Ndërlidhjet

SA JANË TË SIGURTA BURGJET NË KOSOVË?


Nadie Ahmeti

Burgjet në Kosovë janë të sigurta dhe arratisja nga këto institucione nuk është e lehtë, por duhen masa të shtuara të sigurisë. Kështu vlerësojnë zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, edhe pas arratisjes së shtatë të burgosurve nga Burgu i Dubravës. Sylë Hoxhaj, zëvendës ministër i drejtësisë, pohon se pas marrjes së një pjese të kompetencave nga administrata ndërkombëtare në Kosovë, ministria ka vlerësuar se qendrat korrektuese në Kosovë janë të sigurta. Megjithatë, Hoxhaj pohon se pas arratisjes së fundit, ministria ka vlerësuar se masat e sigurisë duhet të shtohen. "Ne si Ministri e Drejtësisë e kemi ditur se burgjet në Kosovë i kemi të sigurta. Ashtu siç edhe i kemi bartë prej departamentit të drejtësisë të administratës ndërkombëtare. Por arratisja e javës së kaluar të shtatë personave nga Burgu i Dubravës, na ka shtyrë që të marrim masa rreth sigurisë në burgjet e Kosovës”, thotë Hoxhaj. Sipas tij, pas arratisjes së shtatë të burgosurve, kjo ministri do t’i shtojë masat e sigurisë në të gjitha burgjet e Kosovës. 'Për fat të keq në Burgun e Dubravës, kanë depërtuar telefonat mobil, do të ndërmarrim masa që të instalojmë një antenë që të mos funksionojë rrjeti VALA. Pastaj, nuk ka funksionuar edhe monitorimi, kamerat, dhe ato do ti aktivizojmë urgjentisht. Dhe këto janë një ndër masat, dhe sigurisht do të kërkojmë edhe një disiplinë më të madhe nga punëtorët të cilët punojnë në shërbimin korrektues të Kosovës”, pohon Hoxhaj.
Ndryshe, arratisje të burgosurve nga qendrat e ndryshme korrektuese të Kosovës, ka pasur edhe më herët. Dhe për këtë arsye, Hilmi Jashari, ushtrues detyre i Ombudsperonit të Kosovës, thotë se patjetër duhet të rishqyrtohen politikat menaxhuese të qendrave korrektuese, dhe të kërkojnë angazhim më të madh nga oficerët korrektues. “Vetë fakti se dëshmohet dhe nuk është hera e parë që ka pasur arratisje nga Burgu i Dubravës, tregon se ato politika kërkojnë rishqyrtim. Dhe këto masa duhet t’i merr qeveria, pushteti, ministria përkatëse dhe shërbimi korrektues i Kosovës", shprehet Jashari
Por, Sylë Hoxhaj, thotë se Ministria e Drejtësisë, tash do të bëjë vlerësimin e të gjithë punonjësve të qendrave korrektuese. Edhe pse thotë ai, deri më tani nuk është marrë ndonjë masë disiplinore, por pas përfundimit të hulumtimeve, Hoxhaj thotë se këto masa do të merren për të gjithë punëtorët të cilët nuk i respektojnë rregullat e punës.“ Sigurisht ne do të vlerësojmë punën e secilit, duke filluar nga personat më përgjegjës e deri të punëtori më i thjeshtë, i cili punon shërbimin korrektues të Kosovës “.
Ky vlerësim do të ndodh për faktin se , siç thotë Hoxhaj, arratisja e të burgosurve nuk mund të bëhet pa ndihmën e dikujt nga brenda. Ndryshe, Shërbimi Policor i Kosovës, tashme ka arrestuar pesë oficerë korrektues si të dyshimtë për mundësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.
“Nuk është lehtë më u arratisë, ne dyshojmë se të arratisurit e kanë pasur ndihmën edhe të dikujt tjetër, edhe të personelit i cili ka qenë në detyrë. Personelin e burgut e kemi gjetur të tërin kështu siç është, këta janë pranuar nga UNMIKU-u . Ju e dini se edhe gjyqësorin, shërbimin korrektues, i ka menaxhuar UNMIK-u”, thotë Hoxhaj. Problem tjetër në menaxhimin dhe sigurimin e burgjeve në Kosovë, sipas Hoxhajt është se këto institucione nuk kontrollohen komplet nga institucionet vendore.“Nuk i kemi të gjitha kompetencat. Edhe lëvizja dhe sistemimi i të burgosurve të kategorisë së rrezikshmërisë së lartë nuk bëhet nga ne, por bëhet nga ndërkombëtarët. Nuk është as e sigurt as e arsyeshme që dy personat e rrezikshmërisë së lartë të qëndrojnë në një dhomë, sepse ata mendojnë se si më u arratis nga burgu. Ka informata se dy nga të arratisurit kanë qenë në një dhomë“, pohon Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG