Ndërlidhjet

PETKOVIQ: NUK KAM FRIKË NGA PAVARËSIA E KOSOVËS, POR AS NUK E MBËSHTES ATË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës Slavisha Petkoviq tha sot në Prishtinë se ai dhe partia e tij nuk kanë frikë nga pavarësia e Kosovës, nëse kjo do të ishte zgjidhja për statusin. Ai i ka bërë këto komente në një takim me gazetarët në Prishtinë, duke sqaruar zhvillimet e fundit lidhur me disa kërkesa nga Partia e tij Demokratike Serbe e Kosovës e Metohisë, që ai dhe dy deputetët nga kjo parti në Kuvendin e Kosovës të japin dorëheqje.
"Pse të kemi frikë, nuk kemi frikë nga pavarësia e Kosovës, por nuk jemi për pavarësinë, tha Slavisha Petkoviq, i cili bashkë me dy deputetët e Partisë Demokratike Serbe e kanë akuzuar bartësin e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, për bërjen e këtij shantazhi, siç u shpreh Petkoviq:
"Pas gjithë këtyre qëndron Oliver Ivanoviq, bartës i Listës Serbe, kundër të cilit do të ngrejmë padi penale, pasi ka bërë vepër të rëndë penale, pasi ka bërë përpjekje të cënojë deputetët në Kuvend," tha Slavisha Petkoviq, sipas të cilit me këtë rast, me këtë veprim, zoti Ivanoviq ka bërë goditje kundër partisë, goditje kundër parlamentit dhe goditje kundër qeverisë.
Zlatica Kujinxhiq, deputete në Kuvendin e Kosovës tha se Oliver Ivanoviq nuk ka kontaktuar drejtpërdrejt me anëtarët e partisë së Petkoviqit për t’i bindur ata që të kërkojnë dorëheqjen e tij, por ka dërguar njerëz të tjerë, ndërsa deputeti tjetër Sasha Gjokiq, tha se atij i është ofruar punë dhe banesë:
"Unë kam pasur një takim me Oliver Ivanoviqin në Mitrovicë. Ai personalisht nuk më ka ofruar gjë, mirëpo përmes njerëzve të caktuar më kanë ofruar punë, banesë dhe gjëra të tilla," tha Sasha Gjokiq.
Mirëpo, Oliver Ivanoviq, në një prononcim për Evropën e Lirë, tha se këto akuza ndaj tij janë të pakuptimta:
"Janë akuza krejt të pakuptimta. As i kam parë dhe as kam biseduar me deputetët e asaj liste dhe më duhet të them se e gjithë vëmendja ime aktualisht është e përqëndruar në çështje që janë shumë më të rëndësishme sesa këto," tha Oliver Ivanoviq, duke e porositur zotin Petkoviq që telashet brenda për brenda partisë së tij t’i rregullojë vetë. Ditë më parë, dy nënkryetarët e partisë së ministrit Petkoviq patën kërkuar dorëheqjen e tij për shkak të siç thuhej keqpërdorimeve financiare.
Petkoviq hodhi poshtë edhe një herë akuzat e tilla:
"Ne kemi pasur tre kontrolle të revizorit, e fundit prej të cilave është bërë këto ditë, kur është bërë kontroll i ministrisë dhe përveç tre detajeve të vogla teknike, nuk ka kurrfarë vërejtjesh lidhur me çështje financiare," tha Petkoviq.
Partia Demokratike Serbe e Kosovës e Metohisë, më parë Lista Qytetare Serbe, merr pjesë në Kuvendin e Kosovës me dy deputetë dhe udhëheq Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, ndërkohë që Lista Serbe për Kosovën e Metohinë e zotit Oliver Ivanoviq deri më tash nuk ka marrë pjesë në punën e institucioneve të këtij legjislacioni.



XS
SM
MD
LG