Ndërlidhjet

PRAGË


Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe ata të Rusisë kanë vlerësime të ndryshme për zgjedhjet presidenciale në Bellorusi. Derisa ministria e Jashtme ruse votimet e djeshme i vlerësoi korrekte dhe kërkoi të respektohet rezultati, Komisioni Evropian paralajmëroi mundësinë e vënies së sanksioneve ndaj Bellorusisë. Këtë e kumtoi sot në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit, Emma Udvin. "Tani ka shumë gjasa që do të ndërmerren disa veprime, pas qëndrimit të përsëritur të Këshillit të BE-së për masa kufizuese, nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të drejta", tha Udvin.
Në reagimin e ministres së Jashtmë të Austrisë, Ursula Plassnik, vendi i së cilës aktualisht e kryeson BE-në, tha se zgjedhjet janë mbajtur "nën atmosferë kërcënimi". Ndërkaq, Këshilli i Evropës theksoi se Aleksandër Lukashenka, i cili u shpall fitues, "është president me mandat të turpit".
Përmes një deklarate, edhe OSBE-ja, vlerësoi se nuk janë përmbushur standardet për zgjedhje të drejta dhe të lira. Në Minsk, kandidati i opozitës, Aleksandër Milinkeviç, tha se këto nuk ishin zgjedhje, por "marrje e pushtetit në mënyrë antikushtetuese".
"Kërkojmë përsëritje të zgjedhjeve në të cilat do të respektohet legjislacioni i vendit. Kërkojmë që përfaqësuesit e kandidatëve të përfshihen në komisione, gjë që nuk u bë kësaj radhe", tha Milinkeviç.
Mirëpo Lukashenka, tha se përpjekjet e kundërshtarëve për të nxitur revolucion, dështuan. "Populli ynë bëri zgjedhjen e vet në mënyrë të pavarur dhe me bindje, duke treguar se kush janë bellorusët, dhe kush është i zoti i shtëpisë. Kjo është fitore e dinjitetit dhe respektit të popullit ndaj vetevetes", tha Lukashenka.
XS
SM
MD
LG