Ndërlidhjet

HELLE DALE: PAVARËSIA E KUSHTËZUAR – ZGJIDHJA MË PREMTUESE


"Mendoj se kjo është zgjidhja më premtuese në këtë kohë. Pra, që Kosova të ketë një shkallë shumë të lartë të pavarësisë, ndoshta pavarësi reale, por do të ketë edhe kushte: trajtimi i të drejtave të pakicës serbe dhe ndërmarrja e një numri të hapave të tjerë në aspektin legjislativ. E tërë kjo që të krijohet një njësi e qëndrueshme ekonomike", thotë, pos tjerash, analistja Helle Dale, nga Fondacioni Heritixh me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit për decentralizim dhe çështje të tjera tashmë kanë filluar. A jeni optimiste sa i përketë rezultatit të këtyre bisedimeve?

HELLE DALE
Sinqerisht mendoj se është koha për të lëvizur përpara, por, nuk ka dyshim, ende do të jetë shumë vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë analistë thonë se marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e statusit të Kosovës, pothuajse është e pamundshme. Sipas tyre e vetmja mundësi për ta zgjidhur këtë çështje është imponimi i zgjidhjes. A pajtoheni me këto qëndrime?

HELLE DALE
Jo nuk pajtohem. Mendoj se do të jetë shumë më mirë dhe esenciale për një marrëveshje të qëndrueshme, që politikanët nga të dy palët, ti udhëheqin popujt e vet në pranimin e marrëveshjes. Në këtë aspekt, forcat aleate duhet të mbesin në Kosovë për një të ardhme të konsiderueshme në mënyrë që zgjidhja të jetë e qëndrueshme. Në një mënyrë kemi të bëjmë me një situatë të ngjashme si në Bosnjë, në atë kohë, kur marrëveshja e Dejtonit nuk ishte shumë stabile. Duhet të gjejmë zgjidhje më të mirë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por politikanët nga të dy palët kanë pozicione shumë të ndryshme. Si mund ta arrijnë ata marrëveshjen?

HELLE DALE
Më duhet të pranoj se nga këtu në Uashington unë nuk e dij. Por, më duket se përfundimisht, është në interes të të dy palëve që ta bëjnë këtë. Kosovës i duhet jashtëzakonisht shumë zhvillimi. Ka përqindje shumë të lartë të papunësisë dhe aktualisht nuk ka zhvillim ekonomik. Kosovarët kanë interes për krijimin e një entiteti autonom të qëndrueshëm, vend që do të mbështetej në forcat e veta. Ndoshta ata duhet ta pranojnë ndonjë kompromis për ta arritur këtë qëllim. Serbia poashtu dëshiron të integrohet në Evropë, në organizatat e saj të sigurisë dhe të ekonomisë. Në këtë aspekt, për Beogradin çështja e Kosovës do të jetë pengesë për çfarëdo integrimi politik në Evropë. Pra, të dy palët kanë interesa në kapërcimin e dallimeve. Udhëheqësit duhet ta dinë se ne do të jemi atje për ti mbështetur ata dhe për ti udhëzuar këto negociata të vështira. Por, të dy palët duhet ta kuptojnë se duhet të bëhen kompromise serioze.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka propozime për pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. A mendoni se kjo mund të jetë zgjidhje e mirë?

HELLE DALE
Mendoj se kjo është zgjidhja më premtuese në këtë kohë. Pra, që Kosova të ketë një shkallë shumë të lartë të pavarësisë, ndoshta pavarësi reale, por do të ketë edhe kushte: trajtimi i të drejtave të pakicës serbe dhe ndërmarrja e një numri të hapave të tjerë në aspektin legjislativ. E tërë kjo që të krijohet një njësi e qëndrueshme ekonomike. Pra, mendoj se kosovarët kanë gjasë reale për pavarësi, por brenda 5 deri në 10 vjet. Kjo vjen me kushte dhe është mënyra shumë e arsyeshme për përparim.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë pikë, si e shihni ju rolin e Rusisë dhe të Kinsë në definimin e statusit të Kosovës. A mendoni se ato do të pajtohen me çfarëdo lloji të pavarësisë së Kosovës?

HELLE DALE
Nuk e dij a mund të them se Kina nuk ka ndonjë ndikim të madh në këtë çështje. Rusia qartas ka interesa pasi Serbia është e afërt me Rusinë. Por, nuk e kam ndjenjën se rusët do të bëjnë ndonjë pengesë në këtë kohë, pasi ata para vetes kanë shumë çështje të tjera. Nuk është njëri nga prioritetet e tyre kryesore.

RADIO EVROPA E LIRË
Pyetja e fundit...Grupi i Kontaktit po kërkon që zgjidhja për Kosovën të bëhet brenda këtij viti. Sipas jush, a është ky opsion real?

HEELE DALE
Mendoj se kjo është shumë shpresëdhënëse. Nuk dëshiroj ti mbylli mundësitë për këtë çështje, por mendoj se ndoshta në tërësi nuk është realiste. Nëse flasim për vitin e ardhshëm atëherë do të kishim një pikëpamje më realiste.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG