Ndërlidhjet

ROMËT KËRKOJNË NDËRTIMIN E SHTËPIVE, JO ZHVENDOSJEN NË NJË KAMP TË RI


Albana Isufi, Prishtinë UNMIK-u, OBSH dhe UNICEF-i kanë kërkuar largimin urgjent të banorëve romë të kampit Zhitkoc në një ambient më të sigurt, përkatësisht në kampin e Osterodit. Por pavarësisht këtij rreziku banorët janë këmbëngulës dhe nuk pranojnë të largohen nga kampi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alarmuar se niveli i plumbit në gjakun e banorëve të kampit Zhitkoc në veri të Mitrovicës është sërish i lartë dhe po e rrezikon seriozisht shëndetin e banorëve.
Organizatat humanitare kanë kërkuar urgjentisht largimin e banorëve nga kampi i Zhitkocit dhe dy kampeve të tjera në veri.
Shefi i Zyrës së UNICEF-it për Kosovën, Robert Fuderich ka alarmuar se fëmijët janë më të rrezikuarit.
“Niveli i lartë i plumbit në gjak, nuk shkakton vetëm probleme shëndetësore, si ngecje fizike dhe mentale, por mund të shkaktojë vdekjen. Kështu që e vetmja zgjidhje është që të largohen”, tha Fuderich, i cili vizitoi sot kampin e Osterodit, të cilin UNMIK-u e ka përgatitur për të strehuar përkohësisht banorët e kampit të kontaminuar me sasi plumbi.
Plumbi është veçanërisht helmues për fëmijët nën moshën 5 vjeçare. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Singh thotë se deri tash janë ndërmarrë masa parandaluese në kampet ekzistuese, por duke marrë parasysh kontaminimin e lartë, masat nuk mbrojnë banorët nga pasojat serioze për shëndetin.
“Është një situatë emergjente mjekësore, që kërkon largim të menjëhershëm të banorëve nga kampi i kontaminuar në një ambient më të sigurt. Ne po apelojmë sërish për banorët e këtyre kampeve që të lëshojnë kampin, për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, thotë Singh.
Fëmijët që nënshtrohen trajtimit mjekësor për të larguar sasinë plumbit në gjak, nuk guxojnë më të kthehen në kamp, sepse shëndeti i tyre rrezikohet më shumë.
Por, pavarësisht të gjitha këtyre rreziqeve, banorët janë këmbëngulës që të mos largohen nga kampi i Zhitkocit për t’u strehuar përkohësisht në ish-kampin ushtarak francez të Osterodit.
Përfaqësuesi i kampit të Zhitkocit, Habib Hajdini, thotë se ka parasysh rreziqet shëndetësore, por kampi i Osterodit nuk është zgjidhja.
“E kemi marrë parasysh edhe rrezikun e shëndetit, por UNMIK-u e ka ditur prej 2003-shit që fëmijët tonë janë helmuar prej plumbit por s'kanë marrë asgjë parasysh".
Hajdini thotë se banorët kërkojnë zgjidhjen e përhershme të problemit të strehimit.
“Normal arsyeja e popullatës është se mos është shkak për të mbetur edhe shumë vite në Osterod. Neve na nevojiten shtëpitë tona, të na ndërtohen shtëpitë tona. Atëhere do të kqyrim çfarë do të bëhet.
Ndërkohë, Neeraj Singh thotë se të zhvendosurit romë nuk do të detyrohen të largohen me forcë nga kampi.
“Jemi shumë të kujdeshëm që të bindim banorët të largohen vullnetarisht nga kampi në lokacionin tjetër alternativ”, thotë Singh, duke shtuar se ka konsultime të vazhdueshme të punëtorëve socialë zyrtarëve të UNMIK-ut si dhe të organizatave humanitare për të bindur banorët që të lëshojnë kampet e kontaminuara.
Banorët romë, ashkali dhe egjiptas qëndrojnë në tre kampe ne veri të Mitrovicës që nga përfundimi i luftës. Ata më parë kryesisht kanë jetuar në Mëhallën e Romëve në jug të qytetit.
Në këtë vendbanim tashmë ka filluar të punohet në ndërtimin e objekteve ku do të mund të vendoseshin të gjithë banorët e kampeve.

XS
SM
MD
LG