Ndërlidhjet

BERISHA:"SERBIA SYNON PROLONGIMIN DHE BLLOKIMIN E PROCESIT NË KOSOVË"


Kolë BERISHA, Kryetar i Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Komuniteti ndërkombëtar është vënë në kërkim të koncesioneve nga Prishtina dhe nga Beogradi mbi procesin e decentralizimit të pushtetit vendor. Sa është e gatshme Prishtina zyrtare të bëjë koncesione të këtilla?

KOLË BERISHA
Prishtina zyrtare ka bërë koncesione të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë e as mundësi për koncesione tjera, sepse pala kosovare tashmë ka ofruar maksimumin. Çdo shkuarje mëtutje shfaqë një pakënaqësi, mund të ngjallë revoltë në mesin e popullatës dhe veçanërisht të asaj pjese që është më radikale. Dhe mendoj se ka të drejtë të revoltohet nëse koncesionet do të jenë të detyrueshme më vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekipi negociator, anëtar i të cilit jeni edhe ju, ka propozuar krijimin e dy njësive nënkomunale në Mitrovicë. Ky propozim nga disa vëzhgues është cilësuar si shumë i guximshëm, ndërsa nga të tjerët si i papranueshëm. Si e cilësoni ju?

KOLË BERISHA
Problemi i Mitrovicës nuk është i djeshëm. Është problem që gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes së politikës së Serbisë dhe sidomos ideologut të saj, ose të një prej ideologëvë, përkatësisht Dobrica Qosiqit i cili thirret në të ashtuquajturat 42 kilometrat katrore të pjesës veriore të Kosovës. Kjo kërkesë nuk është lansuar rastësisht, ajo e ka qëllimin vetë strategjik, sepse pjesa veriore e Mitrovicës, përkatësisht e Kosovës është pjesa më e pasur nëntokësore. Pas përfundimit të luftës problemi është ashpërsuar edhe më shumë, sepse atje është përqendruar një pjesë e madhe e forcave të Serbisë që gjatë luftës vepronin në Kosovë, por edhe pjesë të popullatës serbe nga vise të ndryshme të Kosovës duke krijuar një realitet të dhunshëm përmes forcave ushtarako – policore dhe bandave të urës. Grupi negociator dhe grupi politik strategjik ka pasur parasysh të gjitha këto rrethana dhe ka hezituar, përkatësisht ka pasur dilema se kur duhet të fillohet dhe a duhet të fillohet me procesin e Mitrovicës para se të fillohet me procesin e Kosovës përgjithësisht. Kemi menduar se rasti i Mitrovicës do të jetë pjesë e problemeve të Kosovës. Mitrovicën nuk kemi dëshiruar ta trajtojmë si realitet të veçantë. Megjithate këtë e kemi bërë, sepse do të ishte më mirë të inicohej nga pala shqiptare në formën që ne na konvenon, ndonëse jo zgjidhje më e mira, se sa që procesin e Mitrovicës ta inicoj bashkësia ndërkombëtare ose pala serbe. Edhe njëra edhe tjetra do të mund të ofronin solucion që do të ishte shumë më i papranueshëm për palën kosovare. Jemi përpjekur të gjejmë formulën më të përshtatshme dhe më pak të dhembshme. Zgjidhja më e mirë do të ishte sikur Mitrovica ta kishte statusin e pjesëve tjera të Kosovës, por siç e thashë më heret është realitet i krijuar gjatë luftës, përkatësisht ditët e fundit të luftës dhe rrjedhimisht është dashur të ofrojmë diç që është e dhembshme, por më pak e dhembshme se solucionet tjera. Mitrovica është menduar të formohet në dy komuna, në pjesën veriore dhe pjesën jugore, që pos administratës dhe kompetencave që do t'i kenë, si çdo komunë tjetër e Kosovës, do të jenë të mbikqyruara nga një bord ose këshill drejtues i përbërë nga numri i barabartë i njërës dhe komunës tjetër dhe të kryesohet nga një ndërkombëtar. Kjo për një periudhë tre – vjeçare, që gjatë kësaj kohe të mundësohet çasja në pronat në të dy anët e Mitrovicës, të krijohen kushtet e lëvizjes së lirë. Pra është menduar që të jetë një ndarje, jo për ta ndarë, por për ta bashkuar Mitrovicën. Mendoj se është zgjidhje më e pranueshme, sepse nuk janë prekur kufinjët e Kosovës. Po të isha i bindur se ky koncept nuk do të shkojë drejt integrimit të Mitrovicës dhe të pjesës veriore të Kosovës në përgjithësi dënimin më të rëndë do t'ia shqiptoja vetëvetes.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet për statusin e Kosovës pritet të fillojnë në muajin korrik. Si e shihni ju zhvillimin e këtyre bisedimeve?

KOLË BERISHA
Unë personalisht dhe i ndjeri ish – presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe një pjesë e konsiderueshme e njerëzve nga klasa politike ose shtresa tjera nuk kemi qenë optimistë, por ishim shumë skeptikë dhe të tillë jemi edhe tash sa i përket rezulltatit të bisedimeve me Serbinë. Ne nuk negociojmë me Serbinë, por me palën ndërkombëtare, në prezencën e Serbisë. Aty shtrohen interesat tona dhe kuptohet ka qëndrimet e veta edhe Serbia, por ne jemi të bindur se bisedimet nuk do të kenë sukses dhe këtë e themi nga përvoja e kaluar me Serbinë. Megjithate ne kemi pranuar të dialogojmë me bashkësinë ndërkombëtare, sepse i tillë ka qenë preferimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe ne nuk kemi dashur të konfrontohemi me te. Nga ana tjetër Serbia është e vetëdijshme se cili do të jetë epilogu i këtij negocimi dhe rrjedhimisht bënë çdo përpjekje jo vetëm ta prolongoj, por edhe ta bllokoj tërësisht këtë proces. Bashkësia ndërkombëtar e ka një kalendar të fillimit, zhvillimt dhe përfundimit të bisedimeve. Nëse Serbia vazhdon të jetë dekonstruktive, bashkësia ndërkombëtare ka variantin tjetër përmes të cilit do ta shpallte në formë të njëanshme Kosovën të pavarur dhe sovrane.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të mund të ndikoj pavarësimi i Malit të Zi në bisedimet për statusin e Kosovës. Pra sa e prekë pavarësia e Malit të Zi pozicionin e Serbisë në këto bisedime?

KOLË BERISHA
Çdo proces në rajon nuk mund të jetë pa ndikim në pjesët tjera të rajonit. Rrjedhimisht edhe pavarësia e Malit të Zi ka efektin përkatës në proceset në Kosovë dhe ka efekt pozitiv. Derisa një popull që është shumë i afërt me popullin serb pretendon dhe me referendum dëshiron të ndahet, nuk ka arsye që populli shqiptar të jetoj më me Serbinë, sepse me te nuk e lidhë asgjë pos luftës dhe gjakut.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa vëzhgues ndërkombëtar thonë se bisedimet në fakt nuk kanë të bëjnë me statusin politikë, por me statusin e serbëve të Kosovës pas zgjidhjes politike. Çfarë oferte kanë institucionet vendore për komunitetin serb që do të mundësonte integrimin e këtij komuniteti?

KOLË BERISHA
Fillimisht thashë se nuk bisedohet me Serbinë, ndërsa më heret e kam theksuar se nuk negociohet për statusin.
Është fare e qartë se derë tash është biseduar për pozitën e serbëve në Kosovë pas statusit. Pala kosovare e ka të qartë se palës serbe duhet ofruar kushte normale për jetesë. Si popull shumicë kemi obligimin që t'u ofrojmë mundësinë e lëvizjes së lirë, jetës së përbashkët dhe standardeve jetësore që ata të ndjehen si në shtëpinë dhe atdheun e tyre. Në këtë plan në të gjitha dokumentat që i ka përgatitur grupi politik strategjik dhe grupi negociator dhe që i janë dërguar ekipit të Ahtisarit është ofruar maksimumi i mundshëm. Pala serbe nuk kënaqet kurrë me këto. Është interesant që ata kërkojnë formimin e komunave aty ku ka serbë që është krejtësisht normale, por kërkojnë komuna edhe aty ku nuk ka serbë, që në emër të kthimit të bëhet rikolonizimi i Kosovës. Kjo është e papranueshme për palën kosovare, por edhe për palën ndërkombëtare.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG