Ndërlidhjet

Institucionet e biznesit në Kosovë të gatshme për embargon e mundshme nga Serbia



Institucionet e Kosovës dhe organizatat e ndryshme që merren me biznes, thonë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, në rast se Serbia vendos embargo ekonomike ndaj Kosovës.

Igballe Rexha, nga departamenti i tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme nëse Serbia ndërmerr një hap të tillë. “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë përgatitje në atë drejtim, që bizneset të jenë të gatshme që të orientohen edhe në vendet tjera, jo vetëm në importet prej Serbisë”, tha Rexha.

Nga ana tjetër, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se sektori privat është i përgatitur për sanksionet e mundshme ekonomike, nëse Serbia vendos një veprim të tillë. Ai shtoi se Oda Ekonomike tashmë ka evidentuar të gjitha produktet që vijnë nga Serbia, që në rast embargoje, të zëvendësohen me produkte nga vendet tjera të rajonit. “Sektori privat në Kosovë është shumë më i avancuar në këtë drejtim; ka bërë përgatitje shumë më të mëdha, sesa që ka pasur iniciativa qeveritare. Ne, si Odë Ekonomike, i kemi kontaktuar të gjitha odat homologe të rajonit. I kemi dërguar listat, apo kemi diskutuar për produktet që vijnë nga Serbia dhe ku janë mundësitë e odave dhe vendeve nga vijnë ato oda, që këto vrima të mbushen. Dhe, në këtë drejtim, nuk kemi nevojë aspak për t’u shqetësuar”, tha Gërxhaliu.

Ai pohoi se një veprim të tillë vështirë se do ta realizojë Serbia, për shkak të interesave të ndërmarrjeve serbe. Megjithatë, Gërxhaliu thotë se edhe nëse situata ekonomike në Kosovë vështirësohet nga një embargo e tillë, komuniteti i biznesit kosovar ka krijuar raportet e nevojshme me bizneset e shteteve fqinje me Kosovën. “Sidoqoftë, ka qenë fascionuese gatishmëria e sektorit privat në Kosovë; shumica prej tyre veç tani kanë krijuar rezerva të prodhimit të grurit dhe të miellit nëpër portet siç është ai i Tivarit, i Durrësit e i Selanikut dhe më gjerë. Dhe, e tëra kjo është një garanci që nuk ka arsye për ndonjë alarmim të kësaj situate. Në fund të fundit, ndoshta këta biznesmenë duhet të jenë të përkrahur nga Qeveria e Kosovës, që vërtet të fillohet në mënyrë spontane, apo të themi në një mënyrë të qetë, krijimi i rezervave shtetërore për këto produkte strategjike. Deri më tani, një gjë e tillë ka munguar, por me siguri që Qeveria e re do ta ketë në fokus një problem të tillë dhe ai do të jetë një fasilizator i daljes nga situatat e tilla emergjente”, u shpreh Gërxhaliu.

Por, Igballe Rexha, nga MTI-ja, ka thënë se nuk ka nevojë për shqetësim, sepse, sipas saj, nëse eventualisht Serbia vendos sanksione ekonomike, kjo do të ndikojë vetëm në një periudhë afatshkurtër. “Nuk është mirë të krijohet një panik i madh, as te popullata, as te bizneset. Po ashtu, mendojmë se nuk do të jetë ndonjë periudhë e gjatë, sepse interesi i bizneseve është reciprok dhe përveç ndikimit ekonomik, do ta ketë edhe atë politik, kështu që nuk do të jetë ndonjë periudhë e gjatë edhe nëse ndodh”, theksoi Rexha.

Sido që të jetë, një embargo të tillë, Serbia e ka paralajmëruar në rast të pavarësimit të Kosovës. Ndërkaq, ekspertët për çështje ekonomike tashmë kanë deklaruar se në rast të një embargoje të tillë, dëmet më të mëdha do të jenë për vetë Serbinë.
XS
SM
MD
LG