Ndërlidhjet

BRUKSEL: KRYEMINISTRI ÇEKU PREMTON MË SHUMË ANGAZHIM PËR INTEGRIMIN E PAKICAVE


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, gjatë vizitës së tij të parë në Bruksel, ka marrë porosi sot nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja se duhet të përqëndrohet në përmbushjen e standardeve në Kosovë, sidomos në ato që kanë të bëjnë me pozitën e serbëve. Çeku së pari është takuar sot me përfaqësuesin e lartë të BE-së Javier Solana dhe më vonë me komisionerin e zgjerimit Oli Rehn. Ndërkohë pritet të nisë dhe takimi i tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Javier Solana ja ka uruar sot Çekut zgjedhjen në kreun e qeverisë së Kosovës.
"E njoh zotin Çeku tash e një kohë të gjatë dhe mendoj se është një njeri me energji për punë. Mënyra se si ai ka nisur punën është inkurajuese dhe presim një angazhim më të madh të qeverisë tani. Deri më tash në Kosovë kemi dëgjuar shumë fjalë e pak punë e tani ka ardhur koha që animi të ndryshojë, e të kemi sa më pak fjalë dhe sa më shumë punë", ka thënë Javier Solana. Ai kryeministrit të Kosovës i shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të ndihmojë Kosovën në realizimin e synimeve të përbashkëta, sidomos gjatë këtij viti.
Ndërsa kryeministri Çeku tha sot pas takimit me Solanën se Kosova ka agjendën e saj të statusit, por edhe të integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Çeku tha se qeveria do të nisë me disa gjeste konkrete të krijimit të atmosferës për integrimin e pakicave në Kosovë.
Ne jemi të sinqertë kur e themi këtë, sepse dëshirojmë që Kosova të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe që në Kosovë të jenë të gjithë të barabartë dhe të kenë lirinë e lëvizjes, mundësinë e komunikimit të lirë mes njerëzve dhe kjo duhet të vlejë për të gjithë ata që e konsiderojnë Kosovën atdhe të tyre, u shpreh Çeku.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve serbë në gjuhën serbe, Çeku tha se ai tashmë u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që dëshirojnë të kthehen, që të kthehen në shtëpitë e tyre. Serbët gjatë historisë kanë bërë gabime, duke lëshuar shtëpitë e tyre, për shkak se këtë ua sugjeronte dikush që nuk jetonte në vendet ku jetonin ata. I ftoj që në Kosovë të mos e përsëritin të njëjtin gabim, të rrinë në Kosovë, ta konsiderojnë Kosovën atdhe të tyre dhe të punojnë së bashku me ne, me institucinet kosovare, me shoqërinë kosovare, për ta zgjidhur shqetësimin e tyre, ka thënë Çeku.
Ai ftoi edhe shqiptarët e Kosovës që të jenë zemërgjerë ndaj serbëve të Kosovës, pasi siç u shpreh ai, ne jemi fitues dhe fituesve u takon të jenë zemërgjerë dhe t'ua shtrijnë dorën atyre që kanë nevojë për ndihmë.
"Është krijuar një përshtypje se duke biseduar, duke komunikuar, duke lejuar një familjes serbe të kthehet në fshat, i bëhet dëm Kosovës, në fakt është e kundërta. Duke bërë një gjë të tillë i bëhet një shërbim i madh Kosovës. Të gjithë që e duan Kosovën, punojnë për Kosovën, atëhere duhet në rradhë të parë të vëmë interesin e Kosovës dhe ne duhet të punojmë në këtë frymë, që të ndërtojmë një ambient të tillë, tolerant. Ne jemi fitues, fituesit janë gjithmonë zemërgjerë, fituesit gjithmonë ja shtrijnë dorën atij që ka nevojë për ndihmë. Ne duhet të sillemi si fitues, fituesit nuk i frikësohen askujt. Nuk frikësohem se dikush ma rrezikon Kosovën, se nëse mendoj se dikush ma rrezikon Kosovën, atëhere ka forma të tjera të sjelljes. Por ne tani duhet të bëjmë veprime që të integrojmë pakicat në shoqërinë kosovare dhe t'i trajtojmë ata si kosovarë, nëse edhe ata e ndiejnë veten si kosovarë", tha kryeministri Agim Çeku.
Ndërkohë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer, para se të takonte kryeministrin Çeku, u shpreh se porosia e tij do të jetë më së shumti në përpjekjet për përmbushjen e standardeve. Scheffer e tha këtë, pas një takimi që pati me kryeministrin e Maqedonisë Vllado Buçkovski. Vetë Buçkovski, në një deklaratë për media, theksoi se popullata e Kosovës këtë vit do të përballet me pavarësinë e Kosovës. Ai Kosovën e quajti, siç u shpreh ai, kandidat për pavarësi. Prandaj i quajti si jokonstruktive disa deklarata të ministrit të jashtëm të Shqipërisë rreth statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG