Ndërlidhjet

KRYENEGOCIATORI AHTISAARI PO QËNDRON NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndërkohë që i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari ka filluar vizitën e tij në Prishtinë, duke u takuar me shefin e Misionit të Kombeve të bashkuara Soren Jessen Petersen, vetë zoti Petersen tha se UNMIK-u është duke zhvilluar takime intensive me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe OSBE-në për të siguruar formën e pranisë ndërkombëtare në Kosovën me status të zgjidhur. Zoti Petersen, tha sot pas një takimi me ekipin negociues të Kosovës, se i kishte njoftuar ata lidhur me bisedimet që UNMIK-u po bën me Bashkimin Evropian, OSBE-në, NATO-n dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë:
"Këto bisedime bëhen për planifikuar kalimin nga UNMIK-u në atë që do të dalë pas statusit," tha zoti Petersen, i cili dje në Bruksel ka diskutuar lidhur me këto çështje me përfaqësues të lartë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Zoti Petersen tha se kjo është në pajtim të plotë me deklaratën e dorëzuar zotit Ahtisaari nga ekipi negociues, ku thuhet se Kosova do të mirëpresë angazhim të ngushtë edhe në të ardhmen, të Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se një prani ndërkombëtare e bërë me marrëveshje do të ishte e mirëpritur:
"Një çështje mjaft e rëndësishme është ajo që përputhet me vizionin tonë për çështjen e një pranie ndërkombëtare, e cila do të ishte sipas marrëveshjes pas fazës së përcaktimit të statusit dhe ju e dini atë qëndrim, që ne e mirëpresim", tha presidenti Sejdiu, ndërkohë që zoti Petersen tha e këto diskutime që bëhen lidhur me praninë ndërkombëtare nuk janë bisedime që vendosin për statusin, por janë diskutime joformale, por që në një masë të madhe përputhen me vetë bisedimet dhe me vetë rezultatin përfundimtar të diskutimeve për statusin e Kosovës.
Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu tha se me zotin Petersen kishin diskutuar sot edhe lidhur me takimet që ekipi negociues do të ketë me të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara, zotin Ahtisaari:
"Çështja tjetër ka të bëjë me takimin e Vjenës, rezultatet e tij dhe ecja më tej, duke e çmuar si një përpjekje të parë të mirë dhe një seriozitet dhe grupi negociator. Ne do të bashkëpunojmë prapë bashkë dhe ky bashkëpunim do të sjellë atë që ne e dëshirojmë si rezultat përfundimtar, për respektimin e vullnetit të popullit të Kosovës".
I dërguari i posaçëm për statusin, Marti Ahtisaari, në këto moment po takohet me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, me të cilin takohet për herë të parë pas zgjedhjes president i Kosovës, ndërsa më pas do të takojë edhe ekipin negociues të Kosovës.





XS
SM
MD
LG