Ndërlidhjet

logo-print

FUNKSIONIMI I RENDIT DHE LIGJIT – MUNDËSIA E VETME PËR PËRMIRËSIM EKONOMIK


Nadie Ahmeti

Realizmi i premtimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore, se do të ketë zhvillim të përgjithshëm ekonomik, është një sfidë e rëndë përballë institucioneve të reja, që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve të 17 nëntorit, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Ismajl Kastrati thotë se vërtet do të jetë sfidë e madhe për realizmin e tyre, sepse edhe premtimet, sipas tij, kanë qenë mjaft të mëdha. Por, megjithatë, ai pohon se një angazhim, qoftë edhe më i vogël në këtë drejtim, do të bënte kthesa të rëndësishme. “Çdo lëvizje në këtë drejtim, çdo vullnet politik i partive në kthesën mbarë të proceseve shoqërore, ekonomike në Kosovë, do të jetë i mirëpritur dhe do të japë rezultate lakmuese”, thotë Kastrati. Sfida e parë e qeverisë që do të formohet, sipas tij, është zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës dhe mundësia e ballafaqimit me trazira sociale, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë dhe varfërisë. “Ato mund të ndodhin shumë shpejt, e sidomos pas zgjidhjes së statusit, meqë shumica e popullsisë kanë duruar të gjitha këto të këqija që kanë ndodhur në Kosovë, për shkak të statusit. Mandej, është problemi zhvillimor ekonomik dhe punësimi i gjeneratave të reja, të cilat çdo ditë i afrohen tregut të punës”, pohon Kastrati. Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive e Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se nevojitet një angazhim më i madh i qeverisë së ardhshme për realizmin e premtimeve të tyre. Mundësia e vetme për një përmirësim të mundshëm, sipas saj, është funksionimi i rendit dhe ligjit. Kusari-Lila thotë se duke pasur parasysh se institucionet vendore janë akuzuar disa herë për veprime korruptuese, qeveria e re duhet që në institucionet kyçe të punësojë njerëz profesionistë dhe jo partiakë. “Disa premtime, unë sinqerisht mendoj dhe besoj, se duke marrë parasysh ambientin e përgjithshëm socio-ekonomik, do të jetë vështirë për t’u realizuar; vetëm nëse ka një strukturë shumë profesionale dhe një angazhim tejet të madh. Duke ditur kapacitetin e shërbyesve civilë në Kosovë, të cilët do të jenë bartës të disa prej këtyre projekteve, ma merr mendja se pa ndryshime strukturore, nuk mund të arrihet një pjesë e atyre premtimeve”, thotë Kusari-Lila. Një gjë të tillë e pohon edhe Ismajl Kastrati, duke shtuar se menjëherë pas formimit të institucioneve, duhet të fillohet me një administratë të konsoliduar, duke pretenduar ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe të rrisë buxhetin e konsoliduar të Kosovës. “T’i ndalin të gjitha vrimat e kontrabandës dhe keqpërdorimet për biznese të caktuara, që kanë qenë të privilegjuar në të kaluarën dhe ta shtojnë buxhetin e ta orientojnë në investime publike, të cilat do të gjenerojnë qarkullim të kapitalit dhe punësim të ri”, shprehet Kastrati. Eksperti tjetër i ekonomisë, Shpend Ahmeti, pohon se tashmë është koha që qeveria e re të ballafaqohet me problemet ekonomike, të cilat janë krijuar me vite të tëra. Sipas tij, në rend të parë, institucionet e ardhshme duhet të krijojnë ambient të përshtatshëm për investime. “Në qoftë se dëshirojmë rritje ekonomike, duhet të tërheqim investime të huaja. Dhe që ta bëjmë atë, duhet ta rregullojmë infrastrukturën, duhet të bëjmë një ambient paksa më të favorshëm për biznesin, në mënyrë që të jemi më atraktivë. Sot, në ekonominë e tregut është shumë me rëndësi të diskutohet se çka i ofron Kosova investitorëve të huaj”, thotë Ahmeti. Sidoqoftë, edhe vetë zyrtarë të partisë politike që në zgjedhjet e së shtunës ka fituar shumicën e votave, tashmë kanë deklaruar se sfida kryesore përballë institucioneve të reja, është zhvillimi ekonomik dhe ndryshimi i politikave fiskale, që do t’i ndihmonte komunitetit të biznesit dhe rrjedhimisht edhe zbutjes së papunësisë dhe varfërisë.
XS
SM
MD
LG