Ndërlidhjet

PAS 10 DHJETORIT, PRISHTINA PARALAJMËRON CAKTIMIN E DATËS SË PAVARËSISË SË KOSOVËS


Zijadin Gashi

Pas datës 10 dhjetor, Kosova do të vendosë për kohën dhe ditën e shpalljes së pavarësisë, paralajmërojnë zyrtarë vendorë. Ndërkaq, paraprakisht, Ekipi Negociues i Kosovës i pret dhe i konsideron si shumë të rëndësishme disa takime në nivelin ndërkombëtar, përfshirë takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, takimin e Këshillit të Evropës në nivelin e shefave të shteteve, si dhe mbledhjen e Grupit të Kontaktit dhe takimin e Këshillit të Sigurimit, më 19 dhjetor. Zëdhënësi i Ekipit Negociues, Skënder Hyseni, thotë se këto takime në masë të madhe do të tregojnë se cilat do të jenë hapat për Kosovën në planin ndërkombëtar. Ndërkaq, në planin e brendshëm, ai veçon përgatitjet për shpalljen e pavarësisë. “Sa i përket qëndrimit kosovar, Ekipi i Unitetit është i vendosur që shumë shpejt pas 10 dhjetorit, të vendosë për hapat që duhet bërë, përkatësisht të vendosë për kohën, ditën, datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe për dërgimin e kërkesës për njohjen ndërkombëtare të kësaj pavarësie”, thotë Hyseni. Ai thotë po ashtu se vendimi i Kosovës për deklarimin e pavarësisë do të jetë i koordinuar dhe jo i njëanshëm. Prandaj, Hyseni paralajmëron edhe takime të përfaqësuesve kosovarë me ata të qeverive të vendeve që e përkrahin Kosovën e pavarur me një mbikëqyrje ndërkombëtare. Në çdo rast, Kosova, sipas Hysenit, do të preferonte që Rusia të mos e bllokojë procesin në Këshillin e Sigurimit, por, në rast se kjo ndodh, ai thotë se ka edhe forma të tjera të marrjes së vendimeve. “Natyrisht që Kosova do ta mirëpriste shumë një vendim pozitiv në Këshillin e Sigurimit, një vendim i cili do ta përkrahte rekomandimin e presidentit Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur; do ta mirëpriste patjetër, sepse do t’ia lehtësonte shumë punën Kosovës në të ardhmen, por jo me çdo kusht. Kosova e ka thënë qartë, por ka edhe një vetëdije dhe një qëndrim, i cili po konsolidohet edhe në bashkësinë ndërkombëtare, që Kosova nuk mund të mbetet peng i gatishmërisë ose mosgatishmërisë së ndonjë vendi, për ta përkrahur këtë proces jetik për Kosovën dhe Evropën Juglindore”, vlerëson Hyseni. Në anën tjetër, analistët parashohin një temp jo aq dinamik të zhvillimeve, kur bëhet fjalë për faktorin kosovar. Analisti Driton Lajçi thotë se Kosovës së pari i duhen institucionet e reja të konstituuara, para se të marrë vendime. E po ashtu, ai nënvizon edhe faktin se marrja e vendimeve të mëdha, nuk mund të pritet këtë vit, kur dihet se për pak ditë do të fillojnë festat e fundvitit. “Për këtë vit nuk do të ketë ndonjë vendimmarrje, për sa i përket statusit të Kosovës. Raporti i Treshes ndërkombëtare do të shkojë në duart e Ban Ki Moon-it, e pastaj do të shohim se çfarë do të propozojë Sekretari i Përgjithshëm. Do të thotë, është në duart e tij që fillimisht t’i mbledhë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe të shohë se a ka konsensus; pastaj, është e mundshme që të sugjerojë ndonjë zgjidhje tjetër, ndonjë formë tjetër, ndonjë formë konference, apo vazhdim të bisedimeve, apo edhe do të hapet rruga për shpalljen e njëanshme të shtetit të Kosovës, e kështu me radhë”, thekson Lajçi. Ndërkohë, lidhur me vendimin përfundimtar për statusin, edhe Lajçi thotë se nëse Rusia nuk e ndryshon qëndrimin, atëherë Kosovës nuk i mbetet tjetër zgjidhje, pos që ta shpallë pavarësinë në formë të njëanshme. “Nëse mbetet qëndrimi i betonuar rus dhe nëse politika ruse nuk ndryshon sa i përket procesit të statusit final të Kosovës, atëherë shpallja e njëanshme e shtetit të Kosovës do të futet në rrugë njëkahëshe, njëdrejtimëshe dhe nuk ka alternativë tjetër”, thotë Lajçi. Përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes për statusin e Kosovës, fillimisht patën rezultuar me pakon e Ahtisaarit, dokument ky që ka përkrahjen e shumicës së vendeve të angazhuara në proces, si edhe të Prishtinës, si palë në bisedime, por jo edhe të palës tjetër, Beogradit dhe të Rusisë, po ashtu e angazhuar në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ndërkaq, pas fazës shtesë të negociatave, Treshja ndërmjetësuese nuk arriti të dalë me ndonjë dokument, por me një raport që i është proceduar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Kështu që në mungesë të marrëveshjes, tash priten hapat e mekanizmave ndërkombëtarë në njërën anë dhe të Prishtinës në anën tjetër, para se të vendoset se si do të finalizohet çështja e statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG