Ndërlidhjet

"Ftesë për kremtë dinjitoze"


LAJM
Shënimi i Ditës së Pavarësisë me të ftuar jashtë Kosovës pritet të organizohet me një mars, me manifestim qendror në sallen e sporteve “Një Tetori”, në Prishtinë. Autoritetet kosovare planifikojnë që në këtë manifestim të ftojnë numër të madh të personaliteteve evropiane dhe botërore, në mesin e të cilve edhe Javier Solana.

KOSOVA SOT
Pas një kohe të gjatë, Kosova ka filluar të ndjejë erën e pavarësisë. Flamujt edhe kësaj here duket se do të jenë simbole të shprehjes së gëzimit. “Bac, u kry”, është motoja me të cilën disa të rinj i janë drejtuar komandantit legjendar, Adem Jasharit. Gjithçka është e përgatitur për festimin e ditës së pavarësisë.

NACIONAL
Ambasadorët e Serbisë në Gjermani, Itali, Francë, por edhe në Vatikan e Belgjikë i kanë përgatitur valixhet dhe janë të gatshëm që në fillim të javës së ardhshme të kthehen në vend, nëse Prishtina shpall pavarësinë. Tërheqja e ambasadorëve për konsultime në Serbi në rast të pavarësisë së Kosovës, shkruan gazeta Blic e Beogradit, është një nga masat kundërvepruese të Qeverisë serbe që ka të bëjë me veprimet e Beogradit ndaj vendeve, që e njohin pavarësinë e Kosovës.

BOTA SOT
Në orët e paradites ka hyrë në fuqi plani implementues ”Statusi”, i cili është përdorur në shënimin e nivelit të sigurisë në tërë territorin e vendit në ditët festive të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë planprogram janë të përfshirë në bashkëveprim organet e SHPK-së, Policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-i, të cilet kanë për synim ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, pasurisë dhe monumenteve historike.

EXPRESS
Kosova, shteti më i ri në botë, do të shpallet e pavarur të dielën, në orën 15. Një agjendë e shpërndarë në adresat e “personave të rëndësishëm” dhe që ka tentuar t’u shmanget gazetarëve, ka zbuluar përfundimisht se shpallja e shtetësisë do të bëhet pikërisht në ditën e pritur - të dielën, më 17 shkurt. Deri më tash, këtë datë nuk e ka konfirmuar asnjë lider i besueshëm politik, për shkak të shqetësimeve që ndërlidhen me sigurinë e imazhit që do të dalë nga Kosova atë ditë dhe të ngjarjeve në Serbi.

KOHA DITORE
Ditën e fundit të javës së fundit pa pavarësi të Kosovës në Bruksel, BE-ja e ka kaluar duke finalizuar përgatitjet për reagimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë, ndonëse ajo që është kryesorja, e ku duhet të shihet uniteti i BE-së, miratimi i dokumentit të përbashkët të BE-së ende nuk është dakorduar. Sidoqoftë, burime diplomatike evropiane pohojnë se pasi Kuvendi i Kosovës ta shpallë pavarësinë të dielën, BE-ja, në takim të ministrave, do të ‘marrë në dijeni’ këtë zhvillim, ndërsa vendet kryesore të saj, si: Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, që të hënën do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

ZËRI
Në vend të atmosferës festive, një konfuzion i madh ka mbretëruar dje në Prishtinë, si rrugëve, ashtu edhe brenda vetë institucioneve, se kur po shpallet pavarësia e Kosovës. Mbase më meritorët për këtë konfuzion ishin vetë ata që po e drejtojnë procesin, presidenti Fatmir Sejdu, i cili nuk është parë këto ditë fare para mediave dhe opinionit, si dhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili thërret të gjitha mediat më të fuqishme botërore, që janë sot në Prishtinë, të ndjekin ngjarjen më të rëndësishme historike të Kosovës, në konferencë u kumton atyre lajmin se po e hap një zyrë për komunitete.

EPOKA E RE
Agjenda e shpalljes së pavarësisë së Kosoëvs:
Në orën 10, kryeministri niset nga Qeveria drejt Parlamentit të Kosovës - dorëzon kërkesën për seancë të jashtzakonshme të Parlamentit. Në orën 11, kryeministri e bën publike kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit. Në orën 12, takimi i Kryesisë së Kuvendit. Në orën 13 e 30, takimi i grupeve parlamentare. Në orën 15, seancë plenare e Kuvendit të Kosoëvs. Në orën 18, deklarata e tre liderëve në Prishtina Media Centre. Në orën 18 e 30, ngritja e obeliskut të pavarësisë para Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Në orën 19, koncerti i Filharmonisë së Kosoëvs. Në orën 20, koncert në sheshin e Prishtinës. Në orën 22 e 50, presidenti dhe kryeministri i drejtohen masës së tubuar. Në orën 23, ndezja e fishekzjarrëve në katër pjesë të ndryshme të Prishtinës.

INFOPRESS
Përmes një letre interne që u ka dërguar punëtorëve të stafit të UNMIK-ut, PSSP-ja, Joachim Ruecker u ka përcjellë mesazhin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për neutralitet me rastin e shpalljes së pavarësisë dhe mospërzierjet në manifestimet që do të mbahen me këtë rast.
XS
SM
MD
LG