Ndërlidhjet

KOSOVARËT SHPRESOJNË LIDERËT TJERË TA NDJEKIN RRUGËN E PRESIDENTIT RUGOVA


Vdekja e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova po përjetohet si një humbje e një njeriu dhe udhëheqësi të madh thonë disa qytetarë të Prishtinës. Ata theksojnë se vdekja e tij ka krijuar zbraztirë e cila është vështirë që të kompensohet, por shpresojnë që liderët politik dhe institucional të Kosovës, do të ndjekin rrugën e tij, për realizimin e idealit për pavarËsinë e Kosovës.
Qytetarët e Prishtinës ndjejnë pikëllim për vdekjen e presedintit të Kosovës Ibrahim Rugova, por shpresojnë se politikanët kosovarë do të ndjekin, siç thonë ata, idealin e presidentit dhe rugën që e ka trasuar ai për pavarësinë e Kosovës.
Enver Sadiku, thekson se vdekjen e presidentit Rugova e përjeton si një humbje të madhe. “E kam përjetuar tepër rëndë vdekjen e presidentit. Vazhdimisht e kam vlerësuar si njëri nga personalitetet më të mëdhenj, i cili ka ditur ta udhëheqë popullin. Do të dëshiroja që fryma e tij të dominojë, disi, të shtrihet edhe tek tjerët, fryma e tolerancës, e bashkëpunimit dhe nëse ndodhë kjo, shpresoj se do të jetë mirë”, thotë z. Sadiku.
Hatixhe Radavci, thotë se Ibrahim Rugova ishte një njeri i madh i cili, siç tha ajo, ia kushtoi tërë jetën Kosovës. “E ndjejmë shumë mungesën e tij. Besoj se populli me politikanët tjerë do të shkojnë rrugës së tij, të cilën e ka trasuar. Besoj se duhet t’ia përmbushim kërkesën e tij që e ka pasur deri në momentin e fundit, idealin e tij, pavarsinë e Kosovës”, thotë zonja Radavci.
Hysen Neziri, thotë se vdekjen e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova e përjeton si një humbje që krijon zbraztirë të madhe në jetën politike kosovare. “Ai, sigurisht se e ka lënë një zbraztirë, një boshllëk të madh në Kosovë, që vështirë se do të kompensohet, sepse ka qenë një personalitet i madh dhe për momentin unë nuk shoh ndonjë personalitet të tillë, i cili do ta kryej punën e tij sikur ai dhe që ka karizmën e tij. Ai ishte një personalitet i cili qe 16 vjet e udhëheqi Kosovën, besoj me sukses. Ndërsa të tjerët, për momentin, ata që janë në skenë, nuk e kanë këtë. Ndonjë tjetër ndoshta mund të jetë në këtë popull, por unë njëherë nuk e shoh”, pohon z. Neziri.
Edhe Shefike Axhani thotë se vdekja e presidentit Rugova ka krujuar zbraztirë, por shpreson se pas vdekjes së presidentit, liderët politik dhe institucional të Kosovës do të qëndrojnë së bashku për të realizuar, siç tha ajo, porosinë e tij. “Besoj se do të realizohet. Më në fund, tash më është fillimi i negociatave. Besoj se do të arrihet që të vazhdojnë bisedimet pikërisht për hir të angazhimit të tij aq të madh. Besoj që të gjithë liderët politik të Kosovës këtë do ta arrijnë”, shprehet zonja Axhani.
Ahmet Sadiku, thotë se vdekjen e presidentit Rugova po e përjeton me pikëllim të madh. “Kjo është një ditë me pikëllim shumë të madh. Kryetari Rugova ka punuar për këtrë ditë e cila ka ardhur sot këtu. Ka qenë këmbëngulës, ka luftuar me dinjitet për pavarësinë e Kosovës. Zëvendësim adekuat...Është humbje e madhe, ka qenjë një luftëtarë i denjë për pavarsinë e Kosovës, por besoj se ka njerëz që do ta qojnë deri në fund këtë punë të cilën e ka filluar ai”.
Shaban Ismaili ndërkaq thekson se me vdekjen e presidentit Rugova, Kosova ka humbur një njëri të madh.
“E ndjejmë veten shumë të mërzitur, prandaj e kemi një porosi për liderët kosovarë që ta garantojnë maratonën për shtet e pasi të bëhemi shtet le ta fillojnë luftën për pushtet. Edhe pse ka vdekur presidenti, dirigjenti, notat janë të shënuara dhe orkestra duhet të vazhdojë sipas notave, të cilat i ka lënë zoti president”, thotë z. Ismaili.
Bekim Bislimi, Prishtinë.
XS
SM
MD
LG