Ndërlidhjet

ÇEKU: DESTABILIZIMI I KOSOVËS – ARMIKU MË I MADH I ZVARRITJES SË STATUSIT


Zijadin Gashi

Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë kanë vlerësuar sot se Kosova ndodhet para sfidave të mëdha, duke përmendur këtu zgjedhjet e lira dhe procesin e finalizimit të statusit. Mbajtja e gjendjes së sigurisë nën kontroll gjatë kësaj faze, ishte temë qendrore e diskutimeve në një takim ‘trepalësh’, që është mbajtur sot ndërmjet kryeministrit Agim Çeku, shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit Xavier de Marnah. Kryeministri Çeku tha se stabiliteti i Kosovës do të jetë kusht që Kosova ta përmbyllë suksesshëm procesin e statusit të saj. “Nuk ka asgjë më shumë që mund ta shpejtojë procesin e pavarësimit të vendit tonë, sesa siguria dhe stabiliteti, dhe nuk ka asgjë më shumë që mund ta dëmtojë, sesa situata jo e sigurt dhe jo e qetë. Kundërshtarët e pavarësisë së vendit tonë po bëjnë përpjekje që ta destabilizojnë Kosovën, sepse mendojnë që me destabilizimin e Kosovës apo me destabilizimin e rajonit mund të vonohet apo të evitohet pavarësia e vendit tonë”, tha kryeministri Agim Çeku. Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se fushata zgjedhore po kalon qetë dhe pa incidente, përderisa sfidat e statusit, sipas tij, kërkojnë një angazhim të të gjithëve. Ai edhe sot i ka siguruar kosovarët se strukturat e sigurisë janë të gatshme të mbajnë një gjendje stabile dhe të sigurt në tërë Kosovën. “Ne kemi besim se mund të ballafaqohemi me sfidat dhe kemi besim se situata do të mbetet stabile dhe e qetë”, tha Ruecker, duke rikujtuar se masat e sigurisë mund të rriten para dhe pas 10 dhjetorit. Kryeministri i Kosovës dhe shefi i UNMIK-ut janë siguruar nga autoriteti numër një i forcës së KFOR-it në Kosovë, gjenerali Xavier de Marnah, se KFOR-i bashkë me strukturat tjera mund ta menaxhojnë çdo gjendje eventuale që mund të prodhojnë sfidat, siç janë zgjedhjet dhe sidomos koha e vendimit për statusin. “Në koordinim me policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në, ne i kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që t’u sigurojmë qytetarëve të Kosovës atë që meritojnë dhe kjo është një situatë e qetë dhe paqësore”, tha komandanti i KFOR-it. Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni, kryeministri Agim Çeku, në anën tjetër, fillimisht ka shprehur keqardhje për jetët e humbura atje, por ai nuk i ka vlerësuar këto zhvillime si kërcënim për sigurinë në Kosovë. Njëkohësisht, Çeku ka tërhequr vërejtjen se për Kosovën janë të papranueshme strukturat që nuk janë pjesë e institucioneve dhe i ka ftuar të gjithë ata që duan të kontribuojnë në të mirën e Kosovës, që t’i respektojnë institucionet. Ndërkaq, duke pasur parasysh synimet e kosovarëve për shpalljen e pavarësisë pas 10 dhjetorit, kryeministri Çeku tha se pala kosovare është duke ua bërë me dije këtë veprim të gjitha qeverive, mekanizmave dhe organizatave të rëndësishme, e në këtë kontekst, ai tha se edhe NATO-ja është e njoftuar me qëllimet e Prishtinës. Gjatë takimit ‘trepalësh’ u tha se është biseduar edhe në lidhje me ndërtimin e strukturave të përbashkëta, që do t’i duhen Kosovës pas vendimit për statusit.


XS
SM
MD
LG