Ndërlidhjet

LARRY ROSSIN E PËRFUNDOI MISIONIN E TIJ NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Viti 2006 mund t’i sjellë Kosovës pavarësinë e saj, ka thënë sot në ditën e fundit të misionit të tij si zëvendësi i parë i shefit të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin. Mirëpo pavarësisht zgjidhjes dhe faktit se Kosova ka një kah drejt pavarësisë, me rëndësi, sipas tij, është që në Kosovë të krijohet një perspektivë dhe siguri për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
“Mendoj se viti 2006 do të jetë vit, në të cilin mbase Kosova do të bëhet e pavarur dhe kjo jo pse është politikë e UNMIK-ut apo e shefit të kësaj administrate, por kjo është thënë nga diplomatë të shumtë ndërkombëtarë kohëve të fundit”, tha Larry Rossin. Ndërkohë, Rossin tha se komuniteti ndërkombëtar do të vendosë lidhur me rolin që do të ketë prania ndërkombëtare pas statusit. Nëse do të jetë ky një monitorim ndërkombëtar apo një formë tjetër, dhe a do të jetë Bashkimi Evropian ajo instancë e pranishme, kjo sipas tij do të vendoset në vazhdim. Po ashtu, shtoi Rossin, UNMIK-u, të cilit do t'i kalojë mandati me zgjidhjen e statusit, mbetet i përkushtuar të bartë përgjegjësi te vendorët, çka sipas tij është dëshmuar me fillimin e bartjes së kompetencave nga fusha e drejtësisë dhe sigurisë. Kurse pas përcaktimit të statusit, Kosova tha ai, duhet të jetë shumë e përgatitur për sfidat që e presin, sidomos në planin e zhvillimit ekonomik:
“Një prej arsyeve pse unë jam optimist për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj është se ajo nuk ka nevojë mbështetet vetëm në vetvete, pasi Kosova ka një mbështetje të gjerë ndërkombëtare”, tha Rossin. Në fund të mandatit të tij, njeriu numër dy i administratës ndërkombëtare që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Larry Rossin, tha se e vlerësonte lartë punën e Shërbimit Policor të Kosovës, ndërkohë që lëvdata të tilla, sipas tij, ende nuk mund të thuhen për institucionet e tjera, qofshin ato ekonomike, apo institucionet e arsimit e shëndetësisë, në të cilat, siç tha Rossin, mbetet ende shumë për t’u bërë. Rossin largohet sot nga Kosova për të vazhduar me një mision të ri në kuadër të angazhimeve të Kombeve të Bashkuara në Haiti.



XS
SM
MD
LG