Ndërlidhjet

MALIQI:”SHPALLJA E PAVARËSISË PA PËLQIMIN NDËRKOMBËTAR – NJË AKT I KOTË”


Shkëlzen MALIQI, Partia Reformiste Ora

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maliqi, nesër pritet të zhvillohet takimi i dytë me radhë i delegacionit të Kosovës me Treshen negociuese. Fillimisht, cilat janë pritjet e juaja nga ky takim dhe çka konkretisht mund të rezultojë para takimit të drejtpërdrejtë mes palëve në bisedime, që parashihet të mbahet në Nju Jork?

SHKËLZEN MALIQI
Nuk ka shenja për ndonjë avancim të madh. Pala kosovare ka përgatitur një dokument që do ta prezantojë atje, ku insistohet për miqësi, fqinjësi me Serbinë, një lloj memorandumi që nënkupton se Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe kërkon të ketë raporte sa më të mira me Serbinë, që besoj se nuk do të ketë ndonjë efekt të madh te pala tjetër, te Serbia. Serbia ndoshta e ka përgatitur më në fund ndonjë ofertë të veten që mund të shqyrtohet atje, por unë nuk pres që mund të arrihet ndonjë pajtim mes Prishtinës dhe Beogradit. Më shumë ka gjasa që një zgjidhje e re të formulohet ose një lloj kompromisi të arrihet mes fuqive të mëdha në Këshillin e Sigurimit, te Grupi i Kontaktit, do me thënë te instancat ku edhe është bllokuar çështja e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë pritjet e juaja, sa mund të mbyllet ky proces më 10 dhjetor dhe të fillohet konkretisht me zgjidhjen e statusit të Kosovës?

SHKËLZEN MALIQI
Unë, me sa mund të shoh, pakoja e Ahtisaarit nuk ka deri tash ndonjë alternativë serioze. Ditëve të fundit, ka propozime, spekulime, opsione që dalin në qarkullim, kryesisht jozyrtare, prej atyre për ndarjen e deri te disa ide të reja që erdhën nga Greqia për një status special të përkohshëm për Kosovën. Këto janë gjëra që sigurisht duhet të shqyrtohen dhe ende nuk po i shoh si alternativa serioze për pakon e Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të jetë e pranueshme për palën e kosovare hapja e bisedimeve nga zeroja, nëse mund të thuhet kështu, në rast se njëra prej këtyre zgjidhjeve ofrohet në tavolinën e bisedimeve?

SHKËLZEN MALIQI
Nuk ka kohë të fillohet nga zeroja. Prandaj, thash edhe në fillim, një kompromis mund të arrihet vetëm mes fuqive të mëdha, në kuptimin që eventualisht të mbetet në fuqi ndoshta 1244-shi deri diku, i modifikuar, në kuptimin që Rusia ndoshta mund ta mbajë të drejtën e vetos, por që edhe procesi të shkojë përpara. Por, kjo është ende një mundësi spekulative.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se mund të jetë një zgjidhje e nyjës së çështjes së Kosovës bartja definitive e statusit të Kosovës nga Këshilli i Sigurimit në Bruksel?

SHKËLZEN MALIQI
Nuk besoj se do të bartet në Bruksel. Brukseli është njëri nga faktorët kryesorë, në aspektin që e ka marrë përsipër, në njëfarë dore, që të kujdeset për ardhmërinë e Kosovës, do me thënë me dërgimin e misionit... Ka disa ide që ndoshta katër vendet më të mëdha të Evropës ta marrin nën mbikëqyrje Kosovën, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, si një aranzhman special, ku atëherë do të evitohej që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian të pajtohen me pavarësimin e Kosovës. Në zyrat e mëdha tash po provohen receta të ndryshme dhe njëra prej tyre sigurisht se do të aprovohet; Evropa edhe gjithnjë Brukseli, që në njëfarë dore, të pranojnë paevitueshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Këtë e tha, në një farë dore, në mënyrë indirekte, edhe vetë kryetari i Rusisë, Putin. Mendoj se zhvillimet po shkojnë në drejtimin e duhur, edhe pse ka shumë skepticizëm e kritika. Por, përfundimi, edhe pse mund të vonohet deri diku, do të jetë në favor të pavarësisë së Kosovës, sepse realisht nuk ka opsione të tjera që do të ishin funksionale.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, derisa zvarritet kjo çështje, në Prishtinë ka mendime të ndryshme se a duhet Kuvendi i Kosovës të ndërmarrë hapa të njëanshëm pas 10 dhjetorit? Si i konsideroni nismat e tilla që Prishtina ta shpallë pavarësinë edhe pa një mbështetje të nevojshme ndërkombëtare?

SHKËLZEN MALIQI
Shpallja e pavarësisë është një akt i natyrshëm, i domosdoshëm, por nuk do të fitonim asgjë me të nëse nuk do të na përkrahnin, ose stimulonin, ose fillimisht inspironin, vetë fuqitë e mëdha. Nëse nuk e kemi pajtimin e Uashingtonit dhe Brukselit, do të ishte vetëm një akt relativisht i kotë. Këtu është e qartë se shumica e shteteve serioze botërore e përkrahin pavarësinë, por vetëm duhen të gjenden instrumente dhe kjo të bëhet në mënyrë të padhembshme. Ne nuk e kemi zorin si më herët, nuk e kemi pushtetin serb mbi kokë, ka probleme serioze, por nuk janë si atëherë. Mund të presim edhe pak që kjo të bëhet në atë mënyrë që pavarësia të jetë zgjidhje funksionale për të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Maliqi, nëse mund të kalojmë në një çështje tjetër, opinioni kosovar ju njeh juve si analist, ndërkohë që sivjet keni vendosur të merrni pjesë në garën zgjedhore përmes Partisë Ora. Andaj, cilat janë pritjet e juaja?

SHKËLZEN MALIQI
Unë kam hyrë në atë listë si analist, ende nuk jam bërë anëtar i partisë, nuk e di a do të bëhem. Do me thënë, jam me ftesë, e kam pranuar ftesën për disa arsye që të forcohet ky opsion. Cenzusi kësaj here është shumë i lartë, 5 për qind, dhe mendova që ndoshta do të mund ta ndihmoja Orën që të mbetet parti parlamentare dhe të fuqizohet. Nuk është ende 100 për qind e sigurt që do të mbahen zgjedhjet më 17 nëntor, por ne po përgatitemi. Pra, nuk jam më vetëm në funksionin e analistit, duhet të punoj edhe për interesat e partisë, të elektoratit të Orës, ta shtojmë atë sa më shumë. Unë pres që, megjithatë, Ora si një opsion që unë e konsideroj më serioz, më kompetent, është një ekip mjaft i fortë, i mirë, me ekspertë të fushave të ndryshme. Mendoj se do të luajë një rol të rëndësishëm në Parlamentin e ardhshëm, në qeverisjen e ardhshme, qoftë si pjesë e Qeverisë, qoftë si opozitë.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI

XS
SM
MD
LG