Ndërlidhjet

ÇEKU: KOSOVËN ASKUSH S’MUND TA LË NË TERR


Arton Konushevci

‘Kosovën askush nuk mund ta lë në terr’. Kështu kanë thënë udhëheqës të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave dhe ekspertë të ekonomisë, pas deklaratave të zyrtarëve serbë, se nëse Kosova e shpall pavarësinë, atëherë Serbia do t’i shkëpusë të gjitha linjat transmetuese që bartin energjinë elektrike. Ethem Çeku, ministër i Ministrisë së Energjisë, konsideron se ajo që e kanë thënë zyrtarët serbë, është një lojë politike. Ai më tej ka shtuar se janë marrë të gjitha masat paraprake. “Ne tani, menaxhmenti i KEK-ut bashkë me KOST-in, me ministrinë dhe me AKM-në, kemi marrë të gjitha masat paraprake për furnizim të brendshëm me energji elektrike. Kemi lidhjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe vendet tjera të rajonit, që janë lidhje të qëndrueshme. Faktikisht, Serbia edhe duke e përdorur vetëm këtë kërcënim në letër, se në anën praktike nuk mund të na dëmtojë, mund të na sjellë vështirësi, por nuk mund të na mbajë në terr”, tha ministri Çeku. Ai shtoi se nuk është hera e parë që Serbia tenton të bëjë shantazhe të tilla dhe i vetmi dëm që është shkaktuar, sipas Çekut, ka qenë ngritja e çmimit të blerjes së energjisë elektrike. “Nga shumë institucione ndërkombëtare është gjykuar Serbia për një veprim të tillë dhe mendoj se është një shkelje e normave ndërkombëtare, posaçërisht traktatit të Athinës, që ka të bëjë me tregti të përbashkët. Do të thotë, të gjitha palët duhet ta respektojnë atë. Ne, si Kosovë, e kemi respektuar maksimalisht, por ne nuk do të rrimë duarkryq, nëse Serbia tenton të na i nxjerrë nga sistemi blloqet e ‘Kosovës B’, apo të na ndërpresë mundësinë e blerjes së energjisë elektrike. Mirëpo, duhet ditur se Serbia është duke i përdorur linjat e Kosovës për transitin e energjisë elektrike dhe ne nuk do t’i lejojmë”, tha Çeku. Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, mendon se ajo që është thënë nga zyrtarët serbë, nuk duhet të merret si shqetësuese, sepse Kosova ka mundësi të tjera alternative për furnizim me energji elektrike. “Për palën kosovare nuk duhet të jetë shqetësuese. Zgjidhja më e mirë e problemit në fjalë është kërkimi i mundësive alternative, qoftë për energji, qoftë për energjetikën edhe në kuptimin më të gjerë, por qoftë edhe për produktet tjera. Por, sidoqoftë, kur është në pyetje energjia elektrike, mund të ndodhë që për një faze transite, të jetë problematike. Shqipëria mund të jetë një prej alternativave; importi kryesor në Shqipëri mund të bëhet nga Greqia dhe Italia. Mirëpo, nga vetë fakti se shumë furnizues të energjisë elektrike do ta dinë realitetin, do të ofrohen mundësi të tjera që do të kenë karakter ad-hock”, pohoi Gërxhaliu. Ai tha se nëse Serbia ndërmerr një hap të tillë, atëherë ajo do jetë një shkelëse e të gjitha marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me energjetikën. “Është më se e vërtetë që kjo është një shkelje e të gjitha marrëveshjeve dhe konventave në këtë drejtim. Mirëpo, sa do të dënohet Serbia, është diskutabile. Por, nuk duhet të merremi me atë se çka do të bëhet me Serbinë; duhet të gjejmë alternativa që pasojat e një embargoje të tillë të mundshme të jenë sa më të shkurtra dhe të gjenden rrugë alternative”, theksoi Gërxhaliu. Megjithatë, ekspertët thonë se Kosova është anëtare e traktatit të Athinës që parasheh rregullimin e raporteve të energjetikës në rajon dhe, sipas tyre, një problem i tillë duhet të zgjidhet përmes këtij traktati.

XS
SM
MD
LG