Ndërlidhjet

logo-print

BUSEK:"PAKTI I STABILITETIT - NË 2008 STRUKTURË RAJONALE"


Erhard BUSEK, koordinator i Paktit të Stabilitetit

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Busek, Pakti i Stabilitetit do të shndërrohet në një strukturë rajonale deri në vitin 2008. Si do duket kjo strukturë e re dhe përse u morr ky vendim në këtë moment?

ERHARD BUSEK
Mendoj se është një opinion i përgjithshëm se vendet e rajonit janë rritur në shkallë të tillë që të marrin përgjegjësitë për vetveten. Është njëherësh një mundësi e mirë aftësimi për këto vende në procesin e integrimit evropian.
Transformimi do zgjasë për dy vjet, derisa fillimisht po shohim se çfarë do të bëhet me 25 projektet e nisura nga Pakti i Stabilitetit dhe për mënyrat se si vendet e rajonit do marrin në dorë detyrimet ndaj vetvetes, si ato teknike por edhe financiare.
Procesi i propozimeve do mbyllet në fund të këtij viti derisa gjatë vitit të ardhshëm do ngrejmë këshillin e bashkëpunimit rajonal. Ky instrument do t'i mbajë afër donatorët, pasi Pakti i Stabilitetit ka një numër donatorësh nga strukturat evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e veçanta. Ne duam që këta donatorë të mbeten në rajon. Nga ana tjetër kemi sekretarin e përgjithshëm të këtij këshilli që duhet të jetë një personalitet nga vendet e rajonit, derisa nuk e dimë nëse zyra bazë duhet të jetë në rajon apo diku gjetkë. Por padyshim do të ketë një zyrë në Bruksel pasi qëllimi i gjithë vendeve të rajonit është Bashkimi Evropian. Gjithë procesi shpresojmë të mbyllet në mesin e vitit 2008.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se vendet e rajonit do jenë në gjendje të tejkalojnë rivalitetet e vjetra, apo problemet që vijnë nga brishtësia e demokracive të tyre dhe të punojnë së bashku në një strukturë, qoftë edhe për zgjedhjen e kreut të saj?

ERHARD BUSEK?
Do të jetë një proces i mirë trainimi për këto vende. Nuk mund të thoni asnjëherë se vendet e rajonit janë vende të pjekura për hapa të tilla, por ato duhet të provohen. Do jetë një provë për to nëse arrijnë t'i kalojnë këto vështirësi apo jo. Të jesh pjesë e Bashkimit Evropian, siç synojnë këto vende, duhet të jesh në gjendje që të ecësh në këtë drejtim, pra të krijosh struktura rajonale funksionale. Padyshim ne do të jemi të duruar, pasi e dimë se asgjë nuk do ndodhë sa hap e mbyll sytë. Por le ta provojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do jetë pozita e Kosovës në këtë strukturë të re, a do ketë ajo të drejta të barabarta me vendet e tjera?

ERHARD BUSEK
Është paraparë që UNMIK-u do të marrë pjesë në strukturën e re në të njëjtën mënyrë që kanë marrë pjesë në Paktin e Stabilitetit. Nëse do ketë vendim për statusin e Kosovës atëherë kjo do të pasqyrohet dhe në ndryshimet e përgjegjësive brenda stukturës në fjalë.
Kjo është e nevojshme pasi nuk duam të lemë vrima të zeza në hartë.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni pasur ndonjë reagim pse Kosova ka marrë një status si të vendeve të tjera?

ERHARD BUSEK
Mendoj u bë e qartë nga fillimi se nuk kemi të bëjmë me përcaktimin e statusit të Kosovës, pasi kjo është detyrë e tjetërkujt. Ajo çfarë ne duam të garantojmë është se cilido të jetë statusi i Kosovës ajo duhet të marrë pjesë në strukturën në fjalë. Për këtë ramë dakord të gjithë, edhe serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni qenë gjithmonë avokat i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Përse duhet krijuar kjo strukturë e re kur vendet duan të anëtarësohen në Union. A është kjo një mënyrë për të vonuar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian?

ERHARD BUSEK
Këto vende kanë probleme të përbashkëta për të cilat duhet të diskutojnë. Këtu nuk kam parasysh vetëm krimin e organizuar që përmendet shpesh, por dhe programet për vendet e Danubit ato të transportit dhe infrastrukturës. Ne kemi sjellë së bashku donatorët për shembull për problemet e infrastrukturës.
Sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian problemi në themel nuk është rajoni në vetvete. Mendoj se janë problemet e brendshme të Unionit të cilat duhet të zgjidhen, siç është kushtetuta apo fakti se pas anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë kornizat ligjore të Unionit nuk janë të përshtatshme për të vazhduar zgjerimin. Ndaj na duhet një vendim në këtë drejtim dhe kjo nuk ka të bëjë me rajonin, por me vetë Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Do këmbëngul dhe njëherë tek shtyrja e mundshme e anëtarësimit në Bashkimin Evropian që mund të sjellë kjo strukturë rajonale për vendet e Ballkanit.

ERHARD BUSEK
Nuk mendoj kështu. Ato që vonojnë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian kanë të bëjnë me proceset e transformimit.
Vendet e rajonit duhet të shtyjnë përpara zhvillimet dhe të arrijnë maturimin e tyre. Kjo është çështja kryesore.

RADIO EVROPA E LIRË
Kthehemi tek Pakti i Stabilitetit, i cili kur u krijua pas sulmeve të NATO-s në Kosovë, në verën e vitit '99 u cilësua si plani Marshall për Ballkanin. Por 7 vjet më vonë qytetarët e rajonit nuk kanë parë ndonjë ndryshim nga Pakti i Stabilitetit. Cilat janë arsyet e mossuksesit, mungesa e fondeve apo e vullnetit politik?

ERHARD BUSEK
Më shumë është investuar në Evropën Juglindore se sa plani Marshall i pas Luftës së Dytë Botërore. Shuma të mëdha janë investuar në nivele të ndryshme nga Pakti i Stabilitetit. Por i takon vendeve të rajonit të ankohen për Paktin e Stabilitetit. Unë mund të them se ka projekte të shumta dhe fonde të mjaftueshme, por problemi real është vështirësia e vendeve të rajonit të hartojnë projekte të vlefshme. Po ju sjell një shembull. Janë fondet për një urë lidhëse mes Rumanisë dhe Bullgarisë, por nuk janë projektet e nevojshme për t'i dhënë këto fonde. Situata është e ngjashme dhe në projekte të tjera pasi qeveritë e rajonit kanë vështirësi në hartimin apo zbatimin e projekteve.
Puna i mbetet qeverive të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se qeveritë e Ballkanit nuk janë ende të afta të formulojnë si duhet një projekt e të kërkojnë mbështetjen financiare për të?

ERHARD BUSEK
Nuk janë të afta, ndoshta nuk është shprehja e saktë. Disa herë ato pengohen nga problemet e brendshme politike, nuk kanë kornizën e duhur ligjore dhe disa herë pengohen për shkak të korrupsionit.
Do të thosha se ato nuk i shtyjnë sa e si duhet gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa janë gjasat që struktura e re rajonale të jetë e suksesshme dhe sa janë ato për dështim?

ERHARD BUSEK
Vendet e rajonit duhet të tregohen të suksesshme, pasi nuk kanë rrugë tjetër. Vendet e rajonit e kanë pranuar nismën, nuk ka pasur asnjë kundërshtim prej tyre.
Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të provojnë se janë të pjekura që ta meritojnë vendin në Bashkimin Evropian. Ky organizëm është testi i tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Si dikush familjar me Ballkanin, si i shihni politikat amerikane nga një anë dhe ato evropiane ndaj rajonit?

ERHARD BUSEK
Që nga viti 1996 kam qenë kordinator i Iniciativës për Bashkëpunim në Evropën Juglindore dhe më pas në Paktin e Stabilitetit. Më duhet të them se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë plotësisht në të njëjtën linjë. Ka dallime në qasje për çështje të ndryshme, por të tilla ka dhe brenda Unionit. Mendoj se kemi një ndjenjë të përbashkët mirëkuptimi bazuar në qasjen e përbashkët transatlantike.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG