Ndërlidhjet

logo-print

TAKOHEN GRUPET PUNUESE TË KOSOVËS DHE SERBISË PËR ÇËSHTJET TEKNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Grupet punuese të Kosovës dhe të Serbisë për transport dhe telekomunikacion, në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në takimin e tyre të sotëm kanë marrë vetëm një vendim – që të emërojnë nga një person kontaktues që do të merrej më detajisht me disa çështje që janë ngritur në takimin e sotëm. Kryesuesi i grupit të përbashkët punues, Joly Dixon, tha se në këtë takim, që është i dyti me radhë, pasi takimi i parë qe mbajtur më 28 qershor të vitit të shkuar, është folur për disa çështje, përfshirë edhe targat e veturave dhe telefoninë mobile:
"Ne kemi qene të sinqertë me njëri-tjetrin gjatë trajtimit të problemeve të vështira politike dhe çështjeve konceptuale, por ne si grup jemi të vendosur të gjejmë zgjidhje teknike, sa herë që kjo është e mundur," tha zoti Dixon, duke bërë të ditur se për ta lehtësuar këtë, delegacioni i Prishtinës dhe i Beogradit janë pajtuar që ta caktojnë nga një person kontaktues, të cilët do të shikojnë më detajisht disa nga çështjet që janë ngritur në takimin e sotëm. Zoti Dixon tha se në takim është prekur shkarazi çështja e targave të veturave, por diskutimet kryesore kanë qenë lidhur me telefoninë mobile:
"Kjo është një çështje shumë e ndjeshme për momentin, pasi e drejta e njerëzve për të komunikuar është e drejtë, e qartë dhe të gjitha palët e pranojnë atë, mirëpo janë disa çështje të vështira ligjore dhe teknike," tha zoti Joly Dixon, kryesues i grupit punues për transport dhe telekomunikacion. Prandaj tha Dixon, kemi kërkuar që të dyja palët do të ofrojnë informacione të plota dhe të jenë të përfshira në zgjidhjen e këtyre problemeve.
Përderisa përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës thanë se zoti Dixon ishte i autorizuar të fliste në emër të të gjithëve, udhëheqësja e delegacionit të Serbisë, Dragana Çurqiq tha se takimi ishte konstruktiv:
"Mendojmë se në këtë takim kemi dhënë disa oferta të dobishme, të cilat shpresojmë se pala tjetër do t’i shqyrtojë dhe do t’i trajtojë seriozisht, me qëllim të përmirësimit të transportit rrugor dhe telekomunikacionit," tha zonja Çurqiq, duke shfaqur besimin se kjo do të rregullohet përmes personave kontaktues, për të cilët është arritur marrëveshje. Mirëpo, as zonja Çurqiq dhe as zoti Dixon nuk kanë shpjeguar se cilat kanë qenë propozimet konkrete të Beogradit në takimin e sotëm, pos zgjidhjes për telefoninë mobile, pas problemeve që ka pasur në këtë drejtim në javët e fundit, kur janë hequr disa antena të Mobtelit nga Serbia, që tashmë sërish është kthyer në funksion në Kosovë.
Ky është takimi i parë në këtë vit ndërmjet grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për çështje teknike.



XS
SM
MD
LG