Ndërlidhjet

logo-print

DAVERON: SHBA-TË DO TË QËNDROJNË EDHE MË TEJ NË KOSOVË


Albana Isufi

Komandanti i ri i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali John Daveron, ka siguruar sot kosovarët se trupat amerikane nuk kanë ndonjë plan të tërheqjes. Për më tepër, gjenerali Daveron ka thënë se gjatë procesit të zgjidhjes së statusit, trupat amerikane do të koncentrohen më shumë në ruajtjen e sigurisë. “Një shumicë njerëzish janë të shqetësuar për gjërat që janë prezantuar në shtyp, kohët e fundit, por unë e di se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një përkushtim shumë të madh këtu në Kosovë. Unë kam folur me komandantin e ardhshëm të trupave amerikane dhe kemi diskutime dhe trajnime të njëjta, siç i kishim unë me gjeneralin Earhart”, tha gjenerali Daveron, pas marrjes së komandës së forcave amerikane. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të numrit të trupave amerikane në Kosovë. “Numri i trupave në Kosovë mund të përshtatet sipas ndryshimit të situatës. Siç ka pasur në rotacionet e mëhershme ndryshime të numrit të forcave, unë pres që të ketë edhe në të ardhmen ndryshim të mundshëm”, tha gjenerali Daveron. Ditë më parë, zyrtarë të Pentagonit kanë përmendur mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova, për t’i dërguar në Afganistan. Megjithatë, gjenerali John Daveron ka siguruar, sot, se trupat amerikane do të qëndrojnë në Kosovë dhe do ta vëzhgojnë situatën e sigurisë, sidomos gjatë procesit të zgjidhjes së statusit. “Të gjithë banorët e Kosovës janë të shqetësuar për pasigurinë e së ardhmes dhe tashmë, për një kohë të gjatë, njerëzit po merren me zgjidhjen e statusit të Kosovës. Sfida ime është ofrimi i sigurisë në Kosovë, ashtu që ky proces të vazhdojë, ndërkohë që vazhdon puna me anëtarët tjerë ndërkombëtarë dhe me institucionet kosovare”, theksoi Daveron. Ndryshe, për ndikimin e procesit të statusit në çështjen e sigurisë, gjeneralin Daveron e ka paralajmëruar edhe vetë komandanti i KFOR-t, Xavier de Marnac. “Duke marrë parasysh rezultatet e ngjarjeve në të ardhmen e afërt, ju dhe ushtarët tuaj mund të ballafaqoheni me sfida në zona të caktuara të rajonit që ju i mbuloni”, tha gjenerali francez, Xavier de Marnac. Ndërkohë, komandanti i ri amerikan, John Daveron, konsideron se rajoni lindor, që sigurohet nga trupat amerikane, nuk do të ketë probleme të sigurisë, edhe pse në këtë rajon, në pjesën maqedonase, në kufirin Kosovë-Maqedoni, janë shfaqur persona të maskuar dhe të armatosur, që veten e quajnë Ushtria Çlirimtare Kombëtare. “Çdoherë ekziston rreziku potencial nga grupet radikale, por ne si KFOR po bashkëpunojmë ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë, me patrullat kufitare të SHPK-së. Kjo na mundëson që të identifikojmë çfarëdo rreziku dhe ta pengojmë atë që të depërtojë në Kosovë”, tha gjenerali Daveron, duke cilësuar se çdo lloj dhune është e papranueshme. “Dhuna ndaj kujtdo është e papranueshme. Në këtë kohë kritike, kur po punojmë të gjithë së bashku për të ardhmen e Kosovës, veprimet e dhunës janë të papranueshme”, u shpreh gjenerali Daveron. Ndryshe, komandanti i deritashëm i trupave amerikane në Kosovë, gjenerali Douglas Earhart, ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile, pasi, siç ka thënë ai, këtë po e duan vetë qytetarët e Kosovës. Nga rreth 16 mijë trupa të KFOR-it, sa janë aktualisht në Kosovë, mbi 1500 i takojnë kontingjentit amerikan, i cili është i pozicionuar në rajonin lindor të Kosovës.


XS
SM
MD
LG