Ndërlidhjet

TRAJKOVIQ: PARLAMENTI SERB – JOLEGJITIM DHE PROBLEMATIK


Albana Isufi

Vendimi i Asociacionit të komunave dhe vendbanimeve serbe për të transformuar këtë trup në Parlamentin Serb të Kosovës, nuk është i pranueshëm për të gjithë serbët. Përderisa ideatorët e këtij trupi e shohin Kuvendin serb si një mekanizëm që do t’i ruajë të drejtat e tyre në Kosovë, disa politikanë serbë e shohin atë thjesht si një trup jolegjitim. Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb i Kosovës, thotë se për serbët e Kosovës do të ishte i mirëseardhur ndonjë trup që do të krijohet nga krerët shtetërorë të Serbisë dhe jo një organ, siç e quan ajo jolegjitim. “Jemi në një situatë, ku në realitet kemi dy organizata tërësisht totalitare do të thosha; njëra radikale, me mendim të njëjtë, dhe tjetra që ofron asimilimin si ardhmëri, për të përmbushur interesat e veçanta në këto hapësira, që të sigurojë njëfarë paqe, madje edhe me anë të frikësimit të popullit serb. Por, neve na duhet një rrugë e mesme, por, fatkeqësisht, kjo nuk po shihet. Në ditën e shtetit të Serbisë, formimi i Kuvendit pa përfaqësues legjitimë, për mua është problematik. Kam thënë shumë qartë se formimi i Kuvendit, që duhet të mbahet në Graçanicë, përbëhet nga njerëzit që mendojnë njësoj, sikurse edhe strukturat që u paraqitën në veriun e Mitrovicës”, tha Trajkoviq. Por, ndryshe nga Trajkoviq, kreu i Asociacionit të komunave serbe, Marko Jakshiq, mendon se vetëm një trup, siç është Parlamenti serb, do t’ua kthejë, siç thotë ai, të drejtat komunitetit serb. “...që ne të merremi vetë me të drejtat tona qytetare, duke pasur parasysh se ne jemi trashëgimtarë të parë të institucioneve serbe, ndërsa institucionet e formuara nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët, për ne janë struktura paralele”, tha Jakshiq. Trupi i quajtur Parlamenti Serb pritet të formohet më 15 shkurt, në një nga festat fetare ortodokse. Nënkryetari i Asociacionit të Komunave Serbe, Tomislav Zhivkoviq, ka deklaruar se ky mekanizëm do të jetë i obliguar që t’i miratojë aktet ligjore, me të cilat do të mbrohen të drejtat e serbëve në Kosovë. Ndryshe, spektri politik serb në Kosovë ka kohë që është i ndarë dhe nuk ka një qëndrim të përbashkët politik. Përderisa Këshilli Nacional Serb në veri, Lista Serbe për Kosovën, si dhe degët e subjekteve politike të Serbisë në Kosovë kanë bojkotuar zgjedhjet dhe institucionet, disa parti të reja politike serbe tashmë janë bërë pjesë e qeverisjes në Kosovë. Megjithatë, edhe deputetët serbë, siç është ish-ministri i Kthimit, Sllavisha Petkoviq, kanë kërcënuar se do ta lëshojnë Kuvendin e Kosovës në rast të shpalljes së pavarësisë.
XS
SM
MD
LG