera janë të gjitha të mundshme, në këtë kontekst dhe në këtë realitet që është krijuar aktualisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Po flisni për opsione të ndryshme, ndërkohë që gjatë kësaj kohe janë përmendur ide nga më të ndryshmet, të cilat mund të shtrohen në bisedime, siç ka qenë edhe konfederata me Serbinë apo edhe ndarja e Kosovës. A hyjnë edhe këto në opsionet që po i përmendni?

ISMAIL HASANI
Ne pamë se sa janë konfederatat praktike, konfederata e ashtuquajtur ndërlidhje që kishte Serbia me Malin e Zi. Ajo dështoi, sepse tash është konteksti komplet tjetër i rrethanave. Por, opsionet tjera janë të mundshme, njerëzit vazhdimisht kanë folur për këto opsione. Dhe, lidershipi kosovar duhet të jetë i ndërgjegjësuar tani, të pushojë të dëgjojë këngën që tingëllon ‘jo, nuk ndahet Mitrovica’, por të merret praktikisht me problemet që janë para derës së shtëpisë, do me thënë, opsionet e ndryshme, të cilat faktori ndërkombëtar seriozisht po i shqyrton.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni të ndodhë në fund të kësaj periudhe 120 ditëshe?

ISMAIL HASANI
Jam shumë ambivalent në atë se do të respektohet 120-ditëshi, për shkak se do të ketë dinamikë tjetër. Do të thotë, do të lindin probleme tjera në rrafshin e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare, sepse përplasja me Kosovën është përplasje edhe politike, edhe diplomatike, edhe strategjike, midis lindjes dhe perëndimit, sidomos pas përfundimit të luftës së ftoftë. Do me thënë, është një tendencë e rikthimit të recidivave të konfrontimeve të heshtura midis lindjes dhe perëndimit - pretekst po merret Kosova. Prandaj, unë nuk jam shumë optimist se 120-ditëshi do të jetë dita e fundit, ku ditën e 121-të, ne do të përgatitemi për të festuar pavarësinë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG