Ndërlidhjet

VJENË/PRISHTINË


Ndarja e Kosovës nuk është opsion as për Kosovën e as për Serbinë, dhe nuk është në agjendën e përpjekjeve të fundit për kompromis midis palëve, tha pas takimit në Vjenë i dërguari i BE-së, Wolfgang Ischinger.
Ai i bëri këto komente pas raundit të parë të bisedimeve shtesë Prishtinë-Beograd për statusin e Kosovës.
Ndërkaq anëtari tjetër i Treshes, Aleksandër Botsan-Kharchenko, tha se takimet e sotme nuk rezultuan me përafrimë qëndrimesh, gjë që as nuk ështe pritur.
Pas kthimit në Prishtinë, delegacioni kosovar, tha se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset për pavarësinë e saj dhe tani nuk ka më çka të negociohet. Ata u shprehën kategorik se nuk i pranojnë opsionet tjera përveç pavarësisë dhe kanë kundërshtuar në tërësi çdo ide të ndarjes së Kosovës, si zgjidhje.
Presidenti i Kosovës, tha se pala kosovare pret që ky proces shtesë të përfundojë dhe më pas Kosova t’i merr vendimet përkatëse për statusin e saj.
Ndërkaq kryeministri Agim Çeku rikonfirmoi pozicionin e Prishtinës se 10 dhjetori duhet të shënojë fundin e çdo procesi të bisedimeve. Ky qëndrim, theksoi ai u është bërë i qartë edhe Treshes ndërkombëtare.
Në anën tjetër, delegacioni i Beogradit është angazhuar që sa më shpejt të fillojnë bisedimet e drejtpëdrejta me Prishtinën edhe për çështjen e statusit e jo vetëm për çështje teknike
Pas Vjenës, takimi i radhës pritet të mbahet në fund të shtatorit në Nju Jork, kur për dallim nga bisedimet e sotme në Vjenë, është paralajmëruar që të organizohet dhe takimi trepalësh ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe Treshes ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG