Ndërlidhjet

logo-print

ANALISTËT NUK PARASHOHIN BEFASI PAS 10 DHJETORIT


Arton Konushevci

Dhjetë dhjetori - data që shihet si vendimtare për statusin e Kosovës, sipas analistëve kosovarë, nuk do të shkaktojë ndonjë veprim të jashtëzakonshëm të institucioneve të Kosovës. Më 10 dhjetor, Treshja negociatore do t’ia dorëzojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së raportin mbi negociatat 120 ditëshe, të cilat u përmbyllën pa sukses, të mërkurën, në Baden të Austrisë. Analisti Ramush Tahiri konsideron se në institucionet e Kosovës nuk ekziston as mundësia e as dëshira e veprimit në këtë datë. “Nuk ka asnjë mundësi të veprimit të jashtëzakonshëm. Do të vazhdojë puna e rregullt, sepse data 10 dhjetor lidhet me raportin e Treshes ndërmjetësuese për bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Më 10 dhjetor, dërgohet raporti i Treshes nga këto bisedime në Kombet e Bashkuara te Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon; Ban Ki Moon e fut në procedurat e rregullta për shqyrtim në Këshillin e Sigurimit”, tha Tahiri. Ai thotë se nuk pritet asgjë as nga shpallja eventuale e pavarësisë së Kosovës apo marrja e ndonjë vendimi për organizimin e një referendumi për pavarësi. Tahiri shprehet skeptik edhe sa i përket shqyrtimit të raportit të Treshes negociuese në një kohë të shkurtër në Këshillin e Sigurimit. “Sipas proceduarave të caktuara, nëse raporti dorëzohet dhe është në unanimitet më 10 dhjetor, pritet që Ban Ki Moon, së paku një javë, ta mbajë këtë raport në proceduarat e Kombeve të Bashkuara, në rregullimin e dokumentit dhe në futjen në agjendë të Këshillit të Sigurimit. Të gjitha gjasat janë që në proceduarat më të shpejta nuk mund të hyjë para muajit shkurt, që të shqyrtohet kjo çështje në Këshillin e Sigurimit. Institucionet e Kosovës nuk guxojnë të marrin vendim të njëanshëm kundër bashkësisë ndërkombëtare, pa pritur rezultatet e raportit, sepse Ekipi i Unitetit është pajtuar me bisedimet e drejtpërdrejta dhe është pajtuar që do ta respektojë raportin që do ta bëjë Treshja ndërkombëtare”, theksoi Tahiri. Ndryshe mendon Bekim Sejdiu, ligjërues i së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Ai thotë se institucionet e Kosovës kanë mundësi të ndryshme të veprimit. “Absolutisht, nuk duhet të lejojmë; tash, ne jemi të vetëdijshëm për faktin se Kosova është një problem me dimensione të theksuara ndërkombëtare dhe, fundi fundit, konstalacioni politik ndërkombëtar do të reflektohet në zgjidhjen e statusit. Nuk ka kurrfarë dyshimi. Por, kjo nuk do të thotë që duhet të presim nga të tjerët se çka do të bëhet dhe të pajtohemi me gjithçka. Ne duhet t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë. Kosova ka institucione, ka elitë politike dhe është njëfarë kontinuiteti i veprimit politik që sa e sa vite. Ka procese politike që kanë shkuar vazhdimisht drejt pavarësisë dhe kuptohet që duhet të veprohet. Përpos asaj, klasa politike, fundi fundit, atë mandat e ka; me atë kartë, nëse e quajmë simbolikisht, kanë dalë në zgjedhje, janë legjitimuar”, tha Sejdiu. Megjithatë, ai thekson se institucionet e Kosovës, pas datës 10 dhjetor, do të kenë presione nga populli i Kosovës për shpalljen e pavarësisë dhe, nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare mund ta imponojë një periudhë të pritjes për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Mendoj se udhëheqësit tonë, pas datës 10 dhjetor, do t’i nënshtrohen një presioni të dyanshëm, ose, nëse mund ta quaj pak më ndryshe, dy presioneve që i shtyjnë në drejtime të kundërta. Në njërën anë, do t’i ekspozohen një presioni të brendshëm për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo, për faktin se ata vazhdimisht kanë premtuar që pavarësinë e Kosovës do ta shpallin. Në anën tjetër, është konstalacioni ndërkombëtar që mund të imponojë mbase një periudhë të pritjes, eventualisht të forcohet blloku që është pro pavarësisë së Kosovës. Kështu që do të mund të kishte presione nga vendet perëndimore, që eventualisht shpallja e pavarësisë të shtyhet”, u shpreh Sejdiu. Analistët thonë se Kosova duhet të këtë një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG