Ndërlidhjet

MUSTAFA:”PROBLEMI ELEMENTAR – FILOZOFIA E MENAXHIMIT TË QEVERISJES”


Muhamet MUSTAFA, kryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST“

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, përmirësimi i gjendjes ekonomike në Kosovë vazhdon të jetë një prej sfidave më të rënda. Si e shihni ju këtë çështje?

MUHAMET MUSTAFA
Ju keni të drejtë sepse rritja ekonomike e cila vlerësohet se në këtë vit është rritë prej 3 për qind, nuk është e mjaftueshme për të përballuar nevojat për rritjen e punësimit dhe hapjen e perspektivave për përmirësimin e infrastrukturës në Kosovë, e cila ka ngecur në zhvillimin e saj po thuaj në 15 vitet e fundit. Ne nuk kemi një investim serioz në zgjerimin e rrugëve magjistrale, hekurudhat e dimë se në çfarë gjendje janë, sistemi i shëndetësisë, arsimit dhe shumë çështje tjera që ngecin mbrapa në zhvillim kërkojnë investime. Ky nivel i tashëm i buxhetit që kemi dhe më këtë nivel të rritjes ekonomike nuk mundësojnë adresimin e këtyre problemeve. Prandaj përmirësimi i çështjes ekonomike është një çështje kyçe. Kjo ka të bëjë më politikat afat-shkurtra dhe politikat afat-gjata. Kur është fjala tek politikat afat-shkurtra, mendoj se duhet një redizajnim i shpejtë i politikave të taksave. Duhet të shikohet se çka ka mundësi që sistemi i tatimeve dhe taksave të bëhet më miqësor për bizneset, në mënyrë që ata të mos jenë në gjendje që në kufi, pa filluar aktivitetet ekonomike, të paguajnë taksa për inputet për prodhimin e tyre, apo mos të paguajnë taksa dhe TVSH për pajisjet që blejnë, konkurrencë në tregun kreditor, një ofertë më e mirë kreditore që kreditë të jenë më të volitshme për investime. Ndryshe sistemi kreditor nuk është i dizajnuar që t’i shërbejë investitorëve që të përballojnë nevojat afat-shkurtra për kapitalin e punës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjidhja e statusit të Kosovës, shpeshherë është cilësuar edhe si zgjidhje e vetme e cila do të krijojë mundësi të shumta për rimëkëmbjen e ekonomisë. Por, në anën tjetër gjithashtu thuhet se statusi i zgjidhur nuk është shkop magjik që mund t’i zgjidhë problemet ekonomike. Ju çfarë mendoni?

MUHAMET MUSTAFA
Do të pajtohesha më këtë, faktikisht nevojiten që të dyjat. Nuk mund të thuhet se vetëm më zgjidhjen e statusit në mënyrë automatike do të tejkalohen shpërpjesëtimet e shumta në zhvillim, ngecjet në zhvillimin e infrastrukturës, për të cilat folëm më parë. Mirëpo, problemi i vonesës së statusit krijon një pasiguri të madhe tek investitorët edhe të vendit edhe të jashtëm. Shprehet negativisht në cilësinë e qeverisjes, dhe në përgjegjësinë e njerëzve për të qeverisur vendin. Gjithashtu e pengon Kosovën që në mënyrë normale të krijojë marrëdhënie tregtare financiare dhe format tjera të bashkëpunimit ekonomik më vendet e tjera. Prandaj nuk mund të shkohet shumë më shpejtë pa zgjidhjen e statusit. Po nga ana tjetër edhe pas zgjidhjes së statusit nëse nuk përmirësohen politikat ekonomike për të cilat folën më lartë, dhe nëse përmirësohet qeverisja dhe përgjegjësia e atyre që menaxhojnë më taksat dhe buxhetin e Kosovës, nuk mund të krijohet një mjedis i mirë për investitorët dhe zhvillimin ekonomik. Prandaj duhet të punohet në të dy drejtimet dhe në atë të punohet shpejtë dhe më përgjegjësi..

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, si mendoni se do të ndikojë shtyrja e mëtutjeshme e zgjidhjes së statusit në aspektin ekonomik?

MUHAMET MUSTAFA
Ndikon keq. Ne dimë se status-quoja prej vitit 2002 ka prodhuar një ngecje të përgjithshme në zhvillimin ekonomik. Dhe çdo shtyrje vetëm sa përkeqëson situatën, pra ndikon negativisht. Por, ne këtë shtyrje duhet të përballojmë më një qetësi, më prezantim të argumenteve, që të mos ndodh ndonjë shtyrje tjetër, pas kësaj shtyrje. Dhe e dyta ne duhet të përgatitemi më politikat ekonomike më strategjinë e zhvillimit, me organizimin tonë më të mirë, besoj se edhe mbajtja e zgjidhjeve do të ketë një efekt pozitiv, në rifreskimin e strukturave qeverisëse të Kosovës. Dhe të punojmë edhe para statusit dhe pas statusit. Kjo është çështje kryesore që të punojmë dhe të punojmë me përgjegjësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat fusha ndikon më tepër shtyrja e mëtutjeshme e zgjidhjes së statusit?

MUHAMET MUSTAFA
Ndikon në investime, ndikon në eksportet e Kosovës, ndikon në marrëdhëniet tregtare të Kosovës, ndikon në konservimin e gjendjes e cila po prodhon frustrim, po prodhon probleme. Por, mendoj se ne, klasa politike dhe subjektet tjera në Kosovë duhet të menaxhojnë edhe këtë shtyrje, këto 120 ditë. Dhe të jenë të gatshëm që pas kësaj periudhe, fatin e vendit të marrin në duart e tyre, kuptohet në bashkëpunim edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe kur statusi të jetë zgjidhur, a mendoni se Kosova ka terren të përgatitur dhe kapacitetet të mjaftueshme për të përmirësuar gjendjen aktuale ekonomike?

MUHAMET MUSTAFA
Do të nevojitet edhe më tutje asistenca teknike dhe financiare. Por, natyra e asistencës teknike dhe financiare duhet të ndryshojë, prej një asistence ndërkombëtare e cila në Kosovë ka qenë më tepër e fokusuar që të administroi Kosovën. Ky involvim i bashkësisë ndërkombëtare duhet të ndryshoi dhe të transformohet në një involvim të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillim. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ne duhet të kemi një asistencë të ndjeshme për investim në infrastrukturë, do të thotë që të përmirësojmë rrugët, të përmirësojmë hekurudhat, të përmirësojmë infrastrukturën bazike dhe të përmirësohen kushtet dhe infrastruktura e arsimit. Prandaj, nevojiten investime në infrastrukturë, gjithashtu nevojiten investime në ngritjen e konkurrencës në sektorin e kredisë në Kosovë, në mënyrë që investitorët të kenë kushte më të volitshme. s, parlamenti duhet të jetë vendi ku duhet të japin llogari të gjithë, edhe kryeministri edhe ministrat. Kryeministrit duhet ti përgjigjen ministrat, ndikimi i partive politike dhe ndarja e fragmentimi i qeverisë dhe i sektorëve për ndikim brenda qeverisë mbi baza partiake nuk prodhon qeverisje efektive. Ndërkaq, unë shpresoj se zgjedhjet e reja do të korrigjojnë këtë situatë e cila ka qenë e pranishme në këto 3- 4 vitet e fundit në Kosovë.

INTERVISTOI NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG