Ndërlidhjet

logo-print

AMANPOUR:"KOSOVA TË BËHET SHEMBULL I PROGRESIT, REFORMAVE DHE TOLERANCËS"


Christiane AMANPOUR, CNN

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Amanpour, jeni e njohur për mbulim ekstenziv të konflikteve në Ballkan. Mendoj se jeni korespondentja e parë që ka hyrë në Kosovë pas fushatës së NATO-s në qershor të vitit '99. Çfarë gjetët atbotë në Kosovë?

CHRISTIANE AMANPOUR
Në qershorin e vitit '99 në Kosovë mbajë mend një situatë të llahtarshme. Ishte e hetueshme se atje kishte pasur shumë probleme. Në Kosovë hyrëm me forcat britanike që bashkë me të tjerët kishin për qëllim ndaljen e sulmeve ndaj shqiptarëve të Kosovës. Atbotë gjetëm shumë dëshmi të asaj që kishte ndodhur. Takuam në njërën anë kosovarët që ishin shumë të lumtur për hyrjen e forcave të NATO-s, që kishin ndalur sulmet brutale ndaj tyre, por u ballfaquam edhe me dëshmi për brutalitetet që kishin ndodhur ndaj fshatrave dhe qyteteve kosovare. Gjetëm varreza masive dhe zbuluam krime për të cilat raportuam gjërësisht. Vazhduam të ndiqnim zhvillimet politike dhe sociale, dhe për mua, përkatësisht karierën time ka qenë shumë e rëndësishme nevoja për tolerancë. Rrjedhimisht gjithnjë besoj se Kosova do të bëhet një shembull i madh i progresit, reformave dhe tolerancës. Shumica shqiptare duhet të ketë të drejtat e veta dhe sistemin e vetë politikë, por në anën tjetër ata duhet të garantojnë të drejtat për pakicat dhe serbët dhe ruajtjen e monumenteve dhe vendeve historike. Periudha e pas konfliktit gjithnjë është e vështirë, por shpresoj se është duke shkuar në drejtim të duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Tash së voni keni deklaruar se intervenimi në Ballkan është model i intervenimit të sukseshëm. Përse mendoni kështu?

CHRISTIANE AMANPOUR
Kam filluar me mbulimin e zhvillimeve në Slloveni, Kroaci dhe shumë gjatë në Bosnjë. Dhe e dijë se çfarë kishte ndodhur gjatë luftrave etnike para intervenimit. Unë dhe shumë kolegë nga gjithë bota raportuam gjërësisht për këto zhvillime, por kjo nuk ndryshonte asgjë. Për vite të tëra ne raportuam të vërtetën, ndonëse nuk kishim asnjë agjendë, nuk ishim as pro dhe as kundër asnjërës palë, sepse ne thjesht raportonim se çfarë po ndodhte. Dhe çfarë ndodhte atbotë: një grup njerëzish të armatosur deri në dhëmbë rrethonin dhe bombardonin një grup tjetër civilësh në qytete dhe fshatra. Në një çast krimet e atëhershme për demokracitë perendimore u bënë të patolerueshme. Pas shumë vitesh të bombardimeve dhe krimeve ndaj fëmijëve dhe civilëve në përgjithësi, që bëheshin para syve të gjithë botës, dhe përfundimisht pas Srebrenicës në korrik të vitit 1995, vendet perendimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët intervenuan. Intervenimi çoi drejt procesit të paqës që ende është në fuqi. Nuk është një paqë e përsosur, por është shumë më mirë se ç'ka qenë. Për mua intervenim i sukseshëm është ai që mbështetet në parimet humanitare, siç ishte ky intervenim, sepse atje nuk kishte naftë ose rëndësi strategjike të rajonit dhe as përfitime ekonomike. Ishte intervenim i mbështetur thjesht në parime humanitare. Ishte intervenim i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve dhe pas fushatës së sukseshme ushtarake, ata e shëndrruan në një sukses politik dhe të rimëkëmbjes. Me fjalë tjera ata kishin një plan paqësor dhe një plan për rimëkëmbje politike dhe ekonomike. Nuk ishte i përsosur, por ishte intervenim i sukseshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithate besoj se do të pajtoheni se vendet ballkanike ende ballafaqohen me probleme. Kosova ende është pa status, ndërsa Karaxhiqi dhe Mladiqi ende janë të lirë?

CHRISTIANE AMANPOUR
Fakti që Karaxhiqi dhe Mladiqi janë në liri është dështim për rajonin që fshehë ata, por edhe dështim i NATO-s që nuk arriti t'i kapë. Nuk mund ta kuptoj si është e mundur që ata ende janë të lirë. Ata janë të akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa ne jetojmë në epokën kur përgjegjësia është parim bazik dhe ata duhet të përgjigjen për këto krime. Ekziston trupi i Kombeve të Bashkuara për të gjykuar ata dhe mos gjykimin e tyre e konsideroj dështim që helmon pjesë të rajonit deri në ditët e sotme.
Sa i përket statusit të Kosovës ai ende nuk është përcaktuar, por e dijë se Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, Evropa dhe përfaqësuesi special Marti Ahtisaari kanë punuar dhe vazhdojn të punojnë në këtë çështje dhe shpresoj se do të zgjidhet në këtë ose vitin tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni e sigurtë se më nuk do të raportoni kurrë nga Ballkani si korespondente e luftës?

CHRISTIANE AMANPOUR
Shpresoj se jo. Sinçerisht besoj se jo. Të gjithë e dijmë se lufta nuk paraqet të ardhmen dhe as progresin. Ballkani ka përjetuar luftën më të tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore dhe shumë krime. Brezi i im në Ballkan u ballafaqua me diç që besonte se nuk do të mund të ndodhte kurrë më. Shpresoj se të gjithë të rinjët e këtij rajoni do të shohin se paqja dhe suksesi janë gjëra më të çmuara se luftrat dhe katastrofat. Besoj se të rinjët e Ballkanit, që kanë për motiv ate që e kam edhe unë dhe miqtë e mijë, siç janë ekonomia e mirë, puna e mirë, mundësia për të avancuar mjedisin dhe dëshira që ata dhe familjet e tyre të jetojnë në paqë dhe progres, do të jenë më të fortë se ato forca që eventualisht dëshirojnë trazira në Ballkan. Besoj se të rinjët do t'ia dalin këtij qëllimi.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG