Ndërlidhjet

SËRISH DHE SËRISH NË BALLKAN


"New York Times"

Ballkani ka një mënyrë të zymtë në përpjekjet për të tejkaluar stereotipin e një rajoni me konflikte mesjetare, të lidhura në nyje dhe të papajtueshme. Këtë muaj, çështja e Kosovës është dashur që më në fund të zgjidhet, por me ndërhyrjen aktive të Rusisë, jo vetëm që ky proces duket se nuk ka gjasë, por edhe serbët madje janë duke u kërcënuar me nxitje trazirash në Bosnjë, nëse Kosova shpall pavarësinë. Është koha për një diplomaci urgjente dhe kreative të fuqive botërore. Në shkurt të këtij viti, i dërguari i Kombeve të Bashkuara prezantoi një plan të arsyeshëm, me të cilin Kosova do të fitonte një pavarësi të kufizuar, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme ndërkombëtare dhe me mbrojtje e një shkallë autonomie për komunitetin serb. Por, pas protestimeve të furishme të Serbisë dhe Rusisë, Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për më shumë bisedime, deri më 10 dhjetor. Kosovarët kanë thënë se do të presin deri atëherë, por nuk do të presin më gjatë. Njëjtë duhet të veprojnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Problemi është se këto konflikte kanë të bëjnë me njerëzit që kanë pak shpirt për kompromis. Serbët refuzojnë të pranojnë se invazioni i Slobodan Milosheviqit në 99-ën ua ka humbur Kosovën. Ndërkaq, shqiptarët e Kosovës, fatkeqësisht, janë të papërgatitur për pavarësinë, të cilën e kërkojnë. Dhe, po të mos mjaftonte me kaq, Rusia është rreshtuar prapa serbëve dhe bashkërisht kanë motivuar serbët e Bosnjës që të kërcënohen me shkëputje nga kuazi-federata e Bosnjës, nëse Kosova pavarësohet. Me këtë lëmsh në Ballkan, janë Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Bashkimi Evropian ato që duhet të përballen në takimin e ardhshëm, mundësisht të fundit, gjatë bisedimeve me serbët dhe shqiptarët e Kosovës. Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, e njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e Evropës, por jo edhe nga Kombet e Bashkuara, Rusia apo Serbia, nuk do të ishte e kënaqshme; ringjallja e telasheve në Bosnjë do të ishte një tragjedi. Por, duke lejuar serbët dhe përkrahësit e tyre rusë që në vazhdimësi të nxisin konflikte, nuk mund të arrihet asgjë tjetër, përveçse të zvarritet zgjidhja e vetme e mundshme, që nënkupton grumbullimin e të gjithë popujve ballkanikë nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, aty ku për çështjet e sovranitetit, kufijve dhe mospajtimeve mesjetare ka shpresë se do të mund të zhdukeshin. Dhe, në këtë drejtim, Bashkimi Evropian duhet t'i bëjë përshtypje të gjitha palëve. Kjo është arsyeja pse Washingtoni duhet të bëjë përpjekje që t’i bindë rusët, se lojërat e tyre për neo-luftëra të ftohta janë të rrezikshme, të gabueshme dhe, padyshim, të padobishme.
XS
SM
MD
LG