Ndërlidhjet

ANALISTËT: ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NË SERBI PA NDIKIM NË STATUSIN E KOSOVËS


Arton Konushevci

Zgjedhjet presidenciale në Serbi nuk kanë ndonjë ndikim të madh në raport me statusin e Kosovës, por kanë një ndikim në stabilitetin rajonal dhe në marrëdhëniet afatgjata, thonë analistët politikë në Kosovë. Lulzim Peci thotë se nëse fiton Boris Tadiq, i cili shihet si një nga kandidatët më seriozë, politika e Serbisë në raport me statusin e Kosovës do të mbetet e njëjtë. Por, nëse fiton udhëheqësi i radikalëve, Tomislav Nikoliq, atëherë shpallja e pavarësisë, thotë zoti Peci, mund të përshpejtohet. “Nëse fiton Nikoliqi, atëherë do të rritet përkrahja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës shumë më tepër sesa tani dhe në një formë do ta izolonte edhe vetë kërkesën ruse për bllokimin e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, nëse fiton Tadiqi, ne praktikisht do ta kemi situatën e njëjtë çfarë e kemi tani”, tha Peci. Ai shpjegon se pse fitorja eventuale e radikalëve ndoshta mund të shihet edhe si një proces, që do t’i qartësonte gjërat në të ardhmen. “Përfundimisht do të vërtetohet se me një qeveri radikale dhe një kryetar radikal në Serbi, është e pamundshme të mendohet çfarëdo forme e mëtutjeshme, edhe e atyre që e mendojnë kompromisin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër, kjo do t’i konvenonte edhe Kosovës, edhe Serbisë, sepse Serbia duhet ta harxhojë kartën e radikalizmit. Ndërsa, Kosova do të ketë shanse me qeverinë e ardhshme që të ndërtojë marrëdhënie më të mira, sesa që i ka tani me Tadiqin dhe me të tjerët”, u shpreh Peci. Nga ana tjetër, analisti tjetër, Driton Lajçi, vlerëson se nuk ka ndonjë dallim të madh midis politikave të kandidatëve kryesorë për president të Serbisë kundruall Kosovës. “Në përgjithësi është e njëjtë dhe ka një unitet të plotë të lidershipit politik të Serbisë, sa i preket çështjes së Kosovës. Natyrisht, gjuha është ashpërsuar sidomos gjatë fushatës elektorale në Serbi. Mirëpo, ka një dallim, bazuar në prononcimet e fundit të presidentit Tadiq dhe kundër-kandidatit kryesor Nikoliq. Ka një dallim esencial, se i pari e sheh mbajtjen dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës me të gjitha mjetet politike diplomatike, duke përjashtuar ato ushtarake. Kurse, kundër-kandidati tjetër, Nikoliq, i përfshin të gjitha mjetet, duke shtuar edhe mjetet ushtarake. Prandaj, ka dallim në rast të zbatimit të forcës; radikalët e Serbisë e kanë edhe në agjendë, koncept të politikës së tyre mbajtjen e Kosovës edhe përmes luftës”, tha Lajçi. Megjithatë, ai konsideron se për serbët është e rëndësishme që demokratët të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme. “Është me rëndësi fitorja e demokratëve në Serbi, në radhë të parë, për të mirën e vetë Serbisë dhe natyrisht ndikimet e tyre që mund t’i kenë në rajon. Është interes historik, jetik i vetë serbëve që t’i zgjedhin demokratët të tillë çfarë janë, edhe pse ata nuk korrespondojnë në tërësi me konceptin e të qenit demokratë. Mirëpo, është më mirë edhe për vetë Serbinë, edhe për rajonin, që kampi demokrat të jetë fitues”, theksoi Lajçi. Sido që të jetë, dallimi i vetëm midis dy kandidatëve kryesorë, sipas analistëve, është se njëri, Boris Tadiq, nuk synon ta sakrifikojë bashkëpunimin me bllokun evropian për Kosovën, kurse Tomislav Nikoliq po.
XS
SM
MD
LG