Ndërlidhjet

MBI 1000 VIKTIMA TË TORTURËS VETËM GJATË VITIT 2007


Nadie Ahmeti

Mbi 1000 viktima që vuajnë nga lloje të ndryshme të torturës, kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, vetëm gjatë vitit 2007. Ndërkaq, mbi gjysmë milioni njerëz në Kosovë vuajnë nga lloje të ndryshme të torturës, pjesa më e madhe për shkak të gjendjes së rëndë socio-ekonomike. Kështu është thënë sot, gjatë konferencës së fundit vjetore të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës. Feride Rushiti, drejtoreshë në këtë qendër, tha se mbi 60 për qind e viktimave që kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër, janë të gjinisë femërore, sipas së cilës, në të shumtën e rasteve viktimat vuajnë nga çrregullimet e stresit post-traumatik dhe depresioni. “Kemi çrregullime të ndryshme që manifestohen, duke u nisur nga stresi post-traumatik, depresioni, ankthi, varësia nga droga, abuzime të ndryshme, çrregullime të personalitetit, probleme në raporte martesore, e kështu me radhë. Secili rast sjell historinë e vet specifike dhe varësisht prej historisë specifike, qasja orientohet në atë formë”, pohon Rushiti. Edhe në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë ka raste të shumta, ku viktimat kërkojnë ndihmë për shkak të torturës, thotë psikiatri Shaban Mecinaj. Ai thotë se, sipas viktimave, problem kryesor paraqitet gjendja e rëndë ekonomike në familjet e tyre. Por, sipas Mecinajt, këtu edhe paraqitet problemi kryesor për trajtimin e këtyre viktimave, pasi, thotë ai, viktimat kthehen prapë në ambient ku do të ballafaqohen me strese të përditshme. “Problemi më i madh është se këta persona, të cilët marrin trajtim në kliniken e psikiatrisë dhe lirohen si pjesërisht të trajtuar ose në tërësi të trajtuar, kthehen në komunitet dhe aty nuk mund ta vazhdojnë rehabilitim, sepse, dihet se shumicës prej tyre i mungon përkrahja familjare, për shkak të kushteve sociale”, thotë Mecinaj. Edhe Feride Rushiti thotë se ambienti socio-ekonomik nuk është i përshtatshëm për të mbijetuar viktima. “Në Kosovë, vetë rrethanat aktuale nuk janë favorizuese për viktimën. Kështu që shumë herë ato janë të mbyllura, nuk kanë kontakt me rrethin, janë jo aktive, janë jo nëna të mira, çka manifestohen edhe në rrethin familjar dhe shoqëror”, shprehet Rushiti. Ajo thotë se edhe vetë shoqëria kosovare, në një mënyrë, po e vështirëson jetën e viktimave. “Është edhe më shumë vështirë kur mentaliteti kosovar nuk mundohet t’i përkrahë këto viktima, por, në mënyrë indirekte, ndoshta e keqëson edhe situatën e tyre. Kështu që mund të them se jeta e tyre, dita-ditës, vështirësohet”, thekson Rushiti. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës tërheq vërejtjen se tortura është problem serioz dhe kërkon vëmendjen e institucioneve vendore dhe organizatave joqeveritare, që ajo të parandalohet dhe të zhduket.
XS
SM
MD
LG