Ndërlidhjet

SHPALLJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS NË SHKURT – FUQIZIMI NË MARS


Zijadin Gashi

Kosova nuk do të vonohet asnjë orë në përgatitjet e saj për pavarësi, ka thënë sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Edhe sot, Krasniqi ka përsëritur se muaji shkurt do të jetë muaji i pavarësisë së Kosovës, duke mos konfirmuar ndonjë datë të caktuar. Ndërkaq, lidhur me përgatitjen e deklaratës së shpalljes dhe kërkesës për njohjen ndërkombëtare, Krasniqi tha se ajo do të përmbajë parimet e përcaktuara edhe me preambulën e Kushtetutës, e cila është në përfundim e sipër. “Përgjegjësitë e veta, unë si kryetar, dhe Kuvendi i Kosovës do t’i kryejmë me kohë dhe për këtë Kuvendi i Kosovës nuk do të vonohet jo një ditë, por as edhe një orë. Ju kam thënë edhe më herët se pavarësia do të shpallet në muajin shkurt dhe tash nuk është më e rëndësishme thënia e ditës, atë po e dinë të gjithë”, tha Krasniqi. Udhëheqësit e institucioneve, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi janë takuar sot, për të diskutuar përgatitjet për aktin e shpalljes së pavarësisë dhe çështjeve që ndërlidhen me këtë çështje, por pa praninë e medieve. Kryeparlamentari kosovar, Jakup Krasniqi, thotë se Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seanca të vazhduara, për t'i përmbushur zotimet e Kosovës jo vetëm në formë deklarative, por edhe në formën faktike e juridike të miratimit të të gjitha akteve kushtetuese e ligjore që ndërlidhen me shpalljen e pavarësisë. “Shpallja e pavarësisë po ndodhë në koordinim të plotë me SHBA-të, BE-në dhe pothuajse me gjithë komunitetin ndërkombëtar, që janë duke e mbështetur pavarësinë e Kosovës. Natyrisht që pavarësia do të ketë shumë faza dhe jo vetëm dy faza”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi. Ndërsa në grupet punuese për kushtetutën, simbolet, tranzicionin dhe atë për ligjet e pakos së Ahtisaarit është përfshirë edhe opozita, ende nuk është mbledhur edhe grupi i nivelit më të lartë politik, i përbërë nga udhëheqësit e institucioneve dhe liderët e opozitës, që ka për qëllim hartimin e deklaratës së pavarësisë. Deklarata e pavarësisë, sipas nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashit, pritet të përmbajë qartë edhe formulimin për Kosovën shtet të pavarur e sovran. “Sigurisht që deklarata duhet të jetë e ndërlidhur ngushtë me deklaratën e pavarësisë së Kosovës, e cila është draftuar dhe është ai drafti përfundimtar që do të publikohet shumë shpejt. Por, ajo që ne na është dhënë si informacion, si opozitë, është se në deklaratë do të figurojë edhe formulimi për Kosovën shtet të pavarur e sovran. Por, natyrisht që në deklaratë do të ketë edhe formulime ku dalin detyrimet e Kosovës për ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve më të vogla etnike, në veçanti të komunitetit serb”, vlerëson Ibrahim Gashi. Sa i përket fuqizimit të vendimit për pavarësinë e Kosovës, Ibrahim Gashi thotë se ka përvoja në botë që vendet e ndryshme kanë pritur edhe deri në 3 muaj. Por, për Kosovën, ai beson se fuqizimi do të ndodhë diku më 10 mars, ndërkohë që nga data e nxjerrjes së deklaratës së pavarësisë, që përflitet se mund të miratohet më 17 shkurt, deri më 10 mars, do të miratohen aktet tjera që e mundësojnë funksionimin e Kosovës si shtet. “Institucionet e Kosovës duhet të japin prova se po zbatojnë me përpikëri dokumentin e Ahtisaarit dhe tërë legjislacionin po e harmonizojnë me këtë dokument. Kjo do të jetë, mendoj unë, si parakusht që të ndodhë fuqizimi në afatin që është përmendur, më 10 mars dhe sapo që kjo të raportohet te qendrat e vendosjes, unë mendoj që në atë optimum do të ndodhë edhe fuqizimi”, thotë Gashi. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e shteteve botërore, sipas zyrtarëve në Prishtinë, do të pasojë menjëherë deklaratën e shpalljes së pavarësisë dhe nuk do të ketë nevojë të pritet për fuqizimin, ndërkaq me fuqizimin e pavarësisë do të pasojë vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe atyre vendeve që e njohin atë si shtet të pavarur.

XS
SM
MD
LG