Ndërlidhjet

MOORE:"ÇËSHTJA E KOSOVËS TASH KA DALUR JASHTË KOMBEVE TË BASHKUARA"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Këshilli i Sigurimit në takimin e fundit sinjalizoi se nuk do të jetë në gjendje të zgjidhë statusin e Kosovës dhe se zgjidhja duhet të vijë jashtë Kombeve të Bashkuara. Çfarë do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
Do të thotë ate që secili e ka ditur, se Rusia do të bllokoj zgjidhjen në Kombet e Bashkuara dhe rrjedhimisht çështja duhet të dalë jashtë OKB-së. Kjo nëkupton se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të zbatojn planin e Ahtisarit. Me këtë rast duhet thënë se ministri i Jashtëm italian Masimo D'Alema synoi të vë në të njejtën pozitë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, duke thënë se Uashingtoni paska bërë presion te kosovarët, që të mbajnë pozicion të fuqishëm pro pavarësisë. Por, secili e di se kosovarët nuk do të pranonin asgjë më pak se pavarësia, pavarësisht qëndrimit amerikanë. Por, prononcimi i D'Alemës reflekton paaftësinë e disave që të mendojnë ose thonë çfardo pozitive për Shtetet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia ka dërguar karburante bërthamore në Iran. Pas këtij veprimi gazeta "Time" shkroi:"Dyshohet se Kremlini ka bërë këtë veprim si sinjal Perendimit rreth pavarësisë së Kosovës. Rusia dërgoi sinjal se mund të krijoi probleme në planin ndërkombëtar nëse zëri i saj nuk dëgjohet". Cili është komenti i juaj?

PATRICK MOORE
Që nga 10 shkurti kur në Mynih Putini bëri fjalimin anti – amerikan, Rusia ka bërë një politikë të jashtme obstruksioniste. Synimi i tyre është vështirësimi i gjërave për amerikanët sa më shumë që është e mundur. Në këtë plan ata gëzojnë simpatinë e disave elementeve në Bashkimin Evriopian, siç janë socialdemokratët gjermanë. Ndërkaq, çështja e Iranit nuk besoj të jetë e lidhur me Kosovën, por është pjesë e një politike obstruksioniste. Në fakt si Kosova ashtu edhe Irani janë në planet e Rusisë për t'u bërë obstruksion Shteteve të Bashkuara. Rusia është obstruksioniste në rastin e Kosovës, jo se ajo ka çfardo rëndësie për ata, por janë dy qëllime tjera: një, t'u bëhet obstruksion amerikanëve dhe së dyti, përfitimi i një kapitali në Serbi për ta zgjëruar pastaj rolin e tyre në ekonominë serbe. Ata janë të interesuar për të blerë kompanitë serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia këto ditë është kërcnuar se do të godasë bazat e propozuara amerikane në Poloni dhe Çeki nëse Pentagoni nuk heqë dorë nga ato. A ka edhe kjo ndonjë lidhje me Kosovën dhe a ju tingllon si kërcënim nga koha e Luftës së Ftohtë?

PATRICK MOORE
Rusia jeton me mentalitetin e Luftës së Ftohtë që nga fjalimi i Putinit në Mynih. Në qershor Vladimir Putini dhe Sergej Ivanovi gjithashtu kishin kërcnuar Çekinë dhe Poloninë se do ta godasnin me raketa dhe rrjedhimisht kërcnimet e fundit nuk janë diç e re. Merrni me mend, në vitin 2007 flitet për goditje të vendeve me raketa. Mentalitet të këtillë kemi parë edhe në Serbi te kryeministri Koshtunica, te liderët e Partisë Radikale që dalin nga zhgënjimi për Kosovën. Qarku kompletohet nëse themi se Marko Jakshiq, përfaqësues i serbëve të Kosovës nga partia e Koshtunicës ftoi për bashkëpunim ushtarak të Serbisë me Rusinë. Tomislav Nikoliq madje ka kërkuar që trupat ruse të ftohen në Serbi.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG