Ndërlidhjet

MITROVICË: SERBËT KUNDËR NDARJES


Bekim Bislimi

Ideja për ndarjen e Kosovës nuk është qëllim shtetëror e as nacional i Beogradit. Kështu thotë Marko Jakshiq, anëtar i Grupit Negociator serb në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për definimin e statusit politik të Kosovës. Ai thekson se kjo ide do të përmbyste adutin kryesor të Serbisë në bisedime dhe, siç pohon ai, aduti i tillë quhet e drejta ndërkombëtare, në bazë të së cilës, sipas tij, Kosova është pjesë e Serbisë. “Në bazë të të gjitha kartave të mundshme ndërkombëtare dhe dokumenteve që janë sjellë kohën e fundit, flitet qartë dhe zëshëm se është territori ynë. Dhe, shtrohet pyetja, pse ne do ta ndanim territorin tonë?“, u shpreh Jakshiq. Ai shtoi se Beogradi është në gjendje që shqiptarëve të Kosovës t’u ofrojë vetëm autonomi esenciale, por në kuadër të Serbisë. “Secesioni, ndarja dhe marrja e territorit të Serbisë kurrsesi nuk janë në frymë të interesave të Beogradit. Të gjitha idetë tjera rreth ndarjeve, ndërrimit të territoreve, si veriu i Kosovës për jugun e Serbisë, janë jashtë interesave shtetërore dhe nacionale të Beogradit”, ka thënë Jakshiq. Ndërkaq, Oliver Ivanoviq, bartës i Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë, nuk përjashton mundësinë që në fazën përfundimtare të bisedimeve për statusin politik të Kosovës, të parashtrohet ideja për ndarjen e Kosovës. Por, siç pohon ai, kjo ndarje është e rrezikshme, sepse, sipas tij, kjo do të thotë se rreth 60 për qind e popullatës serbe në Kosovë do të mbeste në anën jugore të Ibrit dhe gjithë ajo që ka domethënie për historinë dhe kulturën serbe do të mbetej në pjesën e Kosovës së pavarur. “Në rast të tillë, të gjitha potencialet ekonomike janë përtej lumit Ibër, në anën jugore dhe kjo do të sillte deri te libanizimi i Mitrovicës, që nënkupton rrezikun e përleshjeve të armatosura në vijën e ndarjes”, ka theksuar Ivanoviq. Ai shtoi se kjo, për një kohë të gjatë, do ta destabilizonte regjionin, sepse me të njëjtën recetë do të kishte përpjekje që të zgjidhen çështjet edhe në Maqedoninë perëndimore, në Republikën Serbe dhe, siç pohoi ai, nuk përjashtohet mundësia që ngjashëm të ngjajë edhe në Mal të Zi. Kundër ndarjes së Kosovës shprehen edhe disa qytetarë serbë të Mitrovicës. Jelena Trifunoviq thotë se është e pamundur ndarja, sepse duhet të mendohet edhe për serbët që jetojnë në pjesët tjera të Kosovës. “Vetëm në Brezovicë jetojnë rreth 20 mijë serbë. Pastaj, ku mbeten ata në Priluzhë, Çagllavicë, Llaplesellë dhe vende të tjera? Nuk e kuptoj se si do të jetonin ata njerëz, sikur të humbnin lidhjen direkte me Serbinë”, u shpreh Trifunoviq. Ndërkaq, Srgjan Vasiq tha se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhja më e tmerrshme, sepse, sipas tij, të gjitha resurset ekonomike të shtetit serb gjenden në Kosovë, si dhe manastiret. “Në asnjë mënyrë nuk jam për ndarjen e Kosovës. Kjo është zgjidhja më e tmerrshme. Do të kisha hequr dorë edhe nga kjo qeveri, edhe nga ky pushtet, edhe nga ky shtet dhe nga ky popull, sikur të pranonin diçka të tillë”, ka thënë Vasiq.


XS
SM
MD
LG