Ndërlidhjet

MË 11 KORRIK MBAHET TAKIMI PËR TRASHËGIMINË KULTURORE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Arsim Bajrami dhe Nekibe Kelmendi janë ftuar sot nga Ekipi Negociues i Kosovës që të fillojnë menjëherë hartimin e kushtetutës së re të shtetit të Kosovës, thanë sot zëdhënësi i Ekipit Negociues pas një takimi të këtij ekipi, në të cilin është pranuar ftesa e zyrës së Ahtisarit për takimin e 11 korrikut në Vjenë, ku do të diskutohet me delegacionin nga Serbia për trashëgiminë kulturore.
Sidoqoftë, ekipi negociues i Kosovës pas paralajmërimeve se do të nisë puna për hartimin e kushtetutës së re të Kosovës ka bërë hapin e parë në këtë drejtim:
"Autorizon presidentin e Kosovës që të ftojë dy ekspertë të të drejtës kushtetuese dhe ligjore, Arsim Bajramin dhe Nekibe Kelmendin që të fillojnë punën për hartimin e parimeve themelore të kushtetutës së shtetit të ardhshëm të Kosovës."
Në anën tjetër, zoti Skënder Hyseni tha se delegacioni ka diskutuar lidhur me ftesën e zyrës së Ahtisarit drejtuar ekipit negociues për të marrë pjesë në takimin e Vjenës më 11 korrik, ku do të diskutohet edhe një herë për trashëgiminë kulturore.
Në parim delegacioni ka vendosur që në këtë takim të shkohet, por do të punohet ende në atë që delegacioni i Kosovës do ta përfaqësojë në këtë takim dhe janë shqyrtuar edhe disa kërkesa të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me zonat e mbrojtura, tha zoti Hyseni:
"Nga diskutimi që është bërë në ekipin negociues mund të konkludohet se nuk ka hapësirë për lëshime, pasi merreni Graçanicën, si do të bëni zonë mbrojtëse kur një rrugë magjistrale kalon mu pranë murit të një objekti të rëndësishëm religjioz", tha zoti Hyseni sipas të cilit ekipi negociues i Kosovës është i përgatitur ta presë zëvendëskryenegociatorin Albert Rohan që të mërkurën vjen në Kosovë, ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë ftesë zyrtare për takimin e paralajmëruar të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet pas 20 korrikut:
"Ai takim shënon mbylljen e një faze në procesin e statusit që është biseda për çështje, kushtimisht thënë, teknike dhe fillimin e shqyrtimit të statusit të Kosovës dhe nuk mund të paragjykojmë asgjë rreth takimit, pasi ende nuk ka ftesë formale dhe përderisa nuk ka ftesë formale ne nuk do të paragjykojmë asgjë, as formatin e takimit e as substancën e cila do të shtrohet".
Zoti Hyseni tha se pasi të merret ftesa zyrtare do të përcaktohen edhe detajet lidhur me atë takim, përfshirë edhe ata që do ta përfaqësojnë Kosovën në të.

XS
SM
MD
LG