Ndërlidhjet

MARNHAC: STABILITETI – FAKTOR KYÇ PËR ZGJIDHJEN E STATUSIT


Albana Isufi

Komuniteti ndërkombëtar, sipas komandantit të KFOR-it, Xavier de Marnhac, si faktor kryesor për zgjidhjen e statusit të Kosovës e sheh ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë. “Mendoj se gjatë procesit politik apo diplomatik, perceptimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të opinionit publik janë se stabiliteti i Kosovës është çelësi kryesor për vendimin që do të merret. Dhe, çdo thyerje e këtij perceptimi do të ishte shkatërruese për tërë popullin e Kosovës. E ne të gjithë jemi në të njëjtën barkë - KFOR-i, liderët, mediat dhe populli i Kosovës”, tha gjenerali Xavier de Marnhac, i cili kur kishte përfunduar detyrën e zëvendëskomandantit të KFOR-it në shkurt të vitit 2006, kishte lënë prapa besimin e madh të kosovarëve se do të pavarësoheshin në qershor të atij viti. “Sot jemi në vitin 2007 dhe ende kemi një pikëpyetje të madhe përballë kësaj”, tha gjenerali francez de Marnhac, i cili është i bindur se KFOR-i, si asnjëherë më parë, është i përgatitur që të menaxhojë situatën e sigurisë, pavarësisht se Kosova po kalon nëpër një proces të dyfishtë - negociatat për status dhe zgjedhjet. “Nuk shoh të ketë arsye për rritjen e numrit të trupave. Ne kemi mjete për të arritur misionin tonë. Jam i vetëdijshëm për këtë proces të dyfishtë, por nuk dua të spekuloj as për rezultatin e zgjedhjeve, e as për atë të statusit. Nuk ka nevojë për rritje të numrit të ushtarëve për këtë kohë dhe për këtë situatë, siç është tani”, u shpreh gjenerali Marnhac. Procesi i negociatave shtesë pritet të përfundojë më 10 dhjetor, ndërkohë që liderët kosovarë kanë thënë se nëse nuk zgjidhet statusi, do të shpallin pavarësinë njëanshëm. Po, a do të ndryshojë mandati i KFOR-it në një rast të tillë? “Nuk do të spekuloj se si do të jetë rezultati i procesit aktual. Ne kemi një mision të qartë, kemi një mandat dhe nuk shoh ndonjë arsye që pas 10 dhjetorit ky mandat të ndryshojë. Kështu që KFOR-i do të ofrojë atë që po e ofron edhe sot, siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi gjenerali Marnhac, i cili nuk sheh kërcënime të sigurisë në këtë kohë të negociatave për statusin. Sidoqoftë, ai thotë se NATO-ja ka plane të kujdesshme për këtë periudhë të negociatave, por nuk i ka shpalosur ato. Ndërkaq, kërcënimet e mëhershme të zyrtarëve serbë, se në rast të pavarësisë do të ktheheshin me forcë në Kosovë, gjenerali Marnhac, nga pikëpamja ushtarake, i sheh si të pakuptimta. Ai ka thënë se pas KFOR-it, është e tërë NATO-ja. Sidoqoftë, komandanti i KFOR-it ka pranuar se janë shtuar patrullimet e KFOR-it nëpër rrugët e Kosovës. Ai ka thënë se kjo bëhet me qëllim që të mundësohet liria e lëvizjes për të gjithë gjatë fushatës zgjedhore.
XS
SM
MD
LG