Ndërlidhjet

SHPK-JA DHE KFOR-I SHTOJNË MASAT E SIGURISË NË KUFIRIN KOSOVË-MAQEDONI


Albana Isufi

Autoritetet e sigurisë thonë se kanë shtuar masat e sigurisë në kufirin Kosovë-Maqedoni, pas përleshjeve që kanë filluar, në orët e hershme të mëngjesit, mes forcave maqedonase dhe grupeve të armatosura shqiptare, në fshatrat e Malësisë së Tetovës, afër kufirit me Kosovën. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, konfirmon se SHPK-ja, së bashku me trupat e KFOR-it, ka shtuar patrullimet në brezin kufitar. “SHPK-ja ka ngritur numrin e patrullave, që janë në vendkalimet kufitare dhe nëpër vijën e gjelbër kufitare me Maqedoninë. Po ashtu, është rritur edhe numri i patrullimeve nga ana e KFOR-it. Kështu që ne jemi duke bërë patrullime nëpër zonë në përgjithësi, ndërsa kemi edhe patrullime me helikopterë nga ana e KFOR-it”, bëri të ditur Elshani. Pavarësisht disa njoftimeve në media, se vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë janë mbyllur, zëdhënësi Elshani ka konfirmuar se të gjitha vendkalimet kufitare vazhdojnë të jenë të hapura. “Është bërë shtimi i masave të sigurisë nga ana jonë. Sidoqoftë, vendkalimet kufitare janë të hapura dhe komunikacioni është duke u zhvilluar normalisht”, pohoi Elshani. SHPK-ja ka përjashtuar mundësinë e zhvendosjes së konfliktit në anën kosovare. Elshani thotë se deri tani nuk është vërejtur një tendencë e tillë. “Ne nuk kemi informacione se dikush ka lëvizur nga ana maqedonase tek ne. Nuk ka mundësi që një gjë e tillë të ndodhë, duke marrë parasysh se SHPK-ja është duke bërë sigurimin e kufirit dhe në përgjithësi rendin dhe qetësinë publike në mbarë territorin e Kosovës. Po ashtu, këtu kemi edhe KFOR-in”, tha Elshani. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë apeluar te qytetarët e Maqedonisë për gjakftohtësi dhe për një vendosje të dialogut dhe komunikimit me të gjithë, në mënyrë që të pengohet eskalimi i dhunës. Zëdhënësi Avni Arifi ka thënë se Qeveria e Kosovës apelon për ruajtje të paqes. “Njëkohësisht, kërkon nga institucionet e Maqedonisë që ta ruajnë jetën e qytetarëve të Maqedonisë dhe pronën e tyre. Është shumë me rëndësi për Kosovën, për proceset në Kosovë, që të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon. Ky është përkushtim i institucioneve të Kosovës, ky është përkushtim për çka qëndron populli i Kosovës. Andaj, ne i thërrasim të gjithë të kyçurit në këtë problem, që kjo situatë të kalojë me sa më pak viktima”, tha Arifi. Edhe forcat politike kosovare kanë bërë thirrje në të gjitha palët që t’i ndalin luftimet, duke shtuar se të gjitha palët duhet ta kuptojnë se lufta ka mbaruar në Maqedoni dhe se nuk i duhet askujt asnjë lloj konflikti për çfarëdo qëllimi.
XS
SM
MD
LG