Ndërlidhjet

PARTITË POLITIKE SERBE: JEMI TË KËRCËNUAR RRETH PJESËMARRJES NË ZGJEDHJE


Arton Konushevci

Përfaqësuesit e disa partive politike serbe në Kosovë kanë deklaruar sot për radion ‘Evropa e Lirë’, se disa nga kandidatët e partive të tyre janë kërcënuar nga persona të panjohur nga Qendra Koordinuese Serbe dhe iu është bërë presion që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Lubisha Zhiviq, kryetar i Lidhjes së Socialdemokratëve të Kosovës, ka thënë se kandidatë të caktuar të listës së partisë së tij, të cilët punojnë në institucionet shtetërore të Serbisë, janë kërcënuar rreth pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme, më 17 nëntor. “Ata thonë se dikush u ka telefonuar nga Qendra Koordinuese, nga një numër i panjohur, duke u thënë atyre që të tërhiqen nga zgjedhjet. Në të kundërtën, do të mbeten pa rroga dhe pa pagesat që vijnë nga Serbia”, ka thënë Zhiviq, duke e krahasuar këtë frikësim me atë të kohës së Slobodan Milosheviqit. Zoti Zhiviq ka thënë se nuk e di saktë, se nga vijnë këto kërcënime. “Ka mundësi që kërcënimet vijnë nga Mitrovica. Arsyet, pse bëhet një gjë e këtillë, nuk i dimë, sikur që nuk e dimë nëse është një vetiniciativë apo vendim i dikujt tjetër”, tha Zhiviq. Edhe Bozhidar Periq, bartës i listës për Anamoravën e Kosovës, ka pohuar të ketë kërcënime edhe ndaj kandidatëve të partisë së tij. ”Sa u përket presioneve, natyrisht që ka ndaj kandidatëve, që janë të punësuar në institucionet e Serbisë, edhe pse vendim zyrtar nga Beogradi nuk ka. Do të thotë, më lajmërojnë njerëzit dhe më tregojnë se kanë pasur presione dhe për atë disa kanë kërkuar që t’i largojmë nga lista”, tha Periq. Ndryshe, edhe zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian kanë thënë, sot, se kanë informacione se disa nga partitë politike serbe, të cilat janë certifikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po kërcënohen që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit. Zëdhënësi Sven Lindholm thotë se nuk mund të thuhet me saktësi, se nga kush vijnë këto kërcënime. “Është e vështirë të thuhet saktësisht se nga kush po kërcënohen partitë politike, por ajo që mund të thuhet është se disa nga partitë politike janë kërcënuar që të mos marrin pjesë në zgjedhje, për arsye se atyre mund t’iu ndalet paga, nëse ato parti politike do të kontribuojnë në procesin zgjedhor”, tha Lindholm. Ai ka shtuar më tej se 4 nga 10 partitë politike serbe në Shtërpcë, kanë kërkuar zyrtarisht të largohen nga gara zgjedhore, por, siç thotë Lindholm, ka edhe parti të tjera që do të largohen. “Në Shtërpcë, katër nga gjithsej dhjetë subjekte serbe, zyrtarisht kanë kërkuar tërheqje nga gara zgjedhore. Mirëpo, kemi edhe njoftime të tjera, që të gjitha partitë e tjera serbe do të tërhiqen”, ka thënë Lindholm. Ai shtoi se njoftimet për tërheqje të partive politike serbe nga gara zgjedhore vijnë nga kuvendet komunale, por ende nuk kanë arritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Siç tha Lindholm, pjesa më e madhe e tyre janë nga veriu i Kosovës. Ndërkohë, Bozhidar Periq thotë se edhe pse partia e tij është e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vendimin përfundimtar për të dalë në zgjedhje do ta marrë në prag të 17 nëntorit, pasi që, siç thotë ai, do të presin nëse do të ndryshojë apo jo qëndrimi i Beogradit për pjesëmarrje ose jo në zgjedhje. “Do të thotë, ne presim edhe njëherë për të parë se çka do të bëjë Beogradi. Unë mendoj se Beogradi përsëri do të diskutojë rreth asaj pyetjeje. Kështu që do të shohim se çka do të thotë shteti jonë rreth asaj dhe në fund do ta sjellim vendimin për të dalë në zgjedhje ose jo”, ka thënë Periq. Por, Lubisha Zhiviq ka theksuar se pavarësisht kërcënimeve, partia e tij nuk do të tërhiqet nga zgjedhjet. Nga 97 subjekte të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit, 33 janë nga radhët e komunitetit serb.
XS
SM
MD
LG