Ndërlidhjet

CVETKOVIQ: PËR SERBËT ËSHTË E DOMOSDOSHME TË DIHET STATUSI I KOSOVËS


Mos bëni gabim që të lëshoni Kosovën dhe shtëpitë tuaja, sepse identiteti juaj kulturor do të respektohet dhe fëmijët tuaj e kanë këtu ardhmërinë, i ka porositur këto dite serbët kryeministri Agim Çeku.
Por, shumica e serbëve dëshirojnë të dinë se si është kjo ardhmëri. Pas 6 vjetësh të jetës së refugjates, 46 vjeçarja Mirjana Cvetkoviq, nënë e tri vajzave, është kthyer nga rruga për të luftuar për jetën, duke kërkuar përgjigjje nëse ka ndryshuar diçka. Nga Mali i Zi ajo është kthyer në Graçanicë ku është punësuar, për të mbajtur dhe shkolluar vajzat e veta, të cilat jetojnë në Tivar. Por, ajo thotë se në Graçanicë nuk ka perspektivë për jetë.
“Në Graçanicë njerëzit janë shumë teë frikësuar, kjo është disi përshtypja ime. Mendojnë se çka do bëhet nesër, çfarë do bëhet me ta nëse do ketë pavarësi, a do të qëndrojnë këtu. Dhe 99 për qind e njerëzve i frikësohen asaj ardhmërie. Kjo nuk është jeta e vërtetë. Mendojmë vetëm sot për nesër”, thotë Cvetkoviq.
Në Kosovë në periudhën e pasluftës janë kthyer rreth 13 mijë të zhvendosur, pjesëtarë të pakicave kombëtare. Prej këtij numri në vitin e fundit janë kthyer 1 700 persona, prej të cilëve 60 pëer qind serbë. Familja katër anëtarëshe Cvetkoviq pas luftës është dashur ta braktis Prishtinën dhe të gjejë strehim të përkohshëm në qendrën kolektive në Sutomore, ku jetojnë 60 familje. Pasi që qendra është mbyllur në gusht të vitit 2005, shumë serbë kanë mbetur të jetojnë në Sutomore, a të tjerët kanë shkuar në Serbi ose në vendbanimet serbe në Kosovë.
“Vetë qendra kolektive i tregon gjithë gjërat, dy familje jetojnë në një dhomë. Shumë më ka ardhur rëndë kur është mbyllur qendra, sepse njeriu mësohet me të gjitha, por kushtet nuk janë për dinjitetin e njeriut”.
Vajza e Mirjanës, tash jeton në Tivar, ndërsa në shkurt të këtij viti ka ardhur në Graçanicë. Pas shumë përpjekjeve i ka ecur fati dhe tash punon në laborator në spitalin Simonida, punë që më parë e ka bërë në spitalet e Prishtinës.
“Sa i përket vendimit tim, mund të them se është neë pyetje situata e re. Kudo që shkojmë nuk jemi të mirëseardhur, tjetër mund të them se jemi vetëm forcë fizike, dhe asgje tjetër”, tha Mirjana Cvetkoviq.
Mirjana lëviz lirshëm, shkon ne Prishtinë tek miqtë, me të cilët nuk i ka ndërprerë kontaktet. Por, kur mendon për kthimin e fëmijëve të saj shuhet çdo shpresë.
“Të kthehemi në mënyrë kolektive s’ka gjasë, sepse unë kam 3 vajza e nesër duhet të shoqërohen. Nuk them se ato nuk duhet të kenë shokë shqiptarë e turq, por nuk ka ardhmëri sa i përket ardhmërise dhe shkollimit të tyre. Unë edhe pse jam non stop në Prishtine, sepse më kanë mbetur shprehitë e vjetra, shkoj te frizeri, blej gjëra, të gjitha i kryej në Prishtinë, por, s’kisha guxuar, që edhe vajzat e mia të vijnë dhe teë jetojnë pergjithmonë”, thotë Mirjana.
Dhe përderisa kryeministri Çeku dhe shumë liderë të tjerë kosovarë i ftojnë serbët, që të kthehen në Kosovë me premtimin se qeveria e re do të angazhohet në përmirësimin e jetës së tyre, serbët presin hapa konkrete. Esenca e të gjitha këtyre problemeve mbetet statusi i ardhshëm. Mirjana thotë se për serbët është e domosdoshme, që të dihet se si do të jetë Kosova.
“Në fakt nuk jemi as në tokë as në qiell derisa nuk zgjidhet çështja e Kosovës dhe të dihet nëse është e pavarur ose jo. Shumë është e rëndësishme të dihet. Unë dua të di ku po jetoj dhe kujt i përkas. Mendoj se më mirë do jetë një ndarje e mire, se një bashkëjetesë e keqe”, thotë Mirjana.
Ajo thotë se po jetojnë në pritje.
“Pritja është emri ynë i mesëm. Kjo është vetëm pritje. Kur kam qenë e vogël kam menduar se më pret një fat i madh dhe çdo ditë kam pritur se po sjell diçka të re. Megjithatë, kjo luftë u ka prishur jetën njerëzve. Ne serbëve na ka shpërngulur, për shqiptaret njëjtë, nuk mund të them se po jetojnë mirë. Në fund të fundit askush s’ka marrë diç të mirë nga lufta”, thotë Mirjana Cvetkoviq.

Albana Isufi

XS
SM
MD
LG