Ndërlidhjet

Thaçi: Nesër implementohet vullneti i qytetarëve


Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës

Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka konfirmuar se dita e nesërme do të jetë ditë e implementimit të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar se institucionet e Kosovës nesër do ta implementojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht do të shpallin pavarësinë e vendit.

“Ne e kemi agjendën tonë, të cilën do ta respektojmë si institucione të Kosovës, bashkë me komunitetin ndërkombëtar. Prandaj, edhe dita e nesërme do të jetë ditë e qetësisë, e rendit, e mirëkuptimit, e angazhimeve shtetërore për implementimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri i bëri këto komente pas takimit me liderët fetarë të Kosovës, ku së bashku i kanë ftuar qytetarët e Kosovës që ta festojnë në mënyrë të qetë shpalljen e pavarësisë.
“Kosova gjithmonë ka qenë vend i tolerancës, paqes, mirëkuptimit, i tolerancës ndëretnike e ndërfetare, vend i solidaritetit, i bashkëjetesës, i vizionit të drejtë, pro-perëndimor, i kultivimit të besimeve. Prandaj, ne ua dërgojmë mesazhin si institucione, si komunitete fetare, për qytetarët e Kosovës, që të kemi festim dinjitoz nga qytetarët e Kosovës në ditën e shpalljes së pavarësisë”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, duke uruar popullin për pavarësinë, që pritet të shpallet nesër, ka kërkuar nga ai që të jetë tolerant gajtë festimit.
“Populli ynë, shekuj me radhë, ka sakrifikuar për këtë ditë dhe të gjithë së bashku u dakorduam se gjithmonë do të dërgojmë mesazhe paqeje, dashurie e respekti në mes vete, duke respektuar vlerat e besimit të çdo komuniteti që jeton në Kosovë. Dhe, në të njëjtën kohë, uroj popullin tonë për këtë ditë të madhe që e presim, ku ëndrra jonë do të realizohet me pavarësinë e vendit tonë”, tha Tërnava.

Një mesazh të ngjashëm për paqe dhe kremte dinjitoze ka dërguar edhe ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.
“E kemi pritur këtë ditë të madhe shumë kohë dhe ne kemi ditur të vuajmë së bashku, kemi ditur të gëzohemi së bashku, pra kemi ditur të vuajmë me dinjitet. Prandaj, duhet të gëzohemi me dinjitet, që çdo qytetar i Kosovës të ruajë gëzimin, duke mos shkaktuar zemërim te të tjerët”, tha ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Edhe pse tashmë mediat vendore kanë publikuar agjendën e pavarësisë, institucionet nuk kanë deklaruar zyrtarisht asgjë rreth kësaj agjende.
Sidoqoftë, përgatitjet për të festuar shpalljen e pavarësisë tashmë kanë filluar kudo nëpër qendrat e Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës duke komentuar paralajmërimin se një delegacion shtetëror serb do të qendrojë nesër në vendet e banuara me shumicë serbe, ka pohuar se asgjë nuk do ta pengojë pavarësimin e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi ka vizituar gjatë ditës së sotme edhe kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz, ku ka thënë se kjo do të jetë vizita e fundit para shpalljes së pavarëisë.

XS
SM
MD
LG