Ndërlidhjet

MAJKO: TANIMË KOSOVA MUND TË KONSIDEROHET NJË NJËSI MË VETE, DE FAKTO E PAVARUR


Pandeli Majko, Sekretar i Përgjithshëm i PS- Shqipëri

EVROPA E LIRË
Zoti Majko si e vlerëson opozita e majtë në Shqipëri fillimin këtë muaj të bisedimeve për përcaktimin e statusit në Kosovë. A prisni një zgjidhje reale nga këto bisedime dhe për mendimin tuaj, sa do të jetë kohëzgjatja e tyre?

PANDELI MAJKO
Mendoj se këto bisedime kanë qenë shumë të mirëpritura. Tashmë që u përcaktua data e fillimit të dialogut, mendoj se në fund të fundit kemi një moment ku shqiptarët do të shprehin qartë pozicionin e tyre për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
Ka patur shumë zhvillime pas vitit 99; tanimë Kosova mund të konsiderohet si një njësi më vete de fakto e pavarur, por mendoj se dialogu me serbët nën hijen e ndërkombëtarëve, është dhe një moment që do të sjellë reflektime, jo vetëm për atë se çfarë do të vendoset për Kosovën, por dhe për balancat e të ardhmes në rajon si dhe për integrimin e tij në Bashkimin Evropian.

EVROPA E LIRË
Cili është roli që duhet të luajë politika dhe institucionet në Shqipëri gjatë mbajtjes së negociatave për Kosovën?

PANDELI MAJKO
E kam të vështirë të bëj një parashikim për këtë, pasi për disa çështje kam patur rezervat e mia. Megjithatë mendoj se krahasuar me të kaluarën, kemi një situatë të re në Kosovë, nuk mund të flitet më për një kujdes të tepruar që mund të ketë patur Tirana zyrtare ndaj Prishtinës, pasi tani ajo nuk mund të orientohet në diskutimin e çështjeve nën hijen e Tiranës. Tanimë në Kosovë bëhet fjalë për institucione të konsoliduara, si Presidenti, Parlamenti dhe institucione të tjera të rëndësishme; pra një hapësirë e cila funksionon si shtet.
Jam i bindur që në dialogun e nisur për përcaktimin e statusit, mbi të gjitha Kosova do të përfaqësohet si shtet dhe çdo hijezim që do të vinte nga Tirana zyrtare në mënyrë thelbësore do të kufizonte paraqitjen e Prishtinës si kryeqytet i Kosovës.

EVROPA E LIRË
A ka një konsensus mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri për çështjen e Kosovës?

PANDELI MAJKO
Ne jemi përpjekur që jo vetëm për Kosovën, por dhe për çështje strategjike për vendin dhe kombin të gjejmë konsensus. Megjithatë jemi çuditur nga disa momente të politikës së jashtme të qeverisë Berisha, e cila ka vrapuar të deklarojë se "çfarë nuk është në situatën e zhvillimeve në Kosovë", duke thënë se nuk është aktor, nuk është faktor, por përpiqet të jetë aktive.
Ne vetë jemi përpjekur të arrijmë në një pikë brenda vetes tonë, pra të kuptojmë se çdo të thotë se nuk je aktor dhe pastaj të jesh aktiv. Është si t'i thuash dikujt që luaj teatër pa qenë aktor.
Gjithsesi janë momentet e fillimit dhe për shumë gjëra nuk varet çfarë do të thotë Tirana, Shkupi apo Beogradi, por e rëndësishme është se çfarë do të thotë Prishtina dhe unë jam optimist në qëndrimin e saj.

EVROPA E LIRË
Ju ishit kryeministër gjatë krizës që u përcoll në Shqipëri nga konflikti i vitit 99 në Kosovë. Afro 7 vjet më pas si e shihni gjendjen në Kosovë. Cilat janë problemet më të prekshme për shoqërinë atje ?

PANDELI MAJKO
Mendoj që shoqëria në Kosovë është ndër më vitalet; me popullsinë më të re në Evropë. Ajo njihet për burimet e veta të jashtëzakonshme, për emigracion të vjetër dhe shumë aktiv.
Mendoj se përcaktimi i statusit përfundimtar do të përcaktojë një zhvillim të vrullshëm të ekonomisë së saj dhe po ashtu bashkëpunimi ekonomik me vendet fqinje, do ta kthejë Kosovën në faktor të rëndësishëm.
Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 1999. Unë jam optimist për ndryshimet thelbësore në territorin shqiptar, po të kujtojmë fillimet e pluralizmit në vitet 90, jo vetëm në Shqipëri por dhe Kosovë, situatën në Maqedoni, Mal të Zi. Është shumë e rëndësishme që shqiptarët po fillojnë të krijojnë elitat politike. Ato përbëjnë sinjalin më të rëndësishëm që, bashkangjitur me krijimin e strukturave ekonomike në terrenin shqiptar, realisht e kanë kaluar në një moment që nuk do ta quaja dytësor, shtetin shqiptar dhe atë të Kosovës. Në thelb po flasim për faktorin shqiptar që po bëhet gati të trokasë në dyert e BE-së dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për revolucionin e të ardhmes. Do të thoja që për herë të parë pas vitit 1912, për shqiptarët në rajon tik taku i orës është pozitiv.

Intervistoi Suela Musta
XS
SM
MD
LG