Ndërlidhjet

PARTITË POLITIKE SHPREHEN TË GATSHME TË NISIN FUSHATËN ZGJEDHORE


Zijadin Gashi

Nga dita e nesërme, në Kosovë, fillon edhe zyrtarisht fushata zgjedhore. Gjatë 21 ditëve të ardhshme, partitë politike, garuese për zgjedhjet komunale dhe ato parlamentare, paralajmërojnë tubime dhe bashkëbisedime të drejtpërdrejta me qytetarët. Për dallim nga fushatat e kaluara, pavarësia e Kosovës, kësaj radhe, thuhet se mbetet qëllimi kryesor, por për faktin se procesi i statusit është në fazën finale, subjektet garuese në zgjedhje thonë se do të përqendrohen më shumë në aspektet ekonomike. Lidhja Demokratike e Kosovës do ta nisë fushatën të shtunën në Prishtinë. Zëdhënësi i kësaj partie, Vehbi Miftari, thotë se nuk priten shumë dallime nga konceptet e fushatave të kaluara të LDK-së dhe se me rëndësi, sipas tij, do të jetë vënia e kontaktit të bashkëbisedimit me qytetarët. “Pikat më themelore që përmban programi ynë do të paraqiten në këto takime. Krahas kësaj, ne do t’i kushtojmë rëndësi edhe paraqitjes së resurseve tona, të kapaciteteve tona, me të cilat do të garojmë në këtë fushatë. Nuk parashohim ndryshime të mëdha në formën e fushatës elektorale; do të jetë pak a shumë fushatë e njëjtë me vitet e kaluara, me përjashtim që faza e dytë e kësaj fushate do të jetë në koordinim të aktiviteteve për të dëgjuar të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve të Kosovës”, thekson Miftari. Ndërkohë, partia aktualisht më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, ka shpallur tashmë kandidaturën e kryetarit të saj, Hashim Thaçi, për kryeministër të Kosovës. Ndërkaq, në planin e fushatës paralajmëron se do të përqendrohet në promovimin e projekteve të filluara muaj më parë, që kanë dalë si rezultat i debateve me qytetarët. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, beson se kjo parti po hyn në zgjedhje më e përgatitur se herëve të kaluara. “PDK-ja, tani e disa muaj, ka ndërmarrë një bashkëbisedim intensiv me qytetarët e Kosovës. Ne kemi biseduar me bizneset, mjekët, fermerët, mësuesit, pensionistët, i kemi radhitur problemet e tyre dhe ia kemi dorëzuar një grupi, ekipi ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë punuar në platformën zgjedhore të PDK-së. Fushata jonë do të përqendrohet në prezantimet e projekteve tona dhe do të jetë një bashkëbisedim intensiv me të gjithë qytetarët e Kosovës”, thotë Çitaku. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se do t’ua sqarojë zgjedhësve pikat kryesore të programit të saj. Zëdhënësi i AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se për dallim nga zgjedhjet e kaluara, gjatë kësaj fushate nuk do të mbahen mitingje të mëdha, por një model i fushatës ‘derë më derë’ për të komunikuar më mirë me qytetarët. “Në nivel qendror janë tri shtylla kryesore, zhvillimi i qëndrueshëm për qytetarin, mirëqenia për qytetarin me fokus punësimin në arsim dhe shëndetësi, sundimi i ligjit me fokus të gjyqësorit dhe siguri për qytetarët, siguri për pronën etj. Në këtë mënyrë do ta prezantojmë programin tonë, i cili është shumë i prekshëm dhe do të mundohemi ta shpjegojmë atë që e shohim që është në interes për ne”, pohon Tahiri. Në anën tjetër, Partia Reformiste Ora ka në plan që t’i shfrytëzojë të gjitha format e komunikimit me qytetarët, për t’ua sqaruar atyre programin e saj zgjedhor. Zëdhënësi i ORA-s, Ylli Hoxha, flet për fushatën e kësaj partie: “Nuk do të mungojë programi për energjetikë, shëndetësi, arsim dhe për sundim të ligjit dhe të rendit. Këto do të jenë pikat, ku do të koncentrohemi si subjekt. Dhe, përmes të gjitha formave të komunikimit, do të përpiqemi që gjatë këtyre ditëve të shpalosim dhe t’ua bëjmë sa më të qartë qytetarëve nevojën që e ka kjo shoqëri”, thotë Hoxha. Në zgjedhjet e sivjetme, për herë të parë merr pjesë dhe Aleanca Kosova e Re. Ibrahim Makolli, nga kjo parti, thotë se oferta e ARK-së është zhvillimi ekonomik dhe zbatimi i reformave në të gjitha segmentet e jetës publike. “Kjo do të realizohet përmes tubimeve, qoftë të hapura me qytetarë, qoftë të mbyllura, por edhe me kategori të veçanta të shoqërisë, të cilat i takojnë programit që e ka përpunuar AKR-ja, qëllimi i të cilit është zhvillimi ekonomik i Kosovës, si dhe ngritja e mirëqenies për qytetarët e Kosovës në përgjithësi”, thekson Makolli. Nga 97 subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetme, 35 prej tyre i përkasin komunitetit serb. Kryetari i Partisë Demokracia e Re, Branisllav Gërbiq, planifikon dhe një fushatë zgjedhore për t’ua sqaruar serbëve rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje. “Ne dalim në zgjedhje dhe do të kemi një bashkëbisedim me votuesit potencialë, por nuk presim diçka spektakulare, duke pasur parasysh gjendjen aktuale politike”, thotë Gërbiq. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike Serbe të Kosovës, Sllavisha Petkoviq, planifikon fushatë zgjedhore edhe në Serbi, ku janë të strehuar të zhvendosurit. “Deri të dielën do ta zhvillojmë fushatën në Serbi, pasi që trupi votues atje është dy herë më i madh, sesa në Kosovë. Kurse, nga e hëna, do të bëjmë fushatë edhe në Kosovë”, thotë Petkoviq. Pas thirrjeve që Beogradi u bëri serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje, Lista Serbe, që përfaqëson subjektin më të madh politik të këtij komuniteti, ka paralajmëruar se nuk do të dalë në zgjedhje. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i ka ftuar serbët që, megjithatë, të dalin e të votojnë, sepse kjo është në interesin e tyre. Sidoqoftë, fushata fillon nesër në kohëzgjatje prej 21 ditësh. Ndërkaq, më 17 nëntor, në Kosovë, do të votohet për Parlamentin e ri, Asambletë komunale dhe, për herë të parë, votuesit do t’i zgjedhin vetë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, kryetarët e komunave.


XS
SM
MD
LG